Kurti: Mbetjet mortore të gjetura në Zubin Potok përkojnë me “grupin e intelektualëve”

Prishtinë, 24 gusht 2026 – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se gjatë gërmimeve të zhvilluara në tri lokacione në komunën e Zubin Potokut janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin së paku 23 personave. Ai ka thënë se ka indicie që shpien në përfundimin se viktimat ishin pjesë të grupit të shqiptarëve që njihet si “grupi i intelektualëve”.

“Numri 23 përkon me atë që njihet si grupi i intelektualëve, të cilët më 19 prill të vitit 1999 u ndaluan, u rrëmbyen dhe u pushkatuan nga forcat armike të Serbisë, që u përpoqën të fshehin dhe të zhdukin gjurmët e këtij krimi gjenocidal”, ka thënë Kurti gjatë prezantimit të raportit të Komisionit Qeveritar për Persona të zhdukur lidhur me gërmimet e zhvilluara në dy lokacione në fhstatin Kalludër e Vogës dhe në një lokacion në fshatin Jabukë.

Kurti ka thënë se procesi i identifikimit të të gjitha mbetjeve mund të zgjasë disa muaj.

“Procesi i identifikimit në tërësi mund të marrë edhe disa muaj kohë. Andaj, vetëm atëherë do të mund të flasim me saktësi të plotë se për kë bëhet fjalë dhe bashkë me familjet t’u japim një lamtumirë dinjitoze dhe nga një varr me emër e mbiemër”, ka shtuar ai.

Kurti ka thënse se në procesin e identifikimit janë përfshirë institucionet e Kosovës, përfshirë Policinë, Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, si edhe ekipet mjekoligjore të EULEX-it.

Edhe me këtë rast, Kurti ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të ushtojë trysni ndaj Serbisë për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur me Dhunë, të dakorduar në Bruksel më 2 maj 2023, si dhe për hapjen e arkivave shtetërore të Serbisë që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Ai ka kërkuar në veçanti hapjen e arkivit të Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë së Jugosllavisë, e cila ka operuar në Drenicë në vitin 1999.

“Serbia arreston dhe përndjek edhe ata pak serbë që kanë guxuar të dëshmojnë tek institucionet ndërkombëtare. Andaj, më shumë se sa në çdo moment tjetër, në momente si ky, faktorët ndërkombëtarë duhet ta shtojnë trysninë ndaj fqinjit tonë verior që të zbatojë Deklaratën për Personat e Zhdukur me Dhunë, të dakorduar në Bruksel më 2 maj 2023, duke hapur dhe vënë në dispozicion arkivat shtetërore që mund të çojnë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Andaj e përsërisim thirrjen për hapjen e arkivit të Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë së Jugosllavisë, e cila ka kryer masakra posaçërisht në Drenicë, por edhe gjithandej Kosovës, e dosja e së cilës para 12 vjetësh është klasifikuar për 30 vjet. Pra, ajo mbetet e klasifikuar edhe 18 vjet të tjera”, është shprehur Kurti.

“Dosjet e arkivuara dhe të klasifikuara të Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë së Jugosllavisë duhet të hapen tash nga shteti i Serbisë, pra sivjet, në vitin 2026, e jo në vitin 2044”, ka theksuar ai.

Kurti ka folur edhe për armët e gjetura në zonën rreth varrezave masive në të cilat janë gjetir mbetjet kockore të 23 personave. Ai ka thënë se këto armë janë dërguar për ekzaminim jashtë vendit për të përcaktuar nëse ato mund të kenë lidhje me krimet dhe masakrat e kryera në këto zona.

Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për persona të zhdukur ka shpjeguar se dy varrezat masive në Kalludër të Vogël kishin rreth 300 metra distancë në vijë ajrore, ndërsa varreza masive në Jabukë gjendej rreth 1 kilometër nga ato në Kalludër të Vogël.

Ai ka thënë se mbetje mortore të tre personave janë gjetur një njërën varrezë masive në Kalludër të Vogë, ndërsa të tjerat janë gjetur në varrezën e dytë masive Kalludër të Vogël dhe në varrezën masive në fshatin Jabukë.

(r.m.)

Comment

*