Marta Kos: Shqipëria duhet të shfuqizojë ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura

Bruksel, 25 gusht 2026 – Komisioni Evropian, në përgjigje të pyetjes së 11 eurodeputetëve të grupimit të majtë, ka thënë se Shqipëria duhet të shfuqizojë ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe të përfundojë ligjin e vitit 2015 për investimet strategjike, raporton Panorama.

Eurodeputetët Emma Fourreau, Marc Botenga, Danilo Della Valle, Sebastian Everding, Hanna Gedin, Anja Hazekamp, Marina Mesure, Arash Saeidi, Ilaria Salis, Jonas Sjöstedt dhe Anthony Smith i kanë kërkuar Komisionit Evropian të shprehej mbi projektet turistike në Sazan dhe në zonën e mbrojtur Vjosa–Nartë, të cilat sipas tyre financohen nga fondi i investimeve të Jared Kushner.

“Si e vlerëson Komisioni përputhshmërinë e investimeve në pasuri të paluajtshme të lidhura me familjen e një kreu shteti jashtë BE-së me standardet e transparencës dhe qeverisjes së mirë që priten nga vendet që synojnë anëtarësimin në BE?”, thuhej në një nga pyedtjet e 11 eurodeputetëve drejtuar Komisionit Evropian.

Marta Kos, në përgjjigjen e saj, nuk ka dhënë një vlerësim specifik për investimet e lidhura me familjen Trump, por ka theksuar se investimet e huaja mund të sjellin përfitime, me kusht që të jenë transparente dhe në përputhje me rregullat kombëtare dhe të BE-së.

Përgjigja e komisioneres Kos përforcon edhe një herë qëndrimin se Shqipëria duhet t’i përmbushë kriteret për mbylljen e Kapitullit të 27-të, atë të mjedisit, duke i shfuqizuar ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura të vitit 2024 dhe Ligjin për Investime Strategjike.

“Kushtet për mbylljen e kapitullit kërkojnë shprehimisht që Shqipëria të përafrohet me acquis-in e BE-së për mbrojtjen e natyrës, përfshirë shfuqizimin e dispozitave të papajtueshme të futura përmes ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe përfundimin e legjislacionit të vitit 2015 për investimet strategjike”, thuhet në përgjigjen e Marta Kos.

Sipas Komisionit Evropian, Shqipëria duhe të përafrojë legjislacionin e saj me acquis-in mjedisor të BE-së, përfshirë Direktivën për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, Direktivën për Vlerësimin Strategjik Mjedisor, Direktivën e Shpendëve dhe Direktivën e Habitateve.

“Shqipëria të dëshmojë kapacitet të mjaftueshëm për menaxhimin e zonave të ardhshme Natura 2000 dhe të sigurojë masa efektive për ruajtjen e tyre, duke parandaluar përkeqësimin e habitateve dhe të gjendjes së specieve”, ka thënë komisionerja Marta Kos.

Në pyetjen drejtuar Komisionit Evropian, eurodeputetët e kanë ngritur shqetësimin se zhvillimet turistike mund të rrezikojnë ekosistemet bregdetare dhe detare, biodiversitetin dhe habitatet e specieve të kërcënuara. Ata kanë theksuar se Sazani ndodhet brenda Parkut Kombëtar Detar Karaburun–Sazan, i cili është i përcaktuar si Zonë e Mbrojtur me rëndësi tբ veçantë për Mesdheun (SPAMI).

Në përgjigje, Komisionerja Kos ka thënë se Komisioni Evropian po e ndjek nga afër projektin në zonën e Pishë Poro-Nartës.

“Ky projekt, ashtu si të gjitha projektet në zhvillim në Shqipëri, do të duhet të jetë në përputhje me kushtet e përcaktuara në kuadër të Kapitullit 27”, thuhet më tej në përgjigjen e zonjës Kos.

Ajo ka thënë se Qeveria e Shqipërisë e ka siguruar Komisionin Evropian se do të kryhet një Vlerësim i Plotë i Ndikimit në Mjedis dhe se do të respektohen standardet evropiane të mjedisit dhe se Komisioni Evropian i ka inkurajuar autoritetet shqiptare që të vazhdojnë të ndërmarrin hapa në mbështetje në përmbushje të kushteve për mbylljen e Kapitullit 27 dhe të avancojnë në rrugën e saj drejt BE-së.

“Komisioni do të monitorojë nga afër përmbushjen e këtyre kushteve”, ka thënë Kos në përmbyllje të përgjigjes në pyetjet e 11 eurodeputetëve.

Në letrën e tyre, 11 eurodeputetët e grupit të majtë e lidhën zhvillimin e projekteve turistike në Sazan dhe në Vjosa–Nartë me një debat më të gjerë mbi mbrojtjen e pasurive natyrore të Shqipërisë.

Ata kanë thënë se demonstratat kundër këtyre projekteve e pasqyrojnë shqetësimin se territori i Shqipërisë po zhvillohet në favor të interesave të investitorëve privatë shumë të pasur.

Sipas tyre, projektet hotelierike paraqesin rrezik për ekosistemet bregdetare dhe detare, për biodiversitetin dhe për habitatet e specieve të kërcënuara.

(r.m.)

Comment

*