Prishtinë, 26 gusht 2026 – Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në komunën e Prishtinës ka dorëzuar në hetuesi materiale që, sipas këtij grupi, provojnë “legalizime të paligjshme” në Prishtinë.
Kryesuesi i këtijk grupi, Gëzim Sveçla, tha se në hetuesi kanë dërguar materiale që janë pranuar nga një punëtor i komunës, i cili ka dashur ta ruajë anonimitetin.
Sveçla ka thënë se në materialet e dorëzuara në polici “përmenden emra të bizneseve, të zyrtarëve dhe shkeljeve ligjore që kanë ndodhur gjatë këtij procesi”.
“Legalizimi është i rregulluar me ligj dhe objektet e legalizuara kanë deficite ligjore, ndërsa një pjesë e tyre janë edhe në pronë publike”, ka thënë ai.
“Ka edhe raste kur objektet janë ndërtuar pas vitit 2018, kur ka hyrë në fuqi ligji për trajtimin e objekteve pa leje”, ka shtuar Sveçla.
Sipas tij, pos rasteve të “legalizimeve të paligjshme” materialet e dorëzuara në hetuesi tregojnë edhe për “transfere të shumave të mëdha” të parave nga Kosova në Britaninë e Madhe.
“Pos legalizimeve, materialet përmbajnë edhe një varg pretendimesh të tjera, që sipas sinjalizuesit kanë ndodhur në Komunë, me shkelje ligjore, nga transferet e shumave të mëdha që kanë ndodhur nga Kosova në Britani, e për të cilat sipas pretenduesit, autoritetet britanike veçse kanë nisur hetimet dhe e njëjta thuhet edhe për autoritetet e Kosovës”, ka thënë ai.
Sveçla ka thënë se në materialet që janë dorëzuar në hetuesi përmenden edhe zyrtarë policorë” që, siç është shprehur, “i ndihmojnë Ramës në arritjen e qëllimeve të tij”.
Asamblistët e LVV-së në komunën e Prishtinës kanë dorëzuar kallëzim penal me pretendime të ngjashme edhe në Prokurorinë Speciale të Kosovës, më 30 korrik.
Sveçla ka deklaruar se më 3 gusht, pas dorëzimit të kallëzimit penal, grupi i asamblistëve të LVV-së ka kërkuar të ketë qasje në dosjet e përmendura në kallëzim, por kryetari i Prishtinës, Përparim Rama i ka marrë dosjet në zyrën e vet qysh atë ditë, çka ka pamundësuar qasjen në dosje. Ai ka thënë se këto lëndë janë trajtuar në departamentin e legalizimeve, por seri më sot nuk është raportuar për konstatimet.
Sveçla ka thënë se materialet do të dorëzohen edhe në Zyrën e Kryeprokurorit, sepse, siç ka thënë ai, “thellësia e skandaleve, keqpërdorimeve dhe abuzimeve në Komunën e Prishtinës është e paparë ndonjëherë”.
Më 31 korrik, komuna e Prishtinës ka reaguar pas dyshimeve të ngritura nga asamblistët e LVV-së për përfshirjen e kryetarit Përprim Rama dhe të zyrtarëve të tjerë të lartë të komunës në legalizime të kundërligjshme të objekteve.
“Kryeqyteti do të ofrojë bashkëpunim të plotë me organet e drejtësisë. Pas vendimit të Prokurorisë, do t’i ndërmarrim pa asnjë hezitim të gjitha veprimet dhe procedurat ligjore ndaj kujtdo që rezulton se ka shkelur ligjin”, thuhej në reagimin e komunës së Prishtinës.
(r.m.)