Joseph e Shirley Cloyes DioGuardi nderohen ne titullin “Honoris Causa” nga Universiteti i Prishtinës

Prishtinë, 26 gusht 2026 – Senati i Universitetit të Prishtinës vendosi që qy miq të mëdhenj të Kosovës – ish-kongresistin amerikan Joseph DioGuardi dhe bashkëshortes së tij Shirley Cloyes DioGuardi – t’i nderojë me titullin ‘Honoris Causa’, në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme të Kosovës dhe shqiptarëve.

Të mërkurën, në ceremoninë solemne të dorëzimit të kësaj mirënjohjeje, u shprehën vlerësimet më të larta për kontributin e çiftit DioGuardi për afirmimin e çështjes së Kosovës në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në Departamentin amerikan të Shtetit, si edhe për forcimin e lidhjeve shqiptaro-amerikane.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, ndër të tjera, tha se ky akt i mirënjohjes për dy figura të rëndësishme të lidhjes midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës ka dimensione shumë më të gjera.

“Sot nuk po nderojmë vetëm dy personalitete të shquara, kongresistin Joe DioGuardi dhe veprimtaren Shirley Cloyes DioGuardi, por po nderojmë një miqësi, një përkushtim dhe një kapitull të rëndësishëm të historisë sonë të përbashkët”, tha Hajrullahu.

Ai tha se Joe e Shirley Cloyes DioGuardi “i kanë dhënë Kosovës zë atëherë kur zëri i saj mezi dëgjohej. I kanë dhënë miqësi atëherë kur ajo kishte shumë nevojë për miq, dhe i kanë dhënë shpresë atëherë kur shpresa ishte ndër gjërat më të rralla”.

“Njëri prej atyre zërave ishte Joseph DioGuardi, i cili së bashku me Shirley Cloyes DioGuardin, me shqiptaro-amerikanët dhe me miqtë e tyre brenda institucioneve amerikane, punuan me një përkushtim të jashtëzakonshëm që e vërteta për Kosovën të dëgjohej, që padrejtësia të mos normalizohej dhe që një popull i shtypur të afrohej hap pas hapi drejt lirisë, demokracisë dhe pavarësisë”, tha Hajrullahu.

Ai shprehu vlerësimet më tՃ larta për kontributin e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, me Joseph dhe Shirley Cloyes DioGuardin në ballë, duke veçuar misionin faktmbledhës të shtatë senatorëve amerikanë, të udhëhequr nga Robert Dole, në Kosovë më 29 gushtit 1990.

“Ajo vizitë ishte më shumë se një takim politik, ishte një dëshmi se Kosova kishte filluar të hynte në ndërgjegjen politike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, theksoi rektori Hajrullahu.

Profesoresha Luljeta Plakolli-Kasumi, duke lexuar referatin për veprën e Joseph J. DioGuardit dhe Shirley Cloyes DioGuardit, hodhi dritë mbi historinë mbi 40 vjeçare të angazhimit të çiftit për Kosovën dhe shqiptarët.

“Secili prej tyre ka kontribut të dalluar që meriton të trajtohet veçmas, sepse rruga e tyre drejt këtij angazhimi ishte e ndryshme, mjetet të cilat përdorën ishin komplementare dhe gjurmët që lanë janë po aq individuale sa edhe të përbashkëta”, theksoi ajo.

Ish-kongresisti Joseph J. DioGuardi tha se është shumë i nderuar për këtë mirënjohje.

“Kjo është një ngjarje kaq e mrekullueshme. Nuk e keni idenë se sa i prekur jam për këtë. Unë ua kam kushtuar jetën time njerëzve të tjerë, jo parasë”, tha DioGuardi.

Ai tha se gjatë gjithë jetës së tij është angazhuar për të drejtat e njeriut dhe se këtë virtyt e ka trashëguar nga familja e tij.

Shirley Cloyes DioGuardi e cilësoi si nder të veçantë për të dhe për bashkëshortin e saj ndarjen e titullit “Honoris Causa”. Ajo e vlerësoi posaçërisht motivacionin e ndarjes së kësaj mirënjohjeje.

“Ky ishte prezantimi më i shkëlqyer, një prezantim i detajuar”, tha ajo.

Ajo falënderoi Senatin dhe Rektoratin e Universitetit të Prishtinës edhe për vlerësimin e punës së bordit drejtues të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane.

Ish kongresisti Joseph DioGuardi dhe bashkëshortja e tij Shirley Cloyes DioGuardi janë angazhuar prej më shumë se 4 dekadash për të drejtat dhe liritë e shqiptarëve në Kosovë, për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, për shtetndërtimin e zhvillimin e demokracisë në Kosovë si edhe për përmirësimin e pozitës juridike e kushtetuese të shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe në Maqedoninë e Veriut.

Të hënën, ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ua dorëzoi çiftit Joseph e Shirley Cloyes DioGuardi dekretin e shtetësisë së Kosovës, po në shenjë mirënjhohjeje për kontributin e tyre për Kosovën.

Në vitin 2023, Joseph DioGuardi ishte dekoruar nga Presidentja e Republikës së Kosovës me Urdhrin e Lirisë.

(r.m.)

Comment

*