Kurti e Abdixhiku takohen përsëri sot. A do të ketë marrëveshje për presidentin?

Prishtinë, 31 gusht 2026 – Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, pritet të zhvillojnë sot edhe një takim tjetër, në kuadër të përpjekjeve për zgjidhjen e ngërçit politik për formimin e institucioneve të reja të vendit.

Mediet në Kosovë raportojnë se takimi do të zhvillohet në mesditë në Kuvendin e Kosovës.

Kurti dhe Abdixhiku janë takuar disa herë për të arritur një marrëveshje politike për hapjen e rrugës për formimin e institucioneve pas zgjedhjeve të fundit parlamentare. Ata nuk kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje, por janë pajtuar të arrijnë marrëveshjeje për zgjedhjen e president it të ri të vendit dhe, kështu, të shmangin zgjedhje të tjera të parakohshme.

Në dy takimet e tyre të fundit, Kurti dhe Abdixhiku kanë bërë të ditur se diskutimet kanë hyrë në fazën e shqyrtimit të emrave konkretë për president të ri. Por, ndonëse janë pajtuar që president i ri të zgjidhet një kandidat jopartiak që do të ketë mbështetjen e shumicës së nevojshme në Kuvend, ata nuk kanë arritur ende pajtim për një emër të vetëm.

Takimi i fundit i dy liderëve u zhvillua të shtunën mbrëma, por asnjëri prej tyre nuk tregoi se sa afër apo sa larg marrëveshjes janë aktualisht.

Mediat e Kosovës raportuan se Kurti e Abdixhiku janë pajtuar në parim që kandidat për president të Kosovës të propozojnë ish-gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu, por këtë nuk e kanë konfirmuar as mohuar asnjëra palë.

Prof. Dr Bekim Sejdiu

Emri i Prof, Dr Bekim Sejdiut është mirëpritur në jetën publike të Kosovës. Analistë e njohës të zhvillimeve politike e konsiderojnë Sejdiun si figurën më të përshtatshme për president të Kosovës.

Gazetari e shkrimtari Enver Robelli ka thënë se Kosovës i bën nderë zgjedhja e Bekim Sediut President.

“Prof. dr. Bekim Sejdiu i bën nder Kosovës si President i Republikës”, ka shkruar Robelli.

“Bekim Sejdiu do ta përfaqësonte Kosovën në mënyrë dinjitoze. Për këtë ai është jo vetëm i përgatitur mirë profesionalisht, por ka edhe një përvojë të gjatë e të respektueshme si shërbëtor lojal i institucioneve të Kosovës”, ka theksuar ai.

Robelli e ka vlerësuar përgatitjen profesionale të Sejdiut dhe përvojën e tij të shkëlqyeshme si diplomat dhe si gjyqtar I Gjykatës Kushtetuese.

“Me këto virtyte, Bekim Sejdiu është një demokrat i përgjegjshëm, një personalitet publik që e di mirë vlerën e lëvizjeve politike e ushtarake për çlirimin e Kosovës dhe të shtetndërtimit, që arriti kulmin me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Me natyrën e tij përbashkuese, me prirjen për të ndërtuar ura në mbrojtje të interesit publik dhe shtetëror, si dhe me kureshtjen e tij intelektuale, Bekim Sejdiu do ta avanconte nivelin e përfaqësimit të Kosovës edhe në arenën ndërkombëtare”, ka theksuar Robelli.

Drejtori i KIPRED-it, Lulzim Peci, e ka vlerësuar lart figurën e Sejdiut, duke theksuar përvojën e tij në drejtësi, marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomaci. Ai e ka vlerësuar përvojën e Sejdiut në dy prej fushave kryesore të përgjegjësisë presidenciale – politikën e jashtme dhe rendin kushtetues.

Peci i ka kundërshtuar pretendimet se Sejdiu nuk është figurë e paanshme politike. Ai ka sjellë në kujtesë dy aktgjykime të Gjykatës Kushtetuesen ë kohën që Sejdiu ka qenë gjyqtar i saj.

“1. Kur është zgjedhur gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese në Kuvendin e Kosovës, vetëm Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes ka votuar kundër tij.

2.Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Qeverinë Hoti është marre me nëntë vota, ndërsa i njëjti standard kushtetues me pas ia pamundësoi Albin Kurtit kandidimin për deputet në zgjedhje”, ka shkruar Peci në Facebook.

Edhe ish-deputeti Ilir Deda e ka vlerësuar pozitivisht figurën e Bekim Sejdiut. Ai e ka përshkruar Sejdiun si “figurë me integritet të lartë intelektual, njohës të politikës së jashtme dhe interesave të Kosovës, si dhe mbrojtës të Kushtetutës”.

“Kosovës i duhet një president i aftë që ta ushtrojë me nder këtë rol, dhe sinqerisht shpresoj që emri i Bekimit nuk është duke u keqpërdorur në lojëra partiake, por është zgjidhja përfundimtare e negociatave të LVV dhe LDK”, ka shkruar Deda.

Ai ka shfaqyr shpresën se emri i Sejdiut nuk do të përdoret për “lojëra partiake”, por do të jetë pjesë e një zgjidhjeje përfundimtare mes LVV-së dhe LDK-së.

Veprimtari shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari, e ka cilësuar Sejdiun “kandidat ideal për President të Kosovës”. Ai e ka vlerësuar punën e Sejdiut si profesionist të fushës, si diplomat dhe gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.

“Kosova ka nevojë për një figurë serioze dhe të respektuar si Bekim Sejdiu, i cili mund t’i bashkojë liderët politikë, institucionet, qytetarët dhe aleatët rreth një qëllimi të përbashkët: forcimit të shtetit të Kosovës”, ka theksuar Bajraktari.

(r.m.)

Comment

*