Bekim Sejdiu: Nder i madh të jem në shërbim të Republikës së Kosovës

Prishtinë, 31 gusht 2026 – Prof. Dr Bekim Sejdiu, i përzgjedhuri i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për President të Republikës së Kosovës, tha se ndihet i nderuar që u propozua kandidat konsensual për pozitën më të lartë drejtuese të shtetit.

“Siç jeni në njohuri, gjatë ditëve të fundit, dy partitë politike – Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë zhvilluar negociata intensive me qëllim të gjetjes së një emri të një kandidati jopartiak për postin e Presidentit të Republikës së Kosovës. Gjatë këtyre negociatave, dy partitë kanë arritur një pajtueshmëri për emrin tim si kandidat presidencial. Gjithsesi, kjo mua më bën të ndihem i nderuar. Besimi që më kanë dhënë përfaqësuesit e dy partive politike, për çka e shfrytëzoj rastin t’i falënderoj publikisht, është besim i madh dhe nder i madh”, tha ai, në paraqitjen e tij para gazetarëve si kandidat për President të Kosovës.

Sejdiu tha se e propozimin për këtë pozitë e ka pranuar duke pasur parasysh kontekstin aktual politik të Republikës së Kosovës.

“Unë e kam pranuar këtë propozim, ndonëse ambicia ime ka qenë gjithmonë në fusha më shumë akademike dhe profesionale. Sidoqoftë, duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për barrën dhe përgjegjësinë që sjell posti i Presidentit, si edhe për kontekstin aktual politik të Republikës së Kosovës, jam vënë në shërbim të Republikës së Kosovës, të qytetarëve dhe të shtetit tonë, që t’u shërbej me devotshmëri, siç kam bërë gjithmonë, kudo dhe kurdo që më jepet rasti brenda kapaciteteve të mia”, tha Sejdiu.

Ai theksoi se procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës është një proces me primesa politike dhe me procedurë kushtetuese.

Kandidatura e Sejdiut do të hidhet në votim në Kuvendin e Kosovës. Sipas Kushtetutës së Kosovës, në dy votimet e para ndonjëri nga kandidatët për president duhet të marrë votat e dy të tretave të përbërjes së Kuvendit, ndërsa në rrethin e tretë të votimit duhet të marrë votat e së paku një më shumë se gjysma e përbërjes së Kuvendit, me kusht që në sallë të jenë të pranishëm dy të tretat e përbërjes së Kuvendit.

Është e pritshme që kandidatura e Prof. Dr Bekim Sejdiut të mbështetet edhe nga deputetët e partive tjera parlamentare, duke pasur parasysh profilin dhe integritetin e tij profesional e moral.

Kandidatura e tij është mirëpritur e përshëndetur nga shumë autoritete publike në Kosovë e jashtë saj – studjues e analistë të zhvillimeve politike dhe ekspertë të fushave të ndryshme në Kosovë dhe jashtë Kosovës.

(r.m.)

Comment

*