Prishtinë, 3 shtator 2026 – Ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lordi George Robertson, iu drejtua udhëheqjes politike dhe qytetarëve të Kosovës me dy mesazhe të fuqishme dashamirëse: formoni institucionet, pranojeni paqësisht verdiktin e Gjykatës Speciale, cilido qoftë ai.
Miku i madh i Kosovës që prej viteve të ‘90-ta, viteve më të rënda për popullin e Kosovës, në një intervistë për emisionin “Interaktiv” në KTV, shprehu shqetësimin për paralizën institucionale në Kosovë dhe bëri thirrje për zgjedhjen e president it të ri.
“Unë, si shumë njerëz të tjerë, jemi vërtet të shqetësuar. Shqetësohemi për paralizën e politikës në Kosovë sot. Duhet të ketë zgjedhjen e një presidenti, sepse kjo është e vetmja mënyrë që populli i Kosovës të përfaqësohet siç duhet në botën e jashtme. Prandaj, miqtë e Kosovës, dhe ka shumë prej tyre, në të gjitha partitë politike në Mbretërinë e Bashkuar, janë thellësisht të shqetësuar për paralizën që duket se po zhvillohet në politikën e Kosovës”, deklaroi ai.
Robertson theksoi se paraliza institucionale u shkon përshtati vetëem armiqve të Kosovës.
“Nuk kam asnjë dyshim në mendjen time se paraliza aktuale në Kosovë ndihmon vetëm armiqtë e Kosovës, ndihmon Serbinë me fushatën e saj dashakeqe kundër pavarësisë së Kosovës. Dhe për këtë arsye, njerëzit në Kuvendin e Kosovës dhe partitë politike të Kosovës duhet të pranojnë se bota e jashtme po shikon dhe po shikon gjithçka që po ndodh brenda vendit tuaj”, theksoi ai.
Ai tha se populli i Kosovës ka miq si ai, por ka edhe armiq që duan të shfrytëzojnë përçarjet e brendshme në Kosovë, prandaj qytetarët e Kosovës duhet të qëndrojnë të bashkuar.
“Ata kanë miq në botë. Ata më kanë një mik mua, kanë një mik Mbretërinë e Bashkuar dhe në shumë nga vendet që morën pjesë në konfliktin e vitit 1999. Por, ka edhe kundërshtarë dhe armiq që do të shfrytëzojnë çdo përçarje brenda Kosovës, të cilët do të shfrytëzojnë dhe zmadhojnë çdo ndryshim mendimi që ekziston. Dhe kjo është arsyeja pse unë besoj fuqimisht se populli i Kosovës duhet të qëndrojë i bashkuar”, tha Robertson.
Lordi Robertson tha se qytetarët e Kosovës duhet të kuptojnë se nuk është Serbia armiku i vetëm i Kosovës.
“Armiku i Kosovës nuk është vetëm në Serbi. Ajo ka edhe armiq të tjerë në botë që duan ta kufizojnë atë [Kosovën] dhe ta rikthejnë në pozicionin e saj historik, si pjesë të Jugosllavisë së vjetër. Njerëzit në Kosovë duhet ta kuptojnë këtë”, u shpreh Robertson.
Lordi Robertson, i cili ka qenë edhe sekretar i Mbrojtës i Mbretërisë së Bashkuar gjatë luftës në Kosovë, u është drejtuar qytetarëve të Kosovës edhe me një mesazh tjetër miqësor e dashamirës. Ai u ka bërë thirrje që ta pranojnë paqësisht e pa reagime joracionale verdiktin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, cilido qoftë ai verdikt.
“Çfarëdo vendimi që del nga Dhomat e Specializuara, njerëzit nuk duhet t’u japin mbështetje, ndihmë dhe inkurajim armiqve të Kosovës jashtë. Ata duhet ta pranojnë vendimin, cilido qoftë ai, dhe të sigurohen që ne të ecim përpara. Është e ardhmja e Kosovës ajo që ka rëndësi, jo historia e saj”, theksoi ndër të tjera, ish-sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuara dhe ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lordi George Robertson.
(r.m.)