Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë të mërkuren, më 9 shtator

Prishtinë, 4 shtator 2026 – Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvenditt ë Kosovës, Avni Dehari, njoftoi të premten se ka vendosur që vazhdimin e seancës së ndërprerë muajin e kaluar ta thërrasë për të mërkuren, më 9 shtator, në orën 11:00.

Dehari, në njpftimin e shpërndarë përmes profilit të tij në Facebook, ka thënë se këtë vendim e ka marrë pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, edhepse, siç është shprehur, “ende nuk ka qartësi të plotë nëse ekziston numri i nevojshëm i deputetëve për konstituimin e të gjitha institucioneve”.

Ai ka thënë se pret që marrëveshja mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës “të shoqërohet me përgjegjësi konkrete dhe me gatishmëri të deputetëve për t’i përmbushur detyrimet e tyre kushtetuese”.

“Kosova nuk ka nevojë për një tjetër zvarritje, as për një tjetër krizë dhe aq më pak për një proces të ri zgjedhor”, ka theksuar Dehari.

Njoftimi i plotë i Deharit:

Si Kryesues i Seancës Konstitutive e kam parë si një lajm të mirë arritjen e marrëveshjes ndërmjet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Edhe pse ende nuk ka qartësi të plotë, nëse ekziston numri i nevojshëm i deputetëve për konstituimin e të gjitha institucioneve, kam vendosur që vazhdimin e Seancës Konstitutive ta thërras më 9 shtator, në orën 11:00. Deri atëherë pres që kjo marrëveshje të shoqërohet me përgjegjësi konkrete dhe me gatishmëri të deputetëve për t’i përmbushur detyrimet e tyre kushtetuese. Kosova nuk ka nevojë për një tjetër zvarritje, as për një tjetër krizë dhe aq më pak për një proces të ri zgjedhor.

Në rendin e ditës të seancës do të jetë zgjedhja e kryetarit dhe nënktryetarëve të Kuvenditt ë Kosovës, me çka do të përmbyllej procesi i konstituimit të Kuvendit. Kështu hapet rrugë procesit për formimin e qeverisë së re.

Lëvizja Vetëvendosje, bashkë me subjektet politike të komuniteteve joshumicë me të cilat ka qeverisur mandatin e kaluar, e kanë numrin e nevojshëm të votave për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e qeverisë, por nuk mund të sigurojë kuorumin për zgjedhjen e presidentit të ri. Me qëllim krijimin e kuorumit të nevojshëm për zgjedhjen e presidentit, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, arritën një marrëveshje që kandidat të përbashkët për president ta propozojnë Prof. Dr Bekim Sejdiun.

Por, kjo marrëveshje u vu në pikëpyëtje nga 6 deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët thanë se nuk e mbështesin kandidaturën e Sejdiut. Pa pjesëmarrjen e tyre në votim, dështon zgjedhja e presidentit të ri dhe, sipas Kushtetutës, shpallen zgjedhje të parakohshme.

Për zgjedhjen e president it të rid he, rrjedhimisht, shmanien e zgjedhjeve të tjera të parakohshme, është e nevojshme që në seancën e votimit për president të jenë të pranishëm së paku 80 deputetë. Tash për tash nuk dihet se a do të marrin pjesë në seancën e votimit për presidentin 6 deputetët e LDK-së që e kundërshtojnë kandidaturën e Sejdiut.

Pavarësisht prej epilogut të procesit në Kuvend, procesi i konstituimit të Kuvendit po zhvillohet mes paqartësive dhe akuzave për shkelje kushtetuese. Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të prillit të vitit 2025, konstituimi i Kuvendit duhet të përmbyllet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve. Ky afat ka skaduar më 7 gusht, në mesnatë, pavarësisht paralajmërimeve të opozitës dhe njohësve të Kushtetutës.

Presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu, e cila është paralajmëruar për këtë shkelje, ka thënë se kushdo mund ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Por, deri më sot, askush nuk e ka dërguar dhe as nuk ka paralajmëruar se do ta dëgojë çështjen në Kushtetuese.

(r.m.)

Comment

*