Prishtinë, 8 shtator 2026 – Deputetët e Aleancës (ish Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës) nuk do të marrin pjesë në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të ftuar për nesër.
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, tha se vendimi është marrë me shumicë votash në mbledhjen e përbashkët të kryesisë së partisë dhe deputetëve të saj në Kuvendin e Kosovës. Ai tha se Aleanca nuk do të legjitimojnë shkeljen e Kushtetutës.
“Sot Aleanca e ka konfirmuar vullnetin e shumicës dërrmuese të deputetëve dhe të anëtarëve të kryesisë për të mos marrë pjesë [nëe seancë] dhe të mos e legjitimojë shkeljen e vazhdueshme dhe brutale të Kushtetutës së Kosovës nga partia që i ka fituar zgjedhjet”, tha ai.
Gjini tha se seanca mbahet jashtë afatit kushtetues.
“Kosova sot është plotësisht jashtë normës kushtetuese. Ne e dimë që edhe pas tridhjetë ditëshit të parë pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve, kemi qenë në të njëjtën pozitë. E kemi toleruar një interpretim politik të Kushtetutës nga vetë partia fituese, duke i dhënë vetes një tridhjetë ditësh tjetër prej atij tridhjetë ditëshit që ekziston në bazë të interpretimit të Kushtetutës nga ana e Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.
Gjini tha se Aleanca do të merrte pjesë në vazhdimin e seancës konstituuese të Kuvendit nëse ajo do të thirrej deri të shtunën e kaluar.
“Aleanca ka qenë e gatshme me marrë pjesë në seancë sikur të thirrej deri të shtunën, kur edhe ka skaduar tridhjetë ditëshi i dytë. Kur e kemi kuptuar që nuk është thirrur as të shtunën, ne mendojmë që duhet me dhënë një mesazh, duhet me tregu që nuk pranojmë me u fye kështu si institucion”, u shpreh ai.
Gjini bëri të ditur se Aleanca pret që çështje e afateve për konsituimin e Kuvendit të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese. Ao tha se Aleanca do të konsultohet edhe me dy partitë tjera opozitare: Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
“Duhet të dakordohemi me ta edhe t’i referohemi Gjykatës Kushtetuese, për shkak se nuk kemi rrugë tjetër sot përpos kësaj komunikim”, tha Gjini.
Për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese nevojiten nënshkrimet e së paku 30 deputetëve, ndërsa Aleanca i ka vetëm 7 deputetë.
PDK-ja dhe LDK-ja kanë konfirmuar se deputetët e tyre do të marrin pjesë në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit, të mërkurën, ndonëse kanë thënë se, sipas agjghykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2025, afati kushtetues për konstituimin e organit më të lartë ligjvënës tashmë ka skaduar, prandaj duhet të shpallen zgjedhjet e reja.
(r.m.)