Kurti i fton në takim Hamzën dhe Abdixhikun

Prishtinë, 9 shtator 2026 – Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka ftuar në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, për të diskutuar për votimin e nënkryetarëve të Kuvendit.

Kurti tha se dakordimi me Hamzën e Abdixhikun për nënkryetarët është i rëndësishëm.

“Unë tashmë jam në kontakt, përveçse me kryetarin e LDK-së gjithashtu i kam shkruar edhe atij të PDK-së, që të takohemi dhe në këtë mënyrë të kemi dakordim edhe për përzgjedhjen e nënkryetarëve meqenëse nevojitet mbështetja e mazhorancës edhe për propozimet e tyre”, tha Kurti, pas ndërprerjes së seancës konstituive.

Ai përsëriti se një marrëveshje për formimin e institucioneve, përfshirë zgjedhjen e Presidentit, është e domosdoshme për shmangien e zgjedhjeve të reja të parakohshme.

“Le të jemi pozitivë e konstruktivë dhe në këtë mënyrë të kemi Kuvend të konstituar, shpejt qeveri të formuar dhe të kalojmë te zgjedhja e presidentit, që duhet të bëhet në mënyrë që t’i evitojmë zgjedhjet e reja’’, theksoi ai.

Seanca konstituive e Kuvendit u ndërpre përsëri të mërkurën, Këtë herë ajo u ndërpre për shkak se Lëvizja Vetëvendosje paralajmëroi se nuk do të votojë për nënkryetarë të Kuvendit kandidatët e PDK-së dhe LDK-së, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala, si edhe për shkak se nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, refuzoi të tërhiqte formulimin “në emër të popullit serb” nga propozimi i kandidatit të kësaj partie për nënkryetarë nga radhët e komunitetit serb.

Kurti, duke e komentuar formulimin e tekstit të propozimit të Listës Serbe, tha se ky formulim është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Sipas tij, propozimi me shkrim i Listës Serbe që ishte deponuar në administratën e Kuvendit të Kosovës ishte në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

‘’Për mua ishte e çuditshme pse ai nuk e lexoj saktësisht siç e ka deponuar me shkrim propozimin për Slavko Simiqin. Pra, propozimin me shkrim që e ka bërë kur ka kërkuar që nënkryetar i Kuvendit nga radhët e Listës Serbe të jetë Slavko Simiqi e ka shkruar në përputhje me Kushtetutën, por atë çfarë e deklaroi ai ishte në shpërputhje flagrante’’, u shpreh Kurti.

(r.m.)

Comment

*