Vuçiq shpalli zgjedhjet e parakohshme në Serbi për datën 25 tetor

Beograd, 9 shtator 2026 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçq, e ka shpërndarë Kuvendin dhe i ka shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare për datën 25 tetor.

“Vitet e kaluara ishin plot sfida. Serbia e kaloi një periudhë të vështirë. Rendit të vendosur pas Luftës së Dytë Botërore iu dha fund. Sot në rajone të ndryshme të botës kemi luftëra që përbëjnë kërcënim jo vetëm për sigurinë, por edhe për ekonominë e vendit tonë. Përkundër gjithë këtyre, ne ia dolëm të ruajmë paqen dhe stabilitetin. Serbia sivjet arriti të ketë ekonominë me rritjen më të shpejtë në Evropë, pavarësisht të gjitha pengesave. Këtë ia keni dalë Ju, qytetarët e Serbisë”, ka thënë Vuçiq në një deklaratë për publikun.

Sipas Vuçiqit, protestat dhe tensionet e dy viteve të fundit në Serbi “nuk ishin vetëm pasojë e konflikteve mes kundërshtarëve politikë”. Ai ka thënë se kundërshtarëve të tij politikë u ka bërë vazhdimisht thirrje për dialog, por ka theksuar se “me ata që e dehumanizojnë palën tjetër nuk është e mundur të bisedohet”.

Vuçiç ka thënë se gjatë mandatit të tij ka punuar “gjithmonë në interes të vendit” dhe se këto zgjedhje “vijnë si pasojë e tensioneve”. Sipas tij, shtyrja e mëtejshme e zgjedhjeve do të shkaktonte më shumë dëme.

“Demokracia është trajta më e mirë e sistemit politik, më e mirë se kjo nuk është shp[ikur deri sot. Ju do ta keni mundësinë të zgjidhni midis opsioneve të shumta dhe ju bëj thirrje që ditën e zgjedhjeve, si edhe gjithë fushatën, ta kalojmë në paqe dhe që të respektoni liritë qytetare. Vendimi i popullit duhet të respektohet”, ka thënë ai.

Vuçiq i ka përmendur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare gjatë protestave antiqeveritare në Serbi. Ai i ka akuzuar “faktorët e jashtëm” për protestat dhe tensionet politike në Serbi, përfshirë edhe institucionet evropiane.

Bashkimi Evropian ka qenë kritik ndaj Qeverisë së Serbisë. Në raportet e institucioneve evropiane është konstatuar përkeqësim i nivelit të demokracisë dhe i lirisë së medies në Serbi.

(r.m.)

Comment

*