Seanca konstituive e Kuvendit ndërpritet për herë të dytë, për shkak të mosmarrëveshjeve për nënkryetarët

Prishtinë, 11 shtator 2026 – Seanca për konstituimin e legjislaturës së 11-të të Kuvenditt ë Kosovës u ndërpre për herë të dytë të premten, për shkak të mosmarrëveshjeve për votimin e kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për nënkryetarë të Kuvendit. Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e caktoi vazhdimin e seancës për të dielën paradite.

Deputetët e PDK-së, të cilët e kishin braktisur seancën e paraditës, nuk morën pjesë fare në seancën e pasditës, ndërsa grupi parlamentar i LDK-së nuk pranoi të propozonte kandidatin e vet për nënkryetar, , pasi Haxhiu e kapërceu radhën e zgjedhjes së nënkryetarit nga PDK-ja dhe kërkoi që LDK-ja të propozonte kandidatin e saj.

Jehona Lushaku, duke folur në emër të grupit parlamentar të LDK-së, refuzoi ta propozojë kandidatin e LDK-së për nënkryetar derisa nuk zgjidhet nënkryetari I propozuar naa PDK-ja.

“Në bazë të praktikës parlamentare, në bazë të Kushtetutës dhe të Rregullores së Kuvendit, tri grupet më të mëdha parlamentare kanë nënkryetarët e tyre, dhe ne si seancë obligohemi t’i zgjedhim ata në radhë bazuar në fuqinë e tyre parlamentare”, tha Lushaku.

Por Haxhiu e shpërfilli vërejtjen duke u justifikuar se ndryshimi i renditjes bëhet për shkak të mungesës së deputetëve të PDK-së.

Por, Haxhiu këmbënguli që seanca të vazhdohet me propozimin e LDK-së, me arsyetim se PDK-ja, me mungesën e saj në seancë, heq dorë nga e drejta kushtetuese për propozimin e një nënkryetari të Kuvendit.

“Pra, nuk ka asnjë pengesë për sa kohë nuk e kemi këtu grupin parlamentar të PDK-së”, tha ajo.

Haxhiu u përpoq ta hidhte në votim kandidatin Kujtim Shala, i cili ishte propozuar nga para dy ditësh nga LDK-ja, dhe u kërkoi deputetëve të bëheshin gati për votim, por deputetët e LDK-së ta braktisin sallën në shenjë mospajtimi.

Seanca e paraditës u ndërpre pasi deputetët e PDK-së e braktisën seancën, për shkak se kandidatja e PDK-së për nënkryetare, Vlora Çitaku, nuk u votua nga deputetët e LVV-së.

Mospajtimet lidhur me mënyrën e votimit të kandidatëvë për nënkryetarë u shfaqën që në fillim të seancës së paraditës. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi se në takimin që kishte zhvilluar me përfaqësuesit e të gjitha grupeve parlamentare nuk ishte arritur pajtim për votim në pako për të pesë nënkryetarët.

“Kisha konsultim të shkurtër me përfaqësuesit e grupeve parlamentare. Duke qenë se nuk ka një dakordim për votim në pako, atëherë forma e vetme është që të votohen veç e veç. Për votim veç e veç ishin dakord të gjitha grupet parlamentare. Prandaj duhet të vazhdojmë me votimin veç e veç” për nënkryetarët, tha Haxhiu.

Arbërie Nagavci nga LVV-ja kërkoi që votimi për nënkryetarë të bëhet veç e veç, pasi nuk kishte pajtim për votim në pako.

Përparim Gruda nga PDK-ja kërkoi që të të bëhej votimi në pako, siç ishte praktikë tashmë, por nuk e përjashtoi as votimin veç e veç për secilin kandidat. Por, ai paralajmëroi se PDK-ja nuk do të votojë nëse votimi për kryetarët shndërrohet, siç u shpreh, “në mjet bllokade”.

Jehona Lushaku nga LDK-ja tha se grupi parlamentar i kësaj partie nuk e kundërshton votimin individual.

“Meqë nuk ka konsensus, ne jemi në përkrahje të votimit individual”, tha ajo.

Igor Simiq nga Lista Serbe tha se deputetët e kësaj partie do të votojnë në cilëndo formë, duke theksuar se pret votimin e kandidatit të tyre.

“Ne jemi për t’u votuar individualisht apo në pako. Ne presim që kandidati ynë të marrë votat e nevojshme dhe të vazhdojmë me punën sepse kemi përgjegjësi para qytetarëve”, tha ai.

Kryetarja e Kuvendit e hodhi në votim mënyrën e votimit dhe 71 deputetë votuan që për pesë nënkryetarët të votohet në mënyrë individuale. Prandaj, filloi votimi veç e veç për kandidatët.

Ardian Gola, kandidat i LVV-së i mori 100 vota dhe u zgjodh nënkryetar i Kuvendit, por kandiatja e PDK-së, Vlora Çitaku, i mori vetëm 44 vota, sepse deputetët e LVV-së abstenuan nga votimi.

Haxhiu, kërkoi që PDK-ja të proponte sërish të njëjtën kandidate apo një kandidat tjetër për nënkryetar. Por, deputetët e PDK-së refuzuan të propozojnë as të njëjtën kandidate dhe as një kandidat tjetër dhe e braktisën seancën në shenjë proteste.

Para se të hidhej në votim emri i Golës, Lëvizja Vetëvendosje tha se do të mbështeste kandidatët e propozuar nga PDK-ja dhe LDK-ja, por është çështje e deputetëve se si do të votojnë.

PDK-ja dhe LDK-ja kërkuan garanci që LVV-ja ka vullnet për konstituimin e Kuvendit që do të thotë se do t’i votojnë kandidatët e propozuar të këtyre partive.

Mospajtimet për kandidatët e PDK-së, LDK-së dhe Listës Serbe ishin shfaqur në seancën e kaluar. Kryeparlamentraja Haxhiu dhe shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, bënë të ditur se deputetët e LVV-së nuk do të votojnë për kandidatët e PDK-së dhe LDK-së për nënkryetarë – Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën, të cilët konsiderohen eksponentë të bllokimit të marrëveshjes së arritur mes LVV-së e LDK-së për zgjedhjen e President it të Kosovës.

Ndërkaq kandidati i Listës Serbe, Sllavko Simiq, u kontestua për shkak të mënyrës së propozimit, pasi deputeti Igor Simiq, me rastin e propozimit, e kishte përdorur togfjalëshin “në emër të popullit serb”, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me Rregulloren e punës së Kuvendit. 

“Ky deklarim është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Popull serb ka në Serbi, ndërsa Republika e Kosovës e ka popullin e Kosovës, ku 92 për qind janë shqiptarë, 4 për qind janë serbë dhe 4 për qind nga komunitetet tjera”, ka thënë Haxhiu në seancën e kaluar.

(r.m.)