Mbrojtësit kërkojnë lirim nga akuzat të të gjithë të akuzuarve për pengim të drejtësisë

Hagë, 11 shtator 2026 – Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka vazhduar paraqitja e fjalëve përfundimtare të palëve në procesin kundër Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të akuzuar nga Dhoma e Prokurorisë së Specializuar për veprën penale kundër administrimit të drejtësisë.

Thaçi përballet me tri akuza për tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe tetë akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës. Smakaj, Kilaj dhe Fazliu përballen, secili, me nga një akuzë për tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe një akuzë për mosbindje ndaj gjykatës. Ndërsa, Kuçi përballet dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Sipas aktakuzës, Thaçi dhe katër të bashkakuzuarit e tjerë për muaj të tërë kanë tentuar të ndikonin te dëshmitarët në rastin “Thaçi e të tjerët”, në të cilin janë përfshirë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të gjithë të akuzuar nga Dhoma e Prokurorisë së Specializuar për veprat penale “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”.

Avokati i Bashkim Smakajt, Elystan Rees, në fjalën përfundimtare, ka thënë se provat e Prokurorisë janë ngritur mbi spekulime, prandaj të gjithë të akuzuarit në këtë rast duhet të shpallen të  pafajshëm.

“Ne parashtrojmë që duhet ta shpallni të pafajshëm z. Smakajn dhe të gjithë të akuzuarit e tjerë, qoftë veçmas ose në mënyrë të përbashkët në bazë të shpjegimeve që dhashë tani”, ka thënë avokati Rees.

Sidoqoftë, Rees i ka atakuar propozimin e Prokurorisë për shkallën e dënimeve për secilin nga të akuzuarit. Ai ka kërkuar që në rast se Smakaj dënohet, burgimi të mos jetë më i lartë se 12 muaj, duke e llogaritur edhe kohën në paraburgim.

“Çdo dënim tjetër do të ishte një pabarazi e hapur, e padrejtë sa u takon vetë dënimeve të kërkuara për të pandehurin tjetër, për të cilin thuhet se ka rrethana renduese, ka një numër karakteristikash që kanë renduar procesin dhe që nuk ekzistojnë në rastin e klientit tim”, ka thënë ai.

Edhe avokati i Isni Kilajt, Ian Edwards, e ka atakuar propozimin e Prokurorisë për shkallën e dënimit për të gjithë të akuzuarit në kë rast.

“Unë i mbështes parashtrimet e z. Rees sa i përket pabarazisë dhe unë dua t’ju them që për të njëjtat arsye, vendos me hezitim që t’i parashtroj të njëjtat gjëra”, ka thënë ai.

Edwards e ka pranuar se materialet që janë gjetur te Kilaj kishin informacion konfidencial, por ka theksuar se ky fakt nuk përbën vepër penale.

“E pranojmë që ky ishte informacion që ai nuk duhet ta kishte. Ishte informacion konfidencial. Por, fakti se e kishte në përdorim këtë material, në vetvete, nuk përbën vepër penale”, ka thënë ai.

Ndërsa avokati i Fadil Fazliut, David Yong, ka thënë në këtë rast nuk mund të bëhet fjalë për grup që ka bashkëvepruar për ushtrim të ndikimit te dëshmitarët e rastit “Thaçi dhe të tjerët”. Ai ka thënë se Thaçi nuk ishte në dijeni për takimin e Fazliut me dëshmitarin Rrustem Mustafa.

“Thaçi nuk kishte nga ta dinte se z. Fazliu ishte takuar me Rrustem Mustafën.  Nuk ka as grup të përbashkët e as veprim të përbashkët”, ka thënë ai.

Ndёrkaq avokati i Hajredin Kuçit, Alexander Admiral, e ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj Kuçit. Ai ka thënë se Prokuroria ishte mbështetur nё transkripte tё përkthyera gabimisht dhe korrigjimi i tyre e liron Kuçin nga pёrgjegjёsia për mosbindje ndaj gjykatës.

“Është hequr pretendimi se z. Kuçi ka shërbyer si lajmës. Gjithashtu nuk është më e vlefshme baza mbi të cilën është mbështetur Prokuroria për të thënë se ka pasur një plan më të gjerë për të ndërhyrë ndaj dëshmitarëve. Ky nuk është një ndryshim i vogël. Ndryshon kuptimin dhe peshën e mesazhit”, ka thënë ai.

Admiral ka thënë se Kuçi nuk ka ndikuar te asnjë dëshmitar dhe ka theksuar se komunikimet e Kuçit me Rrustem Mustafёn nuk pёrbёjnё vepër penale.

Në deklaratën e saj përfundimtare, Prokuroria ka kërkuar 6 vjet burgim për Thaçin, nga tre për Kilajn, Smakajn dhe Fazliun si dhe 9 muaj burgim për Kuçin.

Paraqitja e fjalëve përfundimtare të mbrojtësve të të akuzuarve përfundon të hënën. Kryetari I trupit gjykues ka të drejtë të shtrojë pyetje për të dyja palët – për prokurorinë dhe për mbrojtësit e të akuzuarve,

Ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Të enjten, në fjalën përfundimtare të saj, Prokuroria ka kërkuar aktgjykime dënuese për të gjithë të akuzuarit. Ajo ka propozuar që Hashim Thaçi të dënohet me 6 vjet burgim, Fadil Fazliu, Isni Kilaj dhe Bashkim Smakaj të dënohen me nga 3 vjet burgim secili, ndërsa për Hajredin Kuçin ka propozuar dënim me 9 muaj burgim.

(r.m.)