Prishtinë, 12 shtator 2026 – Rreth 100 mijë qytetarë nga Kosova dhe nga viset tjera shqiptare u bashkuan të shtunën në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë prej nga kërkuan lirimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit nga akuzat në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë.
Aktgjykimi i Gjykatës Speciale ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të akuzuar për veprat penale “krime lufte” dhe “krime kundër mjerëzimit” është paralajmëruar të shpallet të mërkurën, më 16 shtator.
Në tubimin e solidaritetit me çlirimtarët, trupit gjykues të Gkykatës Speciale iu bë thirrje që Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi të shpallen të pafajshëm dhe të lirohen nga të gjitha akuzat. Oratorët që folën në emër të familjarëve, bashkëluftëtarëve dhe të organizatave të dala nga lufta çlirimtare e Kosovës theksuan se kjo luftë ishte e drejtë dhe e pastër, ndërsa udhëheqësit e UÇK-së janë heronjtë e Kosovës.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, tha se veteranët dhe familjet e tyre kërkojnë që procesi ndaj ish=krerëve të UÇK-së të jetë process i drejtë dhe i paanshëm, i pandikuar nga politika ditore apo nga faktorët dashakeqës të Kosovës. Ai theksoi se një proces i padrejtë gjyqësor ndaj çlirimtarëve do t’i shërbente vetëm Serbisë dhe Rusisë.
“Liria e Kosovës u fitua me mund e sakrificë. Asnjë sallë e gjyqit nuk mund ta fshijë këtë të vërtetë”, tha ai.
Gucati theksoi se asnjë përpjekje e faktorëve dashakeqës të Kosovës nuk mund ta njollosë luftën çlirimtare të Kosovës as ta rishkruajë historinë.
“Ne e kërkojmë një proces të drejtë dhe të paanshëm, me respekt të plotë për të drejtat e secilit të akuzua”, theksoi Gucati.
Buna Mustafa, vajza e Sali Mustafës të dënuar nga Gjykata Speciale, tha asnjë gjykatë nuk mund të barazojë çlirimtarët me autorët e krimeve monstruoze të kryera në Kosovë.
“Nuk mund të barazojë kurrë ata që sollën lirinë me ata që kryen gjenocid. Para drejtësisë së vërtetë do të jemi gjithmonë të pastër dhe shpirti i bardhë i ushtarëve tanë do të mbetet përgjithmonë i padiskutueshëm”, tha ajo.
Lirjona Sylejmani, vajza e dëshmorit të kombit Bajram Sylejmani, tha se akronimi UÇK është simboli i historisë së lavdishme të luftës së popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.
“Kur përmendet UÇK-ja shoh një popull që në ditët më të vështira të historisë vendosi që më mirë të vdiste në këmbë sesa të jetonte i gjunjëzuar. Kjo ishte UÇK-ja. Nuk ishte pronë e një njeriu, as e një familjeje dhe as e një treve. Ishte përgjigje e një populli që me shekuj luftoi për liri”, tha ajo.
“Kur unë dëgjoj fjalën UÇK, nuk i shoh vetëm tri shkronja. I shoh babin e axhin, shokët e shoqet e tyre që nuk u kthyen kurrë, i shoh edhe luftëtarët e luftëtaret që u kthyen me plagë në trup e në zemër. I shoh nënat që i pritën e nuk i panë më bijtë e bijat e tyre. I shoh fëmijët që u rritën me fotografitë e prindërve të tyre, I shoh nënat tona që, krahas mallit e dhimbjes, u detyruan t’i marrin dy role për të na rritur dhe edukuar”, tha vajza e dëshmorit Bajram Sulejmani.
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, tha se luftëtarët e UÇK-së dhe ish-krerët e saj nuk duhet të gjykohen e persekutohen, sepse ata kanë luftuar kundër forcave që kanë kryer krime e masakra monstruoze ndaj popullatës shqiptare në Kosovë.
“A e dini kundër kujt ka luftuar UÇK-ja? A e dini kundër kujt kanë luftuar katër burra që sot s’janë të lirë? … Kanë luftu kundër atyre që i kanë mbushur kamionët frigorifer me trupa të bashkëqytetarëve tanë shqiptarëve, djemsh e vajzash të reja, pleqsh e grash. Kanë luftuar kundër atyre që kanë dhunuar mijëra gra në Kosovë. Kanë luftuar kundër atyre që më 1998 i kanë vrarë edhe fëmijët e vet për të na akuzuar neve…”, tha Gjini.
Ai tha se nuk mund të shpallen fajtorë ata që kanë luftuar kundër autorëve të krimeve të panumërta të kryera në Kosovë, si edhe në Bronjë e Hercegovinë e në Kroaci.
“Qysh mund të ketë faj një popull, qysh mund të kenë faj njerëzit që e kanë kapur pushkën për të luftuar për liri, për të luftuar kundër atyre që kanë qenë katilët më të mëdhenj në 80 vjetët e fundit në Evropë?”, tha ai.
Gjini theksoi se luftëtarëve të lirisë duhet t’u shprehet mirënjohje.
“Kushdo që një ditë të lume e ka kapur pushkën për të luftuar për vendin e vet meriton të nderohet dhe t’u thuhet qysh u thojnë miqtë tanë: ‘Faleminderit për shërbimin” dhe jo të persekutohen”, tha ai.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, përcolli te trupi gjykues i Gjykatës Speciale mesazhin se padrejtësia është e papranueshme.
“Atyre që marrin vendimin në Hagë u themi: mendoni për pasojat para se të merrni vendimin. Vendimi i padrejtë është mbi të gjitha dënim për Kosovën, dhe padrejtësinë nuk e pranojmë”, tha ai.
“Ata janë ngritur për Kosovën, për ta mbrojtur, dhe sot e kurdo që duhet, Kosova ngrihet për t’i mbrojtur ata. Nuk lejojmë që historia e Kosovës të rishkruhet”.
“Marshi I Lirisë” u organizua nga Platforma “Liria ka Emër”, e cila ka organizuar dhejtra tubime mbështetje për krerët e UÇK-së që po gjykohen në Gjykatën Speciale në Hagë. Organizatorët kanë paralajmëruar edhe një tubim në Hagë një ditë para shpalljes së aktgjykimit për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin.
(r.m.)