Haxhiu e mandaton Kurtin për formimin e Qeverisë. Seanca e Kuvendit mbahet sot

Prishtinë, 13 shtator 2026 – Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e ka mandatuar Albin Kurtin për formimin e Qeverisë së re, menjëherë pasi Lëvizja Vetëvendosje e propozoi edhe formalisht Kurtin për kryeministër.

“Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe pas propozimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kam caktuar z. Albin Kurti mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, njoftoi Haxhiu.

“Z. Kurtit i uroj sukses në ushtrimin e përgjegjësive që burojnë nga besimi i qytetarëve, si dhe në formimin sa më të shpejtë të Qeverisë, në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, theksoi ajo.

Pak pas dorëzimit të dekretimit të Kurtit për mandatar, Haxhiu e thirri Kuvendin në seancë për zgjedhjen e Qeverisë së re. Në këtë seancë pritet që Kurti ta paraqesë për miratim përbërjen e qeverisë së re dhe programin e saj qeverisës.

Zgjedhja e qeverisë bëhet me votat e së paku 61 deputetëve apo shumicës së thjeshtë të Kuvendit. LVV-ja ka thënë se ajo, bashkë me partnerët e qeverisë së kaluar, i ka 62 vota në Kuvend. 53 janë deputetë të LVV-së, ndërsa 9 nga minoritetet. Por, së paku 2 nga këta 9 deputetë kanë shprehur rezerva dhe kanë shtruar kushte për votimin e kabidentit të ri qeverisës.

Deputetë të PDK-së dhe ata të Aleancës kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë në seancën për formimin e Qeverisë. Këto dy parti e konsiderojnë kundërkushtetues konstituimin e legjislaturës së njëmbëshjetë të Kuvendit të Kosovës dhe vendimet që merren nga kjo legjislaturë.

(r.m.)