Kongresistit Self: Haga të mos vendos me paragjykime për Hashim Thaçin dhe tjerët

Uashington, 15 shtator 2026 – Kongresmeni amerikan Keith Self ka shprehur shqetësim lidhur me mundësinë që, sipas tij, konsideratat politike të ndikojnë në vendimet e institucioneve të drejtësisë në Hagë.

Reagimi i tij vjen në prag të shpalljes së vendimit në rastin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.

Përmes një postimi në platformën X, Self ka thënë se në rastet që lidhen me Hagën është shfaqur një shqetësim i përsëritur për ndikimin e pretenduar të paragjykimeve politike në proceset vendimmarrëse.

“Një temë e vazhdueshme që po del nga Haga duket se është lejimi i paragjykimeve politike për të ndikuar në vendimet e tyre”, ka shkruar Self.

Ai ka shprehur shpresën që një ndikim i tillë të mos jetë i pranishëm në vendimin që pritet të shpallet këtë javë ndaj Thaçit dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.

“Shpresoj që një paragjykim i tillë të mos shfaqet këtë javë kur të jepet një vendim në gjyqin e Hashim Thaçit dhe tre civilëve shqiptarë që luftuan për pavarësi nga vitet e shtypjes serbe”, ka deklaruar kongresmeni amerikan.

Self e ka lidhur çështjen edhe me situatën politike dhe të sigurisë në Ballkan, duke paralajmëruar për rrezikun që tensionet dhe përçarjet të ndikojnë në stabilitetin e rajonit.

“Ballkani është një kuti baruti në një rajon ku regjimet shtypëse nuk do të donin asgjë më shumë sesa të nxisin flakët e përçarjes sesa të punojnë drejt pajtimit”, ka shkruar ai.

Reagimi i kongresmenit amerikan vjen në një periudhë kur vëmendja është përqendruar te Gjykata Speciale në Hagë dhe vendimi në rastin ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

(Telegrafi)

Comment

*