Hagë, 16 shtator 2026 – Shkallla e parë e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë shpalli sot aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) – Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi u shpallën fajtorë për vepra penale “krime të luftës”, të kryera gjatë luftës në Kosovë, në periudhën 1998 – 1999, ndërsa u shpallën të pafajshëm për veprën penale “krime kundër njerëzimit”.
Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, për katër vepra penale të korpusit “krime lufte”.
Jakup Krasniqi u dënua me 25 vjet burgim, për katër vepra penale të korpusit “krime lufte”.
Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim, për katër vepra penale të korpusit “krime lufte”.
Rexhep Selimi u dënua me 13 vjet burgim, për katër vepra penale.
Kryesuesi i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith, me rastin e shpalljes së aktgjykimit, theksoi se trupi gjykues mori vendime në bazë të parimit të përgjegjësisë individuale të secilit nga të akuzuarit, për vepra kriminale të veçanta.
Në fjalën përfundimtare të procesit gjyqësor, Dhoma e Specializuar e Prokurorisë kishte kërkuar që Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi të dënohen me nga 45 vjet burg, secili.
Ndërkaq, mbrojtësit e të akuzuarve kishin kërkuar lirimin e tyre nga të gjitha akuzat, me arsyetim se akuzat nuk bazohen në prova dhe fakte, por në kallëzime dhe dëshmi të pabaza dhe në dëshmitarë jokredibilë.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi u arrestuan më 4 dhe 5 nëntor 2020 dhe u transferuan në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Procesi gjyqësor ndaj tyre nisi në vitin 2023.
Deri në ditën që u arrestuan, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi kanë mbajtur pozita të rëndësishme në institucionet shtetërore e politike të Kosovës. Thaçi ishte President I Republikës së Kosovës, Krasniqi ishte kryetar i Kuvenditt ë Kosovës, Jakup Krasniqi ishte deputet dhe ish-kryetar i Kuvenditt ë Kosovës, kurse Selimi ishte deputet i Kuvendit të Kosovës.
(r.m.)