Haxhiu: Asnjë aktgjykim nuk mund ta ndryshojë natyrën e luftës çlirimtare të Kosovës

Prishtinë, 16 shtator 2026 – Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si “lajm thellësisht tronditës për Republikën e Kosovës dhe një çast i rëndë për kombin shqiptar kudo që jeton”,

Në një deklaratë të saj, pas shpalljes së atgjykimit të Gjykatës Speciale, Haxhiu ka thënë se asnjë aktgjykim nuk mund ta ndryshojë natyrën e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës dhe as ta mohojë të drejtën e një populli për të luftuar për lirinë e tij.

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte çlirimtare. Ajo lindi përballë shtypjes, dhunës dhe krimeve të regjimit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Asnjë aktgjykim nuk mund ta ndryshojë natyrën e asaj lufte dhe as të zhbëjë të drejtën e një populli për të luftuar për lirinë e vet”, ka thënë Haxhiu.

“Respekti për drejtësinë nuk nënkupton heshtje përballë çdo përpjekjeje për ta shtrembëruar historinë. Nuk duhet lejuar që dënimet e sotme të përdoren për të relativizuar krimet e regjimit të Serbisë, për ta zvogëluar përgjegjësinë për to apo për të krijuar një narrativë të rreme. Këtë qartësi e presim edhe nga miqtë dhe aleatët tanë”, ka shtuar ajo.

Ushtruesja e detyrës së Presidentes u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të reagojnë me “qetësi, dinjitet dhe bashkim” ndaj goditjes që mori sot nga Gykata Speciale,

“Sot na duhet qetësi, dinjitet dhe bashkim. Dhimbja e kësaj dite nuk duhet të na ndajë. Republika e Kosovës do ta përballojë edhe këtë sprovë duke i qëndruar besnike drejtësisë, lirisë dhe së vërtetës së saj. Sepse aktgjykimet nuk mund ta gjykojnë historinë e një populli as nuk mund ta rishkruajnë atë”, ka theksuar Haxhiu.

Deklarata e plotë e Haxhiut:

Aktgjykimi i sotëm dhe dënimet e shqiptuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit janë një goditje e rëndë për familjet e tyre, një lajm thellësisht tronditës për Republikën e Kosovës dhe një çast i rëndë për kombin shqiptar kudo që jeton.

Në një ditë si kjo, pesha e këtij vendimi nuk mund të ndahet nga historia prej së cilës kemi ardhur. Kosova e ka përjetuar mbi vete dhunën e një aparati shtetëror që vrau civilë, kreu masakra, dëboi qindra mijëra shqiptarë nga shtëpitë e tyre dhe la pas mijëra të vrarë e të zhdukur. Kjo përvojë është pjesë e pashlyeshme e kujtesës së Kosovës dhe të kombit shqiptar.

Mendimet e mia janë, para së gjithash, me familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Prej vitesh ato mbajnë barrën e mungesës, pritjes dhe pasigurisë. Dënimet e sotme e bëjnë këtë barrë edhe më të rëndë.

Atyre ua përcjell nga Kosova një porosi, qëndroni të fortë, Kosova është me ju. Fjala e fundit juridike nuk është thënë. E drejta e ankimit është pjesë e procesit dhe duhet të ushtrohet plotësisht.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte çlirimtare. Ajo lindi përballë shtypjes, dhunës dhe krimeve të regjimit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Asnjë aktgjykim nuk mund ta ndryshojë natyrën e asaj lufte dhe as të zhbëjë të drejtën e një populli për të luftuar për lirinë e vet.

Respekti për drejtësinë nuk nënkupton heshtje përballë çdo përpjekjeje për ta shtrembëruar historinë. Nuk duhet lejuar që dënimet e sotme të përdoren për të relativizuar krimet e regjimit të Serbisë, për ta zvogëluar përgjegjësinë për to apo për të krijuar një narrativë të rreme.

Këtë qartësi e presim edhe nga miqtë dhe aleatët tanë.

Sot na duhet qetësi, dinjitet dhe bashkim. Dhimbja e kësaj dite nuk duhet të na ndajë.

Republika e Kosovës do ta përballojë edhe këtë sprovë duke i qëndruar besnike drejtësisë, lirisë dhe së vërtetës së saj. Sepse aktgjykimet nuk mund ta gjykojnë historinë e një populli as nuk mund ta rishkruajnë atë.

(r.m.)

Comment

*