Natasha Kandiq e konsideron të justifikueshme pakënaqësinë në Kosovë me verdiktin e Speciales

Beograd, 16 shtator 2026 – Natasha Kandiq, nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd, ka shprehur opinionin e saj për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale.

Kandiq, në reagimin e saj në platformën X, ka shkruar se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi u dënuan në bazë të “kontributit të qenësishëm në zbatimin e qëllimit kriminal të përbashkët” dhe i ka përmendur pikat e aktakuzës për të cilat ata u shpallën fajtorë.

Kandiq ka shprehur opinion e saj edhe lidhur me pakënaqësinë që shkaktoi në Kosovë aktgjykimi dënues i Gjykatës Speciale. Ajo ka thënë se kjo pakënaqësi buron nga fakti se gjykatat në Serbi nuk e kanë ndjekur penalisht pothuajse asnjë komandant të lartë të Ushtrisë Jugosllave apo Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për operacionet në të cilat janë vrarë mijëra civilë shqiptarë në Kosovë.

“Njëzet e shtatë vjet më vonë, asnjë komandant i lartë i UJ-së apo MPB-së nuk është ndjekur penalisht në Serbi për operacionet në të cilat janë vrarë mijëra civilë, pavarësisht konstatimit të mijëra fakteve në aktgjykimet e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë lidhur me veprimet e njësive të UJ-së dhe MPB-së si edhe lidhur me lidhjet e tyre me strukturat komanduese të drejtuara nga gjeneralë të cilët përfundimisht janë dënuar”, ka shkruar ajo.

Kandiq ka thënë se kjo tregon se Serbia vazhdon të mbajë anën e personave të dënuar dhe t’i mbrojë oficerët e UJ-së dhe MUP-it të lidhur me strukturat përgjegjëse për krimet më të rënda ndaj shqiptarëve të Kosovës.

“Një mosveprim i tillë institucional tregon se Serbia vazhdon të mbajë anën e personave të dënuar dhe të mbrojë oficerët e UJ-së dhe MUP-it të lidhur me strukturat përgjegjëse për krimet më të rënda ndaj shqiptarëve të Kosovës, në vend që të qëndrojë me viktimat dhe të ndjekë përgjegjësinë individuale penale”, ka shkruar ajo.

Natasha Kandiq ka treguar se sipas të dhënave të mbledhura nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi dhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, forcat serbe i kanë vrarë në Kosovë 6,872 civilë shqiptarë, në periudhën midis 20 marsit dhe 14 qershorit të viti 1999.

(r.m.)

Comment

*