Për ju Avokati Kieran Both

Termi “barrë publike” është një vendim që qeveria federale mund të marrë kur një person po aplikon për kartën jeshile (green card) dhe/ose viza të caktuara. Si pjesë e këtij vendimi, qeveria federale shqyrton nëse emigranti ka marrë disa përfitime të caktuara publike. Më tej, qeveria federale merr parasysh faktorë të tjerë si mosha, shëndeti, statusi familjar, të ardhurat e ekonomisë familjare, statusi financiar, si dhe arsimimi dhe aftësitë e aplikuesit. Me termin “barrë publike” kuptohet përgjithësisht dikush që varet kryesisht nga qeveria federale për nevojat bazë. Nëse qeveria federale përcakton se ju jeni një “barrë publike”, ajo mund të refuzojë kartën tuaj jeshile/vizën. Akti i Imigracionit dhe Kombësisë (INA) parashikon gjithashtu se zyrtarët e USCIS mund të marrin parasysh Formularin I-864, Deklaratën e Mbështetjes sipas Seksionit 213A të INA, i cili plotësohet nga një individ që bie dakord të përdorë burimet e tij financiare për të mbështetur të huajin.
Nëse jeni duke përfituar nga asistenca ose shërbime publike, duhet të flisni me një avokat me përvojë në çështjet e imigracionit në lidhje the situatën tuaj.
Aktualisht, qeveria federale merr parasysh vetëm marrjen e disa llojeve të caktuara të ndihmës financiare, duke përfshirë Të Ardhurat Suplementare të Sigurimit (SSI) dhe Ndihmën Përkohëse për Familjet në Nevojë (TANF), si dhe institucionalizimin e financuar nga qeveria për kujdesin afatgjatë, siç është një shtëpi kujdesi për të moshuarit, për të vendosur nëse jeni një “barrë publike”.
Rregullorja e re nuk ka hyrë në fuqi. Nëse ndryshimet hyjnë në fuqi, qeveria federale do të jetë në gjendje të marrë parasysh përdorimin e çdo përfitimi publik federal, shtetëror ose vendor të bazuar në të ardhura (“means-tested”) gjatë shqyrtimit të aplikimit tuaj për kartë jeshile/vizë. Qeveria federale përgjithësisht i kupton përfitimet publike të bazuara në të ardhura si programe ose përfitime ku pranueshmëria juaj bazohet në të ardhurat tuaja individuale ose familjare. Qeveria federale mund të vazhdojë të marrë parasysh faktorë si mosha, shëndeti, statusi familjar, të ardhurat e ekonomisë familjare, statusi financiar, si dhe arsimimi dhe aftësitë tuaja, në një analizë të ngarkesës publike.
Qeveria federale mund të marrë parasysh përdorimin e përfitimeve në para ose institucionalizimin afatgjatë me shpenzimet e qeverisë në analizën e saj të barrës publike, pavarësisht se kur e keni marrë përfitimin/ndihmën. Rregullorja e re nuk do ta lejojë qeverinë të marrë parasysh përdorimin e mëparshëm të shumicës së përfitimeve të tjera publike të marra para se rregullorja të hynte në fuqi. Nëse aktualisht jeni duke marrë një “përfitim publik të bazuar në të ardhura”, qeveria federale mund t’i marrë parasysh këto përfitime si pjesë të analizës së saj të ngarkesës publike vetëm nëse vazhdoni t’i merrni ato pasi rregullorja të hyjë në fuqi. Kjo datë mund të jetë që më 18 shtator 2026, por mund të i nënshtrohet ndryshimeve.
Nëse një zyrtar i USCIS konstaton se një emigrant që aplikon për rregullimin e statusit në atë të një rezidenti të përhershëm të ligjshëm në Shtetet e Bashkuara nuk pranohet vetëm sepse ka të ngjarë që në çdo kohë të bëhet barrë publike, zyrtari i USCIS mund ta ftojë personin të paguajë një garanci financiare (bond) për barrë publike. Një garanci për barrë publike është një garanci financiare ku individë ose kompani paguajnë një garanci në para ose vendosin një garanci sigurimi (surety bond) pranë USCIS si siguri që personi nuk do të bëhet barrë publike. Nëse personi vendos një garanci në përputhje me udhëzimet e formularit dhe njoftimin e lëshuar nga zyrtari i USCIS, zyrtari i USCIS mund të miratojë aplikimin e personit për rregullimin e statusit, gjë që e bën atë rezident të përhershëm të ligjshëm dhe e lejon atë të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara. Për të përcaktuar shumën e garancisë për barrën publike, zyrtari i USCIS do të marrë parasysh se sa ndihmë qeveritare mund të ketë të drejtë të marrë personi dhe mund t’i marrë gjatë pesë viteve të ardhshme. Nëse USCIS fton një të huaj të vendosë një garanci për ngarkesë publike, personi mund të dorëzojë një garanci në para ose një garanci sigurimi (të lëshuar përmes një kompanie sigurimi të çertifikuar nga Thesari i SHBA-së) duke dorëzuar Formularin I-945, Garancia e Barrës Publike (Public Charge Bond).
Rregullorja e barrës publike zbatohet për: Personat që aplikojnë për karta jeshile dhe/ose viza të caktuara, duke përfshirë por pa u kufizuar në: Bazuar në Familje (të afërm të caktuar të qytetarëve amerikanë, të afërm të caktuar të Rezidentëve të Ligjshëm Përkohshëm (LPR)); Bazuar në Punësim (punonjës me prioritet, punonjës të kualifikuar, profesionistë, punonjës të tjerë); Emigrantë me viza diversiteti, dhe viza S (dëshmitarë/informatorë).
Rregullorja e barrës publike nuk zbatohet për: Personat që kanë tashmë një kartë jeshile dhe po e rinovojnë atë; Personat që aplikojnë për shtetësi amerikane; Qytetarët amerikanë, përfshirë fëmijët e qytetarëve amerikanë të emigrantëve; Personat që aplikojnë për një kartë jeshile përmes mbrojtjeve të caktuara humanitare, si azili, statusi i refugjatit, vizat T (viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore), vizat U (viktimat e krimeve të caktuara), aplikantët e vetë-peticionit të Aktit Kundër Dhunës ndaj Grave (VAWA), anëtarët e Forcave të Armatosura të SHBA-së dhe personat në ngarkim të tyre, si dhe të miturit me Status të Veçantë Emigranti Juvenil.
Qeveria federale planifikon të publikojë udhëzime shtesë se si do ta zbatojë këtë rregullore. Ndryshimet në rregulloren e barrs publike u publikuan më 20 korrik 2026. Aktualisht, data më e hershme kur ndryshimet e propozuara mund të hyjnë në fuqi është 18 shtator 2026.
Çdo rast paraqet fakte dhe rrethane unike, dhe ky artikull vlen thjesht si udhëzues i përgjithshëm. Ky artikull nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: info@bothlaw.com