“Sounds of Albania”, nga Kuarteti Mbretëreshë Teuta, kumbon fort për mëmëdhenë

Rafaela Prifti

Te koncerti i Kuartetit Mbretëreshë Teuta “Sounds of Albania” në Tribeca Performing Arts Center u rikrijuan dimensione të reja artistike të repertorit të muzikës shqiptare. Zemra artistike e koncertit është aranzhimi mjeshtëror dhe interpretimi superior i programit. Orkestrimi i pjesëve nga Drejtuesi Edmond (Edi) Xhani ruan identitetin melodik, forcën emocionale dhe kujtesën kolektive të këngës, ndërsa e vendos atë në një strukturë të re muzikore. Meloditë e njohura që nga serenadat e Korçës, te mozaiku i Kosovës, Shqipërisë së Mesme tek përmbledhja arbëreshe fitojnë ngjyrime, hapësira dhe mundësi të reja shprehëse.

Kur brenda një kolazhi, për shembull, kalohet nga “Tundu moj Bejkë e Bardhë, Tundu” tek “Në një arë, në një lëndinë” e me radhë, këto krijime tradicionale janë rikrijuar përmes harmonisë, ritmit, kundërvënies dhe ndërveprimit instrumental. Një talent si Edi Xhani nuk e mbulon melodinë me teknikë, por e ndihmon atë të zbulojë tipare të reja. E gjithë mbrëmja krijon një komunikim melodik me publikun shqiptar dhe atë ndërkombëtar si një formë e gjallë e diplomacisë kulturore.

Veçantia e Kuartetit Mbretëreshë Teuta (Queen Teuta Quartet) qëndron edhe në bashkëjetesën e dy përvojave muzikore. Nga njëra anë është lidhja emocionale dhe kulturore me repertorin shqiptar; nga ana tjetër, kërkesa për një interpretim të ndërtuar sipas standardeve të skenës bashkëkohore ndërkombëtare prej muzikantëve mbresëlënës Margret (Greta) Radovani – violinë dhe vokal, Megan Gould – violinë dhe kompozicion, Entela Barçi – viola, Eleanor Norton – violinçel, Shane Shanahan – bateri, Etnika Beqrama – flaut, dhe Ismail Lumanovski – klarinet.

Shqiptarët kanë fituar një dukshmëri të jashtëzakonshme ndërkombëtare në muzikë. Krahas yjeve të njohur, meriton të marrë vendin e saj edhe pasuria e muzikës sonë folklorike, tradicionale dhe qytetare. Në këtë prizëm, Sounds of Albania është shembull i qartë se muzika shqiptare, në tërësinë e saj, mund të interpretohet, përpunohet dhe dëgjohet në një kontekst të ri. Dhe fare mirë mund të bëhet pjesë e repertorit ndërkombëtar jo si një kuriozitet ekzotik, por si material artistik me vlera të mirëfillta melodike, harmonike dhe shprehëse.

Në dhjetor 2025, koncerti i parë i kuartetit Sounds of Albania në Kaufman Music Center ishte projekt i ideuar dhe realizuar nga Ilir Rizaj, fotograf arkitekture dhe njëherit adhurues e dashamirës i muzikës. Mbrëmë, pas nëntë muajve, Mbretëresha Teutë kumboi fort për mëmëdheun, përmes muzikës, në emër të një populli që vazhdon ta tregojë historinë e tij edhe përmes artit.

Një ditë pas vendimit ndëshkues të Hagës ndaj katër krerëve të UÇK-së, Sounds of Albania merr edhe një kuptim më të gjerë. Koncerti shprehu zërin e kujtesës, dinjitetit dhe identitetit tonë kolektiv, në emër të shqiptarëve.

Comment

*