Kurti bën homazhe te varrezat e vëllezërve Bytyqi në Nju Jork

Nju Jork, 20 shtator 2026 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe dhe vendosi lule te varrezat e tre vëllezërve Bytyqi – Yllit, Agronit dhe Mehmetit – të ekzekutuar nga aparati shtetëror në Serbi në vitin 1999.

“Ylli, Agroni dhe Mehmeti janë tre dëshmorë të kombit, janë tre shqiptarë, janë tre amerikanë, janë tre luftëtarë të lirisë, të cilët sakrifikuan gjithçka për lirinë që ne e gëzojmë dhe për shtetin që ne e kemi”, tha ai.

Kurti theksoi se as 27 vjet pas vrasjes mizore të vëllezërve Bytyqi, luftëtarëve të Batalionit “Atlantiku” të UÇK-së, Serbia nuk ka bërë asgjë për ndriçimin e rastit dhe nxjerrjen e autorëve dhe urdhërdhënësve para drejtësisë.

“Varret e tyre janë varre, të cilat neve na mbushin me përgjegjësi, që bashkë me shtetin amerikan, si Republikë e Kosovës, të mos ndalemi, derisa ata që e urdhëruan vrasjen e tyre dhe ata, të cilët e ekzekutuan atë, të ndodhen prapa grilave dhe të gjykohen për krimin mizor”, tha ai.

Ilir Bytyqi, vëllai i Yllit, Agronit dhe Mehmetit, e falënderoi kryeministrin Kurti për vizitën dhe homazhet. Ai tha se ky akt, shumë domethënës për familjen Bytyqi, dëshmon vlerësimin e sakrificave për liri e pavarësi.

(r.m.)

Comment

*