Kurti e viztoi Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork

Nju Jork, 20 shtator 2026 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka vizituar të dielën Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” (Our Lady of Shkodra), në Hartsdale të Nju Jorkut dhe ka marrë pjesë në meshën e së dielës, e cila u kremtua nga Kardinali shqiptar Ernest Simoni Troshani, së bashku me Dom Pjetër Popajn.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës njoftoi se, pas meshës, Kurti ka mbajtur një fjalë rasti për besimtarët që morën pjesë në meshë. Në fillim, ai e ka vlerësuar veprën e kardinalit Troshani, të cilën e ka cilësuar fymësuese për të gjithë shqiptarët.

“Më lejoni që fillimisht ta përshëndes Eminencën e Tij, Kardinalin Ernest Simoni Troshani, i cili me jetën e tij që është vepër na frymëzon të gjithë neve, edhe si qytetarë edhe shqiptarë ngado që jemi, por edhe si zyrtarë shteti. Faleminderit shumë Eminenca Juaj, Kardinal Ernest”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se Kardinali Troshani, edhe në prag të 98-vjetorit të lindjes, vazhdon të përcjellë me të njëjtën forcë porosinë e besimit, shpresës dhe dashurisë për njeriun.

Ai e ka vlerësuar rolin e Kishës Katolike Shqiptare në historinë e popullit shqiptar.

“Kisha katolike shqiptare historikisht ka dhënë kontribut të madh dhe ajo për neve paraqet një shembull që duhet ndjekur përmes sakrificës për të mirën e përgjithshme dhe përmes vendosjes së interesit publik, përmes vendosjes së komunitetit mbi interesin personal e individual të kujtdo qoftë”, ka theksuar Kurti.

Ai e ka vlerësuar përkushtimin e Dom Pjetër Popajt, Kardinalit Ernest Simoni Troshani dhe të komunitetit të Kishës “Zoja e Shkodrës” edhe për ruajtjen e lidhjeve të komunitetit shqiptaro-amerikan me atdheun dhe për mbështetjen e Kosovës.

Famullia “Zoja e Shkodrës”, e themeluar në vitin 1989, është ndër institucionet e rëndësishme fetare dhe kombëtare të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kisha “Zoa e Shkodrës” në Hartsdale, e cila është shuguruar në vitin 1999, është më shumë se një shtëpi e besimtarëve katolikë shqiptarë,. Ajo është edhe qendër e aktiviteteve kulturore dhe shoqërore të shqiptarëve në Nju Jork.

(r.m.)

Comment

*