Kurti takohet me kongresistin amerikan Joe Wilson

Nju Jork, 21 shtator 2026 – Kryeministri I Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se në Nju Jork është takuar me kongresistin amerikan Joe Wilson, bashkëkryesues i Komisionit të Helsinkit të SHBA-së dhe anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Komisionit për Forcat e Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve.

Kurti, në një postim në Facebook, ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar për thellimin e marrëdhënieve Kosovë-SHBA, me fokus në fusha të sigurisë dhe mbrojtjes, investimeve dhe sundimit të ligjit.

“Biseduam për synimin tonë për anëtarësim në NATO, për vazhdimin dhe avancimin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara dhe për partneritetin e FSK-së me Gardën Kombëtare të Ioëa-s, që nga viti 2011”, ka shkruar Kurti, duke theksuar se Kosova është shndërruar nga konsumuese në kontribuuese në sigurinë ndërkombëtare.

Kurti ka thënë se në takim është diskutuar edhe për mundësitë e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë OSBE-në, si organizatë e rëndësishme për bashkëpunim e siguri në Evropë.

Kryeministri i Kosovës ka treguar se në takim me kongresistin Wilson është diskutuar edhe për diskriminimin e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, përfshirë mospërfaqësimin e tyre në institucionet publike, në sistemin e sigurisë, në sistemin gjyqësor dhe në sistemin shëndetësor.

Në takim është ngritur shqetësimi edhe për pasivizimit të adresave të shqiptarëve dhe për vështirësitë dhe pengesat e zhvillimit të arsimit në gjuhën shqipe neë rajon, si edhe për mosnjohjen e diplomave të fituara në uniersitetet e Kosovës.

Postimi i plotë i Kurtit:

Në New York, gjatë Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, u takova me kongresistin amerikan Joe Wilson, bashkëkryesues i Komisionit të Helsinkit të SHBA-së dhe anëtar i Komisioneve për Punë të Jashtme dhe Forcat e Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve. Shtetet e Bashkuara janë aleati ynë më i rëndësishëm dhe partneriteti ynë mbetet themelor për sigurinë, zhvillimin dhe perspektivën euroatlantike të Republikës sonë.

Diskutuam për thellimin e marrëdhënieve Kosovë-SHBA, me fokus në siguri dhe mbrojtje, investime dhe sundim të ligjit. Biseduam për synimin tonë për anëtarësim në NATO, për vazhdimin dhe avancimin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara dhe për partneritetin e FSK-së me Gardën Kombëtare të Ioëa-s, që nga viti 2011. Nga konsumuese, Kosova është shndërruar në kontribuuese në sigurinë ndërkombëtare.

Folëm gjithashtu për sigurinë në Ballkanin Perëndimor, rëndësinë e ruajtjes së orientimit euroatlantik të rajonit dhe për pjesëmarrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Me kongresistin Wilson, i cili është njëherësh aktiv në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, diskutuam edhe për aspiratën e Kosovës që të avancojë drejt pjesëmarrjes së plotë në OSBE.

Vëmendje të veçantë i kushtuam shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës nënpërfaqësimit të tyre në institucionet publike, polici, gjyqësor e shëndetësi, pasivizimit të adresave, pengesave ndaj arsimit në gjuhën shqipe dhe mosnjohjes së diplomave të fituara në Kosovë. Duke qenë i shoqëruar edhe nga Deputeti nga Bujanoci, Shaip Kamberi, dhe kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kërkova që të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës të mbrohen në Komisionin e Helsinkit dhe shkelja e tyre të trajtohet në komunikimet me Beogradin.

E falënderova kongresistin Wilson për mbështetjen e tij ndaj Kosovës dhe për angazhimin në çështjet e sigurisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut në rajon, si dhe e ftova që ta vizitojë përsëri Republikën e Kosovës, së bashku me një delegacion të Kongresit amerikan.

(r.m.)

May be an image of the Oval Office

May be an image of the Oval Office

May be an image of text