Prosper: Aktgjykimi i shkallës së parë të Speciales e njollos gjithë UÇK-në, por edhe NATO-n

Prishtinë, 21 shtator 2026 – Avokati amerikan Pierre Richard Prosper, anëtar i ekipit mbrojtës të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se aktgjykimi i Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk i goditi vetëm të akuzuarit, por njollosi luftën çlirimtare të popullit të Kosovës.

Prosper, në një intervistë për Klan Kosova, ka thënë se ka thënë se gjyqtarët e rastit, me cilësimin “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”, e kanë etiketuar sit ë tillë gjithë UÇK-në.

“Ata kanë thënë se ka qenë ‘Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale’ dhe kanë thënë se Hashim Thaçi e të tjerët kanë qenë në krye të të gjithë UÇK-së dhe të të gjitha abuzimeve që ka bërë UÇK-ja. Nuk e kanë thënë se kanë qenë disa individë në UÇK”, ka thënë ai.

Prosper ka thënë gjithashtu se me cilësimin e UÇK-së “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale” anëtarët e trupit gjykues e njollosin edhe Aleancën Veriatlantike.

“Ata e kanë njollosur gjithë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në esencë, e kanë njollosur gjithë trashëgiminë e çlirimit dhe të pavarësisë së Kosovës. E kanë njollosur gjithashtu NATO-n, duke thënë se NATO-ja ka hyrë në partneritet me një ‘Ndërmarrje Kriminale’”, ka thënë ai.

Prosper ka theksuar se tre gjyqtarët e rastit e kanë shlyer historinë e luftës çlirimtare të Kosovës.

“Tre burra, e përsëris edhe një herë se dua që shikuesit tuaj të dëgjojnë çfarë po them, tre burra e kanë rishkruar dhe kanë shlyer historinë”, ka thënë avokati amerikan.

Prosper e ka kritikuar trupin gjykues edhe për përmendjen pa bazë të komandantëve të UÇK-së që nuk ishin pjesë e gjykimit, për mungesën e transparencës dhe për mbylljen hermetike të aktgjykimit prej më shumë se 2000 faqesh.

Prosper e ka cilësuar vendimin e shkallës së parë si “të padrejtë” dhe “të korruptuar moralisht” dhe ka theksuar se ai do të qëndrojë në krah të Thaçit deri në pastrimin e plotë të emrit të tij në fazën e apelit.

Sipas tij, procesi i apelit pritet të zgjasë rreth një vit.

(r.m.)