Kurti: “Bondsteel” të bëhet bazë ushtarake amerikane e përhershme

Nju Jork, 22 shtator 2026 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të martën në Nju Jork me kongresistin amerikan George Latimer.

Kurti, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka njoftuar se me kongresistin Latimer, të cilin e ka cilësuar si “zë të fuqishëm dhe të rëndësishëm mbështetje” për Kosovën, veçanërisht për anëtarësimin e Kosovës në NATO, ka biseduar për sigurinë, zhvillimin ekonomik dhe pozitën ndërkombëtare të Kosovës, si edhe për bashkëpunimin midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë bashkëpunimin në fushë të mbrojtjes.

Kurti ka thënë se gjatë takimit ka shprehur qëndrimin e qeverisë së Kosovës që Kampi ushtarak “Bondsteel” të shndërrohet në bazë ushtarake amerikane të përhershme.

“Ritheksova qëndrimin tonë që Kampi ‘Bondsteel’ të shndërrohet në bazë të përhershme ushtarake amerikane, në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjate në rajon”, ka theksuar ai.

Kurti ka thënë se gjatë takimit është biseduar edhe për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit, duke theksuar nevojën e hapjes së arkivave të ushtrisë e policisë së Serbisë, si edhe nevojën për nxjerrjen para drejtësisë të Milan Radojçiqit dhe së përgjegjësve tjerë për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Kurti ka thënë se edhe në këtë takim është biseduar për pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe për diskriminimin dhe shkeljen e të drejtave të tyre.

Kurti ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen dypartiake të Kosovës në Kongresin amerikan.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati ynë i çmuar. Jemi thellësisht mirënjohës për miqësinë tonë të qëndrueshme dhe mbështetjen dypartiake që shteti ynë gëzon në Kongresin amerikan”, ka theksuar ai.

Postimi i plotë i Kurtit:

Kënaqësi të takohem në New York me kongresistin George Latimer, një zë i fuqishëm dhe i rëndësishëm në mbështetje të Kosovës, veçanërisht për anëtarësimin e Republikës sonë në NATO.

Diskutuam për zhvillimin ekonomik, përparimin në siguri, forcimin e pozitës sonë ndërkombëtare dhe partneritetin e fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë bashkëpunimin në mbrojtje dhe zhvillim. Ritheksova qëndrimin tonë që Kampi ‘Bondsteel’ të shndërrohet në bazë të përhershme ushtarake amerikane, në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjate në rajon.

Biseduam për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit, varrezat masive, rëndësinë e deklasifikimit të dokumentacionit dhe hapjes së arkivave nga Serbia si dhe nevojën për drejtësi për krimet e kryera. E sikurse në takimet tjera folëm për diskriminimin dhe shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Në prag të trevjetorit të sulmit terrorist paramilitar në Banjskë, ngritëm sërish çështjen e Milan Radoiçiqit dhe domosdoshmërinë që ai dhe përgjegjësit tjerë të përballen me drejtësinë në Republikën e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati ynë i çmuar. Jemi thellësisht mirënjohës për miqësinë tonë të qëndrueshme dhe mbështetjen dypartiake që shteti ynë gëzon në Kongresin amerikan.

(r.m.)

Comment

*