Gara: Në Serbi janë edhe së paku 11 lokacione me mbetje mortore të të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë

Pragë, 23 shtator 2026 – Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur i Kosovës, ka thënë se institucionet kosovare janë kthyer për kërkime në fshatin Kozhle, në zonën e Novi Pazarit, në Serbi.

Ai ka thënë se ky është viti i tretë që ky vend është në agjendën e kërkimeve, pasi dyshohet se mbetje mortore të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë mund të gjenden në një zonë të shndërruar në deponi të mbeturinave, në thellësi prej 15 metrash.

Gara, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se, bazuar edhe në pamje satelitore, janë identifikuar tri pika për vlerësim në terren, por shton se pamjet satelitore e nuk mbulojnë periudhën kur mund të jenë groposur mbetjet mortore.

“Nuk e dimë se si ishte gjendja në prill dhe maj 1999, kur ndodhi zbatimi i urdhrit ose strategjisë zyrtare të Beogradit ‘S’ka trup – s’ka krim’, kur ndodhi pastaj edhe bartja kufomave nga lokacioni ose nga vendi i masakrës, ose në lokacione të ndryshme në territorin e Serbisë”, ka thënë ai.

Gara ka thënë se në territorin e Serbisë gjenden të paktën 11 varreza masive në të cilat mund të gjenden mbetje mortore të personave të zhdukur në Kosovë.

“Institucionet e Kosovës po kërkojnë që Serbia të vë në dispozicion listën me 16 varreza masive, e cila ishte bërë publike në vitin 2001”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se deri më tash janë konfirmuar pesë varreza masive janë gjetur më shumë se 950 viktima të luftës në Kosovë: në Batajnicë, Petrovo Sello, Peruçac, Rudnicë dhe Kizhevaku. Prandaj besohet se janë edhe 11 varerza të tjera masive.

“Në qoftë se këto pesë varre masive janë pjesë e kësaj liste, atëherë i bie që janë të paktën 11 varreza masive në territorin e Serbisë”, ka thënë ai.

Gara ka thënë se presioni i partnerëve ndërkombëtarë ndaj Serbisë ka rezultuar me identifikimin e lokacioneve ku dyshohet se ka varreza masive dhe me gërmimet e bëra deri tashti.

Ai ka theksuar se institucionet e Kosovës kërkojnë shtimin e presionit ndaj Serbisë për të hapur arkivat e forcave të ushtrisë e policisë së Serbisë dhe për të lejuar fillimin e gërmimeve në lokacionet e identifikuara.

(r.m.)

Comment

*