Uashington, 25 shtator 2026 – Inteligjenca artificiale, tregtia, Ukraina dhe Tajvani ishin disa nga lista e gjatë e temave të ndjeshme të bisedimeve gjatë takimit të President it të Kinës, Xi Jinping, dhe President it të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë të enjten.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e priti presidentin e Kinës Xi Jinping në Shtëpinë e Bardhë me shumë ceremoni në një vizitë shtetërore. Trump dhe Zonja e Parë, Melania, mirëpritën Xi-n dhe bashkëshorten e tij, Peng Liyuan, nën tingujt e një orkestre ushtarake. Më pas, ata ecën mbi qilimin e kuq drejt Shtëpisë së Bardhë.
Kjo është vizita e parë e Xi-t në Uashington pas më shumë se një dekade dhe takimi i dytë mes udhëheqësve të dy ekonomive më të mëdha në botë gjatë këtij viti. Në vizitën e tij të fundit në Shtëpinë e Bardhë, Xi ishte pritur nga presidenti i atëhershëm Barack Obama.
Sipas vëzhguesve, Trump dhe Xi po përpiqen të tregojnë marrëdhënie të qëndrueshme dhe miqësinë e tyre, pavarësisht shumë çështjeve delikate si tregtia, Tajvani, Irani dhe inteligjenca artificiale.
Tema delikate e Tajvanit
Sipas agjencisë Xinhua, Xi tha se shpresonte që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të vazhdonin të kundërshtonin “pavarësinë e Tajvanit” dhe ta trajtonin çështjen e Tajvanit me “kujdes”.
Ai thuhet se i tha presidentit amerikan se pozicioni i Kinës për mbrojtjen e unitetit kombëtar dhe integritetit territorial të saj ishte “plotësisht i qartë”.
SHBA-ja mban një qëndrim të ndërlikuar kur bëhet fjalë për Tajvanin. Nga njëra anë, ajo është garantuesi më i rëndësishëm i sigurisë së ishullit. Megjithatë, ajo nuk ka marrëdhënie formale diplomatike me Tajvanin dhe nuk e njeh atë si shtet të pavarur, në përputhje me të ashtuquajturin parim “Një Kinë”, të cilin Pekini ua kërkon të gjithë partnerëve të tij ta respektojnë.
Trump gazetarëve: “Takim i shkëlqyer”
Komentet e para të Trumpit pas bisedimeve ishin jashtëzakonisht të shkurtra.
“Patëm një takim të shkëlqyer”, tha ai, në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, ndërsa po e shoqëronte Xi-n për të hipur në helikopterin presidencial “Marine One” për një vizitë të shkurtër.
Pamjet nga takimi treguan se zëvendëskryeministri kinez He Lifeng dhe ministri i Jashtëm Wang Yi morën pjesë të paktën në një pjesë të bisedimeve, ashtu si edhe zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe sekretari i Thesarit Scott Bessent.
Xi gjithashtu thuhet se i tha Trumpit se Kina do të mbështeste kthimin e SHBA-së dhe Iranit në negociata “sa më shpejt që të jetë e mundur”, ndërsa përballja e tyre detare në Gjirin Persik vazhdon prej më shumë se gjashtë muajsh.