Prishtinë, 26 shtator 2026 – Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Donika Gërvalla, mohoi se ka bashkëpunuar me Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe tha se deklarata të tilla tashmë janë bërë “bozë”. Ajo u shpreh se që nga dita e aktgjykimit ndaj katërshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po punon për instancën e radhës, atë të apelimit të vendimit.
Në një konferencë për media në Prishtinë më 26 shtator, Gërvalla po ashtu hodhi poshtë kritikat se ka heshtur ndaj dënimit për krime lufte të katërsesh së UÇK-së.
“Deklaratat që më lidhin mua në çfarëdo forme me bashkëpunimin tashmë janë bërë bozë sepse i kam shpjeguar disa herë. Nuk ka, në asnjë hallkë, as me UNMIK-un, as me EULEX-in, as me Gjykatën Speciale nuk ka asnjë pikëtakim timin as direkt as indirekt. Mirëpo edhe pak durim duhet të kemi sepse aktgjykimi do të vijë shpejt dhe do ta shohim shumë shpejt”, tha Gërvalla.
Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 18 shtator artikuloi kërkesën drejtuar Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti për shkarkimin e Gërvallës, mes kritikave për mosdeklarim të saj lidhur me aktgjykimin.
Kreu i kësaj organizate, Hysni Gucati, gjatë një proteste të mbajtur po atë ditë tha se “ne e dimë që Gërvalla ka dorëzuar dokumentacione në Hagë”, duke shtuar se kryeministri Albin Kurti “duhet nga sot të largojë nga Qeveria njerëz si ajo”.
Akuzat se Gërvalla ka bashkëpunuar me Specialen janë të kahershme, dhe ajo disa herë i kishte mohuar të njëjtat.
“Unë nuk kam heshtur. Unë jam ministre e Drejtësisë. Kryeministri ka dhënë një deklaratë në emër të Qeverisë, ndërsa unë, së bashku me ekipin tim, qysh ditën e parë i jam futur punës me qëllim që të përgatitemi për një betejë sepse çështja e Gjykatës Speciale është betejë ligjore, nuk është betejë deklaratash në media. Dhe, si betejë ligjore, ne duhet të jemi profesionistë, të mençur, me kokë të ftohtë, pa shumë britma, duhet të përgatitemi për instancën e ardhshme”, tha Gërvalla.
Sa i përket thirrjes për dorëheqje apo shkarkim të saj, Gërvalla tha se secili qytetar mund të kërkojë dorëheqjen e ndonjë ministri, pasi Kosova është vend demokratik.
Lidhur me protestat e vazhdueshme kundër vendimit të Dhomave të Specializuara, Gërvalla tha se përveç një “zhgënjimi” në ditën e parë të protestave, pra më 16 shtator, tani ajo janë “dinjitoze” dhe po barten nga qytetarët. Megjithatë, ajo tha se e sheh më të udhës që të punojë për çështjen e apelimit të vendimit sesa të marrë pjesë në protestë.
Ish-eprorët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u dënuan për krime lufte në shkallën e parë të mekanizmit të drejtësisë në Hagë, që njihet edhe si Gjykata Speciale. Mbrojtja ka nisur procedurat e apelimit të aktgjykimit me të cilin iu shqiptuan 81 vjet burgim të katërve, marrë së bashku.
Që atëherë në Kosovë, por edhe në vende të tjera të Evropës po mbahen vazhdimisht protesta kundër vendimit.
Partia Demokratike e Kosovës ka iniciuar në Kuvend një projektligj për ndryshimin e ligjit për Specialen, i cili është proceduar në Qeveri për mendim.
Gërvalla tha se ekipi i ekspertëve në Ministri të Drejtësisë po punon që të japë opinion për këtë çështje.
“Kur ta kemi gati do t’ia dërgojmë Qeverisë opinionin tonë. Nuk do ta vonojmë, shpejt do ta dërgojmë. Por, as nuk duam të nxitohemi e ta paguajmë me cilësi të munguar e gabime të papranueshme. Më shumë sesa për fjalë, kemi nevojë për bashkëpunim e bashkërendim, analizë e ekspertizë me qëllim që në fund të fitojë drejtësia”, tha ministrja.
Sipas saj, po analizohet se cilët mekanizma të propozuar janë “funksionalë, e cilët eksperimentalë”, duke shtuar se për këtë çështje, në MD, po punojnë në mënyrë intensive.
Në dokumentin e ndryshimeve të propozuara nga PDK-ja, të cilën e ka parë Radio Evropa e Lirë, kërkohet ndër të tjera, që dënimet më të larta që mund të shqiptohen nga Gjykata në Hagë të jenë 15 vjet burgim dhe që të dënuarit të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale.
Nisma është mbështetur nga Aleanca, ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje në pushtet ka thënë se do ta analizojë atë në aspektin juridik, përfshirë edhe përputhshmërinë e tij me kornizën ligjore në fuqi dhe “efektet që një ndërhyrje e tillë eventualisht mund të ketë në këtë fazë të procedurave pranë Dhomave të Specializuara”.
Qeveria e Kosovës është zotuar se do të angazhohet në fazën e Apelit për, siç ka thënë kryeministri Kurti, “korrigjuar” vendimin, e cilësuar si të padrejtë, ndaj katërshes së UÇK-së.