Nga Keze Kozeta Zylo
Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane – AARC me president z. Martin Vulaj organizoi për të dytin vit radhazi Mbrëmjen Gala, në Gotham Hall që ka hapësira ikonike dhe kjo godinë dikur përdorej nga Banka e famshme e Kursimeve Greenwich. Në një atmosferë elegante dhe festive në New York u mblodhën personalitete të njohura shqiptare dhe amerikane, diplomatë, biznesmenë, veprimtarë, miq të çështjes shqiptare dhe figura të spikatura të komunitetit.
Ishte një mbrëmje ku nuk u festua vetëm një aktivitet i radhës, por një ide më e madhe: miqësia shqiptaro-amerikane, kontributi i diasporës dhe njerëzit që kanë shkruar pjesë të rëndësishme të kësaj historie.
Pas suksesit të vitit të parë, Gala e AARC tashmë po merr formën e një tradite të bukur të komunitetit shqiptar në Amerikë.
Ndërsa njerëzit drejtoheshin grupe-grupe për të hyrë brenda në Gotham Hall, një grup protestuesish jashtë godinës hidhnin parrulla kundër qeverisë dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama i cili pritej të vinte në këtë mbrëmje.
Pas kokteilit mbrëmja u hap me himnet kombëtare të Shteteve të Bashkuara që u interpretua nga artisti shqiptar Bledar Maqellara, himnet e Shqipërisë, Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Lutjet u sollën nga At Viktor Gjergji dhe Imam Edin Gjini.
Z. Eli Rusi, Kryetari i Bordit, pasi përshëndeti pjesëmarrësit prezantoi në ekran punën e AARC gjatë periudhës një vjeçare.
Presidenti i AARC-së z. Martin Vulaj midis të tjerash tha se: Se ne si shqiptarë duhet të jemi shumë të kujdesshëm për ndryshimin e politikave sidomos në Ballkan, për vëmendjen e madhe që duhet të kemi dhe sidomos për ata që nuk ia duan të mirën Kombit tonë, por punojnë fort për t’i hedhur shqiptarët kundër njëri tjetrit.
Z. Vulaj prezantoi kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Në fjalën e tij kryeministri mbështeti ish-udhëheqësit e UÇK-së, të dënuar padrejtësisht në Hagë.
Ai kritikoi Amerikën qe sipas tij, nuk ka bërë mjaftueshëm për ta mbështetur Thaçin.
Gjithashtu diskutoi për projektin Kushner dhe zhvillimeve të tjera që kanë mbështetjen e qeverisë Rama.
Në këtë mbrëmje përshëndeti kryeministri i Maqedonisë Hristijan Mickoski.
Në qendër të vëmendjes Gjeneral Wesley Clark dhe sipërmarrësi i shquar z. Bruno Selimaj

Dy emra të veçantë u vendosën në qendër të vëmendjes dhe u nderuan me dy çmime që mbartin një simbolikë të jashtëzakonshme: Gjeneral Wesley Clark me “Kalorësin e Skënderbeut” dhe z. Bruno Selimaj me Çmimin “Nënë Tereza”.
Dy personalitete me rrugë krejt të ndryshme jetësore, por me një pikë takimi: lidhjen e tyre me shqiptarët dhe historinë e tyre në Amerikë.
Gjenerali Wesley Clark – një emër që shqiptarët e lidhin me Kosovën
Kur përmendet Gjenerali Wesley Clark, për shumë shqiptarë menjëherë kujtohet një nga periudhat më të vështira dhe më vendimtare të historisë së Kosovës.
Gjenerali Clark shërbeu si Supreme Allied Commander Europe – SACEUR, komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s në Evropë, nga viti 1997 deri në vitin 2000. Në këtë detyrë ai u gjend në krye të NATO-s gjatë krizës së Kosovës dhe Operacionit Allied Force në vitin 1999.
Ishte një kohë kur Kosova po përjetonte dhunë, dëbime dhe një krizë të rëndë humanitare. NATO nisi operacionin ajror më 23 mars 1999 dhe pas 78 ditësh, më 9 qershor, u nënshkrua marrëveshja për tërheqjen e forcave jugosllave nga Kosova dhe hyrjen e forcave ndërkombëtare të udhëhequra nga NATO.
Pikërisht për këtë arsye, nderimi i tij në një mbrëmje shqiptare në New York nuk ishte thjesht një dekoratë.
Ishte një moment kujtese. Për shqiptarët e Kosovës, viti 1999 nuk është një datë e largët në libra. Është histori e jetuar nga prindër, fëmijë, familje të dëbuara nga shtëpitë e tyre dhe njerëz që prisnin me ankth fundin e luftës.
Prandaj, “Kalorësi i Skënderbeut” për Gjeneral Clark mori një kuptim të veçantë.
Skënderbeu është Heroi Kombetar, simbol i qëndresës shqiptare dhe i mbrojtjes së lirisë. Ndërsa emri i Gjeneral Clark lidhet në kujtesën shqiptare me një periudhë kur Kosova po kërkonte të shpëtonte nga genocidi serb dhe një tragjedi humanitare.
Nderimi i tij ishte kështu edhe një homazh për atë kapitull të historisë dhe për të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë e Kosovës.
Fjala përshëndetëse e Gjeneral Clark ishte e fuqishme, emocionuese dhe plot mesazhe. Ndërmjet të tjerash ai iu drejtua pjesëmarrësve:
Ju keni mundësi edhe sot të veproni me të njëjtin guxim dhe vendosmëri që njerëzit në Ballkan më treguan në vitet 1990.
Bruno Selimaj – historia e një emigranti që krijoi një vatër shqiptare në zemër të Manhattan-it
Nëse Gjenerali Clark përfaqëson një kapitull të historisë ndërkombëtare të Kosovës, Bruno Selimaj përfaqëson një kapitull të historisë së diasporës shqiptare në Amerikë.
Historia e tij është historia e një emigranti shqiptar që erdhi në Amerikë me ëndrra të thjeshta, por që me punë, këmbëngulje dhe dashuri për vendin e origjinës ndërtoi një emër të njohur në New York.
Restoranti i tij “Bruno”, më vonë i njohur si Club A Steakhouse, për dekada nuk ishte vetëm një biznes, ishte një vatër shqiptare në Manhattan.
Sipas historikut të botuar nga gazeta “Illyria” me botues gazetarin e shquar Vehbi Bajrami aty u mblodhën aktivistë shqiptarë, diplomatë, politikanë amerikanë dhe personalitete të komunitetit. Aty u diskutuan zhvillimet në Kosovë, u organizuan mbështetje dhe u mblodhën fonde për kauza shqiptare. Sa domethënëse është kjo për historinë e diasporës!
Një restorant në Manhattan u kthye në një vend ku shqiptarët jo vetëm uleshin për të ngrënë, por ku kuvendonin për kombin, për Kosovën, për lirinë dhe për të ardhmen.
Në atë hapësirë kanë hyrë ndër vite diplomatë, senatorë, kongresistë, gazetarë, biznesmenë, artistë dhe veprimtarë shqiptarë.
Aty janë zhvilluar takime dhe janë mbledhur ndihma për Kosovën. Vetë historia e botuar nga Illyria përmend edhe angazhimin e Selimajt në demonstratat dhe aktivitetet e komunitetit shqiptar në New York dhe Washington.
Kjo e bën historinë e Bruno Selimajt shumë më të madhe se historinë e një suksesi në biznes.
Është historia e një njeriu që ndërtoi suksesin e tij në Amerikë, por nuk e harroi vendin prej nga kishte ardhur.
Dhe ndoshta këtu qëndron edhe bukuria e vërtetë e historisë së diasporës shqiptare.
Shqiptari vjen në Amerikë për të ndërtuar një jetë më të mirë, punon, studion, hap biznese, rrit fëmijët, bëhet pjesë e shoqërisë amerikane, por në të njëjtën kohë ruan në zemër gjuhën, familjen, kujtesën dhe vendin e origjinës. Çmimi u përcoll së bashku me bashkëshorten e tij fisnike dhe humane znj. Kumrie.

Dy çmime, dy histori dhe një komunitet
Në këtë Gala, “Kalorësi i Skënderbeut” për Gjeneral Wesley Clark dhe “Çmimi Nënë Tereza” për Bruno Selimajn sollën dy histori të ndryshme në të njëjtën skenë.
Njëra histori vjen nga komandat ushtarake dhe nga një prej momenteve më të rëndësishme të historisë së Kosovës.
Tjetra vjen nga rrugëtimi i emigrantit shqiptar, nga puna, biznesi, mikpritja dhe përkushtimi ndaj komunitetit. Por të dyja u bashkuan në një mbrëmje shqiptaro-amerikane në New York.
Dhe ishte pikërisht kjo që e bëri këtë Gala të veçantë. Sepse diaspora nuk është vetëm kujtesë.
Diaspora është edhe veprim. Është shqiptari që punon dhe ndërton një biznes. Është mësuesi që u mëson fëmijëve gjuhën shqipe. Është diplomati që përfaqëson vendin e tij. Është aktivisti që ngre zërin për çështjen kombëtare. Është sipërmarrësi që hap dyer për të tjerët. Është artisti që e mban gjallë kulturën. Është brezi i ri që ecën përpara pa harruar nga vjen.

Mbi të gjitha bashkimi
Mbrëmja Gala e AARC-së solli pikërisht këtë ndjenjë: njerëz të ndryshëm, nga fusha të ndryshme, të mbledhur në një sallë dhe të bashkuar nga një histori, një gjuhë, një kujtesë dhe një dashuri e përbashkët për shqiptarët.
Në një qytet si New York-u, ku takohen kultura dhe kombe nga e gjithë bota, një mbrëmje e tillë tregon edhe një herë se sa shumë ka ndryshuar dhe është forcuar komuniteti shqiptar në Amerikë.
Nga emigranti i parë që erdhi me një valixhe të vogël deri te brezat e rinj që sot janë pjesë e institucioneve amerikane, nga bizneset e vogla deri te sipërmarrjet e mëdha, nga shoqatat e para deri te organizatat moderne të diasporës – është një histori që vazhdon të shkruhet.
Dhe AARC, me këtë Gala të dytë, po vendos një tjetër gur në këtë histori.
Më vonë u prezantua traileri i filmit “Skanderbeg”, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara dhe Shqipërinë.
Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca, përshëndeti ngrohtësisht të pranishmit dhe ftoi gjithë aktivistët, liderët e partive politike në Kosovë që të jenë të vetëpërmbajtur dhe bashkëpunues për ta çuar Kosovën më përpara.
Ish-Presidentja e Kosovës, Dr. Vjosa Osmani Sadriu, përshëndeti Diasporën dhe çmoi lart rolin e saj për Kombin. Kryetari i kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, z. Përparim Rama vlerësoi shqiptarët e Diasporës dhe midis të tjerash tha me ngazëllim se në Prishtinë do të zhvillohen Lojërat Mesdhetare të vitit 2030.
Gjithashtu përshëndetën kongresistja Nikema Williams, përfaqësuese e Distriktit të Pestë të Kongresit të Gjeorgjisë, kongresisti Tom Suozzi, senatori amerikan Cory Booker nga Nju Xhersi, Dr Bekim Sali, Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Çështjet Evropiane i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Z. Nader Sayegh, anëtar i Asamblesë së Shtetit të Nju Jorkut, vlerësoi me Proklamatën e Asamblesë së Shtetit të Nju Jorkut, Bordin e AARC-së si:
Martin Vulaj, President/ Eli Rusi, Kryetar i Bordit/ Tony Marke (Faton Marke), Nënkryetar/
Burim Rexhaj, Sekretar/ Roland Nezaj, për llogarinë financiare/ Vehbi Bajrami, Anëtar i Bordit/ Agim Jusufi, Anëtar i Bordit
Pjesëmarrësit u argëtuan nga artistet Mariza Ikonomi shoqëruar nga Faton Macula.
Ishte kënaqësi të takonim personalitete të Kombit si z. Konjufca, Osmani, ambasadorë, politikanë, artiste, Kryetarin e Vatres Dr. Elmi Berisha si dhe gazetare të shquar si z. Vehbi Bajrami botues i gazetës “Illyria, me bashkëshorten e tij menaxhere dhe një zonjë humane si Gena Morina Bajrami.
Le të vazhdojmë ta shkruajmë histori së bashku.
Urime AARC për këtë mbrëmje të bukur dhe për vitin e dytë të Mbrëmjes Gala!
TV “Alba Life” ishte i pranishëm me stafin e tij, themelues Qemal Zylo, Amir Suka dhe Klodiana Zylo.
Fotot u realizuan nga Amir Suka Alba Pro.
Punë të mbarë AARC!
Autorja e shkrimit mban titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Medaljen e Meritës Presidenciale dhënë nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani. Është publiciste, shkrimtare, autore e tetë librave, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” në New York, Ambasador i Kombit, Gruaja e Vitit 2022, NY dhënë nga Motrat “Qiriazi”.
24 Shtator 2026
New York














