Në Kosovë arrestohen edhe 9 serbë të dyshuar për krime lufte në Zubin Potok

Prishtinë, 27 shtator 2026 – Policia e Kosovës njoftoi se nëntë persona janë arrestuar të dielën në mëngjes në Zubin Potok nën dyshime për krime lufte kundër popullatës civile, të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Në njoftim thuhet se operacioni i koduar “Dosja 23” është ndërmarrë në kuadër të hetimeve lidhur me rastin e vrasjes së 23 shqiptarëve, mbetjet mortore të të cilëve u gjetën muajin e kaluar në tri varreza masive në komunën e Zubin Potokut, të banuar me shumicë serbe, në pjesën veriore të Kosovës.

“Në kuadër të veprimeve hetimore lidhur me rastin e krimeve të luftës, Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, mbështetur edhe nga njësitet tjera të specializuara policore, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, sot në orët e hershme të mëngjesit në komunën e Zubin Potokut ka zhvilluar operacionin e koduar si ‘Dosja 23’.  Si rezultat i këtij operacioni janë arrestuar nëntë persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Krime lufte kundër popullsisë civile’”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia njoftoi se gjatë kontrollitnë të kryer në disa lokacione në komunën e Zubin-Potokut, janë gjetur e sekuestruar armë dhe prova të tjera materiale që do të përdoren si dëshmi për krimet e kryera.

“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, mbështetur edhe nga njësitë e tjera të Policisë së Kosovës, kanë zhvilluar urdhër kontrollin në disa lokacione në komunën e Zubin Potokut. Gjatë realizimit të bastisjes, janë sekuestruar këto prova materiale si në vijim: nëntë (9) telefona mobilë; dy (2) libreza ushtarake; një (1) armë e gjatë dhe një (1) pushkë gjuetie; fishekë të kalibrit 7.65 mm dhe fishekë të pushkës së gjuetisë; katër (4) predha; para të gatshme në shumën rreth 23,000 (njëzet e tre mijë) euro; para të gatshme në shumën rreth 60,000 (gjashtëdhjetë mijë) dinarësh serbë; si dhe prova dhe materiale të tjera relevante që ndërlidhen me rastin”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia i identifikoi të arrestuarit vetëm me iniciale: D.D., M.R., M.R., R.R., S.D., S.D., V.L., R.R dhe D.D. Lista Serbe tregoi se të arrestuarit janë banorë serbë të zonës, ndërsa autoritetet në Serbi thanë se të arrestuar janë të afërm të serbëve të tjerë të dyshuar për krime kundër njerëezimit, të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njoftoi se të gjithë të arrestuarve iu shqiptua masa e sigurisë ndalim për 48 orë.

Në gusht të këtij viti, autoritetet e Kosovës kryen gërmime në fshatrat Kalludër dhe Jabukë të komunës së Zubin Potokut, ku u zbuluan tri varreza masive në të cilat u gjetën mbetjet mortore të së paku 23 persona. Mostrat e mbetjeve të mortore janë dërguar në Hagë të Holandës për identifikim përmes ADN-së.

Në kuadër të hetimeve lidhur me rastin e “Grupit të intelektualëve”, muajin e kaluar ishin arrestuar katër serbë të tjerë, të identifikuar me iniciale J.R., M.J., R.K dhe M.B., të cilët janë të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile. Të katërtit gjenden në paraburgim.

Varrezat masive në Kalludër dhe Jabukë të komunës së Zubin Potokut u zbuluan pas një hetimi intensive mbi dyvjeçar lidhur me rastin e 23 shqiptarëve të zhdukur në këtë zone në prill rë vitit 1999.

Reagimet e Listës Serbe dhe të Beogradit

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që kontrollohet nga Beogradi, i akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për, siç tha, “përndjekje të serbëve”.

“Ky nuk është një proces ligjor, me respekt të plotë për prezumimin e pafajësisë dhe të drejtën për mbrojtje, por hakmarrje dhe mënyrë e [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit për përndjekjen e serbëve. Fakt është se serbët në Zubin Potok muajt e fundit janë nën një terror të tmerrshëm që të kujton një pushtim”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Beogradi zyrtar, si rëndom, reagoi ashpër ndaj arrestimit të nëntë serbëve të tjerë të dyshuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cilësoi arrestimet e sotme në Zubin Potok si “metodë më perfide të spastrimit etnik”, ndërsa “botën” e akuzoi se nuk po reagon

“Po dëgjoj se Kurti dhe njësitë e tij speciale kanë arrestuar sërish serbë, nëntë prej tyre, në komunën e Zubin Potokut, për krime të dyshuara lufte. Dhe e gjithë kjo do të heshtet nga bota, dhe do të bëhen sikur nuk dinë, sikur nuk e dinë se bëhet fjalë për metodën më perfide dhe më të paskrupullt të spastrimit etnik”, tha Vuçiq për transmetuesin publik serb.

Ai tha se Serbia është në kontakt me familjet e serbëve të arrestuar dhe se ka angazhuar avokatë për mbrojtjen e të arrestuarve.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë tha se operacionet e tilla policore synojnë “dëbimin” e serbëve në Kosovë.

“Arrestimet masive janë bërë metoda e re e Prishtinës për hakmarrje ndaj serbëve, ndërsa zbulimet e fundit në Zubin Potok, Prishtina i përdor si pretekst për stigmatizimin dhe gjuetinë e të gjithë serbëve të mbetur”, tha kjo zyrë.

Sipas saj, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti po e përdor Zubin Potokun edhe për tërheqjen e vëmendjes së opinionit publik nga aktgjykimi dënues i Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Kurti dëshiron të zhvillojë edhe një fushatë politike, përmes së cilës synon të largojë vëmendjen e opinionit publik në Prishtinë nga aktgjykimet e Hagës ndaj drejtuesve të UÇK-së”, tha Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

(r.m.)

Comment

*