Prishtinë, 14 tetor 2026 – Qeveria e Kosovës e ka formuar grupin punues për hartimin dhe bashkërendimin e strategjisë shtetërore për procesin e Apelit në Dhomave të Specializuara në rastin e katër ish-krerëve të UÇK-së. Kryesues i grupit punues do të jetë zëvendëskryeministri e ministri i Punëve të Jashtme e Diasporës, Glauk Konjufca.
Kryeministri Albin Kurti tha se Qeveria, me formimin e këtij grupi, po e përmbushë zotimin për mbrojtjen e së vërtetës historike për luftën çlirimtare të popullit të Kosovës. Ai tha se Qeveria po punon për “korrigjimin” e aktgjykimit në Dhomën e Apelit.
“Aktgjykimin e shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së e konsiderojmë të padrejtë, juridikisht dhe moralisht, si dhe me pasaktësi faktike dhe historike. Prandaj, po punojmë që të bëhet korrigjimi i tij në shkallën e apelit. Siç kemi theksuar, për këtë nevojitet një strategji shtetërore dhe kombëtare, një organizim që i tejkalon dallimet partiake dhe i bashkon institucionet rreth një qëllimi të përbashkët. Për këtë arsye, po e themelojmë grupin punues të kryesuar nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, për të bashkërenduar mbështetjen institucionale, juridike dhe diplomatike në funksion të procesit të apelit. Me këtë vendim po e konkretizojmë zotimin tonë që me mjete që i kemi në dispozicion të angazhohemi për drejtësi dhe për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës sonë çlirimtare”, tha Kurti.
(r.m.)