Protesta e studentëve në Tiranë merr dimensione shqetësuese. Shpërthen edhe në Durrës, Shkodër, Elbasan dhe Korçë

Tiranë, 15 tetor 2026 – Ditën e tretë të saj, protesta e studentëve në Tiranë ka marrë dimensione shqetësuese për rendin dhe sigurinë. Gjatë gjithë ditës, në pjesë të ndryshme të kryeqytetit shqiptar ka pasur akte të ndryshme dhune, dëmtim e zjarrvënie në institucione shtetërore dhe dëmtim e shkaktim të pronave publike e private. Në të gjitha vendgrumbvullimet e studentëve, të cilëve u janë bashkuar edhe nxënës të disa shkollave të kryeqytetit, ka pasur përplasje midis protestuesve dhe forcave të policisë.

Policia, e cila është përpjekur t’i shpërndajë protestuesit me vrushkuj uji dhe me gaz lotësjellësh, është sulmuar me gurë e mjete të forta, me kapsolla dhe kokteje molotovi. Mediet në Tiranë raportojnë për dhjetra të lënduar nga të dyja palët, ndërsa nga Spitali I Traumës raportohet edhe për të lënduar rëndë, si nga radhët e policisë ashtu edhe nga radhët e protestuesve.

Raportohet edhe për një numër të madh të protestuesve të ndaluar nga policia, numri i saktë të të cilëve mbetet i panjohur. Autoritetet nuk kanë dhënë ende një shifër zyrtare të personave të ndaluar.

Gjatë ditës deri në orët e mbrëmjes, protestuesit i kanë sulmuar me gurë e mjete rrethanore dhe me molotovë ndërtesat e Kryeministrisë, Kuvendit, Ministrisë së Financave, Bashkisë së Tiranës, selinë e Partisë Socialiste dhe ndërtesave të disa institucioneve tjera shtetërore në Tiranë.

Protestuesit i kanë shkatërruar rrethojat mbrojtëse të institucioneve, kangjellat anës trotoareve, shenjat e trafikut, semaforët, kamerat e sigurisë dhe gjithçka kanë gjetur përpara për të penguar afrimin e forcave të sigurisë.

Dhetra biznese në të dyja anët e rrugëve ku janë grumbulluar protestuesit janë dëmtuar e shkatërruar. Sipas raportimeve mediale, në Tiranë janë dëmtuar e shkatërruar pikat e disa institucioneve financiare dhe së paku 15 pika bankare të parave kesh.

Pronarët e disa bizneseve private, përmes afisheve të vendosura në xhamat e lokaleve të tyre, janë solidarizuar me studentët dhe i kanë lutur protestuesit që të mos ua dëmtojnë pronat…

Por, sot kanë nisur protestat edhe qytete të tjera. Studentët dhe nxënësit e shkollave të mesme i kanë braktosur autoriumet e klasët dhe kanë dalë në rrugë në Durrës, Shkodër, Elbasan dhe Korçë. Sipas raportimeve, protestat më të dhunshme kanë qenë në Durrës dhe në Shkodër.

Pjesëmarrësit e protestës, e cila nisi me kërkesa për përmirësim të kushteve për studime dhe krijim të një perspektive më të mirë për të rinjtë, tani kanë shtruar edhe kërkesa të forta politike. Tani ata kërkojnë me ngulm dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të kabinetit të tij qeveritar.

Dhe zotohen se nuk do të heqin dorë nga protestat e revoltat derisa të japë dorëheqje Qeveria ‘Rama’, e cila akuzohet për korrupsion e abuzim me pushtetin.

Protestuesit po i shpërfillin thirrjet për ruajtjen e rendit e qetësisë si edhe të pronës publike e private. Thonë se nuk u bësojnë më premtimeve të qeveritarëve, nga të cilët janë mashtruar tashmë disa herë…

Ndërsa qytetarët nuk e fshehin frikën e përshkallëzimit të mëtejmë të situatës. Shumica prej tyre druajnë se Shqipëria po shkon drejt një kaosi të përgjakshëm si ai i vitit 1997, i cili mori jetën e qindra qytetarëve të pafajshëm dhe e la shkret gjithë vendin.

 

(r.m.)

Comment

*