Prishtinë, 15 tetor 2026 – Të enjten, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK) u promovuan dy botime të Akademik Hivzi Islamit: studimi shumështresor i ecurive dhe problemeve demokrafike në Kosovë “Kosova: Transicioni i fundit demografik në Europë” dhe përmbledhjes së studimeve të problematikave të popullsisë shqiptare në Kosovë e në rajon, në kontekstin historik, politike, shoqëror e ekonomik në “Studime demografike dhe sociologjike për Kosovën dhe shqiptarët në gjuhë të huaja”.

Presidentja e Kosovës Justina Shiroka-Pula, e cila ishte në krye të ASHAK-ut deri më 6 tetor, e vlerësoi lart punën shkencore e hulumtuese të akademik Islamit në fushë të demografisë.
“Hivzi Islami konsiderohet një nga themeluesit e demografisë moderne shqiptare dhe ndër studiuesit më të njohur të proceseve demografike në Kosovë dhe në hapësirën shqiptare. Veprimtaria e tij përfshin disa libra shkencorë dhe mbi 150 studime e artikuj të botuar në publikime vendore dhe ndërkombëtare”, tha ajo.
Presidentja Shiroka Pula tha se akademik Hivzi Islamit i takojnë meritat për vënien e themeleve të demografisë si disiplinë shkencore në Kosovë.
“Një ndër meritat e tij të veçanta është institucionalizimi i demografisë si disiplinë shkencore dhe universitare në Kosovë. Ai organizoi studimet pasuniversitare në këtë fushë dhe kontribuoi drejtpërdrejt në përgatitjen e brezave të studiuesve të rinj, shumë prej të cilëve vazhduan rrugën e tyre akademike e shkencore”, u shpreh ajo.
Presidentja e Kosovës e vlerësoi edhe kontributin e akademik Islamit në zhvillimin e institucioneve arsimore e shkencore në Kosovë.
“Në historinë e çdo institucioni shkencor ka personalitete që nuk dallohen vetëm për veprat që kanë shkruar, por edhe për gjurmët që kanë lënë në zhvillimin e vetë institucionit, në formimin e brezave të rinj dhe në afirmimin e shkencës në hapësirën kombëtare e ndërkombëtare. Një personalitet i tillë është pa dyshim akademik Hivzi Islami”, tha ajo.
Presidentja Shiroka Pula i vlerësoi vlerësoi dy librat e sapobotuara të akademik Islamit si vepra me interes të veçantë jo vetëm shkencor, por edhe me interes të shoqëror e ekonomik. Ajo tha se libri “Kosova: Tranzicioni i fundit demografik në Evropë”, i cili trajton transformimin demografik të Kosovës, përfshin lëvizjet dhe problemet gjithnjë e më të theksuara demografike me ndikim të jashtëzakonshëm në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Akademik Jusuf Bajraktari tha se këto dy botime janë rezultat i studimeve sistematike dhe trajtimeve shkencore shumëdimensionale të lëvizjeve demografike në Kosovë dhe në hapësirat shqiptare kudo. Ai theksoi se profesor Islami i trajton në mënyrë interdisiplinare të gjitha fenomenet demografike dhe refleksionet e tyre në proceset shoqërore, politike e ekonomike. Si të tilla, ato janë me vlerë të madhe edhe për studime të fushave që në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë kanë të bëjnë me dimensionet demgrafike.

Akademik Rexhep Ismajli paraqiti një vështrim të hollësishëm të librit “Studime demografike dhe sociologjike nër Kosovën dhe shqiptarët”. Ai tha se në këtë libër janë përmbledhur 44 studime të akademik Islamit në gjuhët slave, si edhe në gjuhën frënge, gjuhën gjermane, gjuhën angleze dhe gjuhën italiane, të botuara në përmbledhjet e konferencave shkencore apoi në revistat e specializuara në republikat e ish-Jugosllavisë dhe në Francë, Gjermani, Zvicër e Itali.
Akademik Ismajli u ndal më shumë te studimet për popullatën shqiptare në Kosovë në kontekst të popullatave të ish-republikave jugosllave,
“Këtë libër e shquan përzgjedhja rigorozisht profesionale e tematizimeve, trajtimi shkencor, ndriçimet e realiteteve, refuzimi i tezave që impononte propaganda në emër të shkencës me shtrirje të gjerë në mjedise e ndër autorë të shumtë nga Serbia. Në këtë vështrim vend të veçantë zënë studimet e tij lidhur me çështjen shumë të theksuar ndër autorët serbë e jugosllavë, jo rrallë me ngjeshje raciste, lidhur me lindshmërinë e shqiptarëve si prirje me prapavijë nacionaliste, si atavizëm, me synim pushtimet e hapësirave të të tjerëve, etj”, tha akademik Ismajli.
Ai tha se studimet e përbledhura në këtë libër janë rezultat i zellit, përkushtimit dhe profesionalizmit të akademik Islamit.

Akademik Isa Mustafa e vlerësoi punën e akademik Islamit në dimensione të veçanta – shoqërore, arsimore, ekonomike dhe politike. Ai theksoi se studimet demokrafike të Islamit kanë rëndësi të veçantë në procesin e hartimit të planeve modern të zhvillimit ekonomik.
Akademik Mustafa e vlerësoi edhe kontributin e akademik Islamit në procesin politik për pavarësin e Kosovës e më pastaj në procese të tjera të rëndësishme shoqërore e politike.

Autori i këtyre dy librave, akademik Hivzi Islami, e vlerësoi mbështetjen e kryesisë së Akademisë dh eish-kryetares Justina Shiroka – Pula, si edhe të kolegëve dhe të bashkëpunëtorëve që e kanë ndihmuar për mbledhjen e studimeve të botuara në botime të veçanta ose në revista shkencore në gjuhë të huaja.

Promovimi i këtyre dy botimeve u bë në një atmosferë solemne, duke qenë se me këtë rast u shënua edhe 80 vjetori i akademik Hivzi Islamit. Me këtë rast, Presidentja Justina Shiroka Pula, në cilësinë e ish-kryetares së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ia dorëzoi akademik Islamit një dhuratë simbolike, në emër të akademisë, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij në zhvillimin e këtij institucioni kulmor të dijeve dhe arteve në Kosovë.
Në mbyllje të programit u interpretuan tri pjesë muzikore nga pianistja e njohur Lejla Haxhiu Pula dhe soparnoja shumë e talentuar Kaltrina Miftari.
(r.m.)