Kurti në takim me komisioneren Kos: Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për BE

Shën Stefan (Mal i Zi), 21 tetor 2026 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me Komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos, në Shën Stefan në Mal të Zi, të mërkurën në mbrëmje, në prag të Samitit të Procesit të Berlinit.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës njoftoi se Kurti ka theksuar se Kosova do t’i përshpejtojë reformat për avancim në procesin e integrimeve everopiane. Ai e ka njoftuar komisioneren Kos se Kuvendi i Kosovës e ka miratuar javën e kaluar ligjin e fundit për integrim në SEPA, që do t’u kursejë qytetarëve, bizneseve dhe diasporës rreth 58 milionë euro në vit. Ai ka thënë se së shpejti do të fillojnë negociatat për bashkim në zonën pa tarifa shtesë të terlefonisë mobile “Roam like at Home”.

Kurti, siç thuhet në njoftim, ka thënë se pret që Komisioni Evropian të njohë progresin e Kosovës dhe të rekomandojë hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.

“Përparimi ynë demokratik, përkushtimi ndaj vlerave të përbashkëta dhe linjëzimi me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së duhet të reflektohen në hapa konkretë. Është e rëndësishme dhe e nevojshme, mbështetja proaktive e Komisionit për statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim”, ka thënë Kurti.

Kabineti i Kurtit thotë se Kosova i ka ratifikuar të gjitha marrëveshjet e arritura gjatë Procesit të e Berlinit, përfshirë atë për njohjen reciproke të diplomave të universiteteve, por Serbia nuk po i zbaton ato.

(r.m.)

Comment

*