Tiranë, 25 tetor 2026 – Erjon Vishkulli, 28-vjeçari i cili mbeti i plagosur në sy gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë, pritet të dërgohet për një mjekim më të specializuar në Romë.
Vishkulli i është nënshtruar një ndërhyrjeje të gjatë kirurgjikale mbrëmjen e së shtunës, por në sy ka ende trup të huaj. Mjekët kanë arritur në përfundimin se duhet kryer edhe një ndërhyrje e dytë kirurgjikale – ajo e vitrektomisë me heqjen e trupit të huaj.
“Sot kemi disa shenja pozitive pas konsultës me stafin e gjerë të kryer dhe në situata duket disi më e stabilizuar nga përfundimet që ne konstatuam dje. Gjithsesi përsëri stafi konstaton edhe ka arritur në përfundimin pra që duhet kryer edhe një ndërhyrje e dytë ajo e vitrektomisë me heqjen e trupit të huaj”, ka thënë ajo.
Mjekja ka thënë se ndërhyrje të tilla bëhen edhe në Tiranë, por Vishkulli do të dërgohet në një klinikë të specializuar për retinën dhe traumat në Itali.
“Ndërhyrje e cila në fakt kryhet në shërbimin e QSUT-së Nënë Tereza. Po për një ekspertizë më të mirë, të detajuar, për një rezultat më të mirë të mundshëm të 28-vjeçarit, kemi bërë një bashkëpunim me një klinikë të specializuar për retinën, traumat në Itali”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se Ministria e Shëndetësisë ka shprehur gatishmërinë të mbështesë
Kemi kontaktuar me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të cilët menjëherë janë vënë në dispozicion për të kryer transportin e pacientit sot dhe duke qenë në bashkëpunim me mjekun atje dhe me stafin atje në bashkëpunim të ngushtë me mjekët tanë si do të kryhet ndërhyrja e dytë”, ka thëmë mjekja.
Ajo ka thënë se tash për tash nuk mund të nxirren përfundime se a do të përmirësohet shikimi i Vishkullit pas ndërhyrjeve kirurgjikale edhe në Romë.
“Nga mjekët e spitalit Romës pritet një ndërhyrje më e specializuar, duke parë hap pas hapi se si do të jetë gjendja e syrit për një përfundim maksimal të mundshëm. Pra, për një përmirësim më të mirë. Kjo do të duket në ditët në vazhdim”, tha mjekja.
Erjon Vishkulli, në një intervistë për Top Cjannel, ka thënë se ai ka qenë diku 30 metra larg kordonit të policisë dhe pa kurrfarë reagimi kur është qëlluar me plumb gome.
“Shkova të takoja shokët dhe do të ikja. Kisha hequr maskën e oksigjenit dhe në atë moment takova një shok gazetar. I kisha diku 30 metra larg policët, pa asnjë reagim, pa asgjë. Vetëm kur më vjen një goditje, eca rreth dy metra dhe rashë në tokë”, ka thënë ai.
(r.m.)