Humbja e atdhetarit Osman Osmani, birit të Kosovës dhe të kombit shqiptar, nga Morina e Gjakovës, është e thellë dhe e dhimbshme, veçanërisht për ata prej nesh që patën fatin ta njihnin personalisht, të punonin me të dhe ta kishin mik e bashkëpunëtor.
Pata privilegjin ta njoh Osmanin nga afër, të jem mik me të, me vëllezërit e tij dhe me mbarë familjen Osmani.
Para më shumë se tri dekadash, kur zbrita me familjen time në aeroportin e Nju Jorkut, Osmani kishte dalë të na priste. U befasova shumë, sepse as nuk e kisha lajmëruar se po vija. Mikpritjen që ai dhe familja e tij na ofruan gjatë muajve të parë në Amerikë mund ta bëjë vetëm një familje e edukuar me traditat më të mira shqiptare të bujarisë, besës dhe solidaritetit.
Dhe kjo mikpritje nuk ishte vetëm për ne.
Osmanit dhe familjes Osmani nuk u mungoi kurrë gatishmëria për t’u dalë në ndihmë shumë shqiptaro-amerikanëve të tjerë që i solli jeta pranë tyre ose që kërkuan ndihmën e tyre. Ndihmuan njerëz për të gjetur punë, banim dhe për të përballuar shumë vështirësi të tjera të jetës së emigrantit në Amerikë.
Osman Osmani ishte anëtar i Bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të liderit historik të Ligës, ish-kongresistit Joseph DioGuardi. Për vite të tëra ishte ndër kontribuesit e rëndësishëm të Ligës, sidomos në ditët më të vështira për Kosovën. Kontributi i tij nuk u kufizua vetëm në Kosovë. Ai mbështeti edhe përpjekjet për demokraci në Shqipëri.
Së bashku me vëllezërit e tij, Hasanin dhe Esatin, mbajtën dhe përkrahën televizionin e komunitetit, Studio Viktoria. Kontribuuan në fondet për financimin e rezistencës së Kosovës dhe ndihmuan një numër të madh familjesh të varfra dhe familjesh të dëbuara me forcë nga Kosova.
Shumë nga këto vepra i bënë në heshtje, pa kërkuar mirënjohje dhe pa i bërë publike. Shpesh, ndihma e tyre as nuk merrej vesh.
Kjo e bën kontributin edhe më fisnik.
Osman Osmani u nda nga kjo botë, por trashëgimia e tij vazhdon. Gjurmët e punës, patriotizmit, bujarisë dhe kontributit të tij janë pjesë e historisë së përpjekjeve të diasporës shqiptare për Kosovën dhe për mbarë kombin shqiptar.
Familjes së tij, neve shokëve dhe bashkëpunëtorëve të Ligës, si dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njihnin, do të na mungojë prania e Osmanit. Do të na mungojë shoqëria e tij, fjala e tij e drejtpërdrejtë dhe, nganjëherë, edhe kritika e tij e shoqëruar me humor e satirë, por gjithmonë me qëllim të mirë.
Do të na mungojë edhe një shprehje e tij karakteristike, që sot tingëllon më prekëse se kurrë:
“Kështu asht jeta, baca i vet.”
Po, Osman, kështu është jeta. Por veprat e mira dhe kujtimi për njeriun mbeten.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes Osmani, të afërmve, miqve, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë atyre që e deshën dhe e respektuan.
I përjetshëm qoftë kujtimi dhe vepra e Osman Osmanit.
E lehtë qoftë toka e Kosovës për këtë burrë të madh të shqiptarisë.
Agim Aliçkaj
Drejtor Ekzekutiv
Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane
New York, 24 tetor 2026


