Preshevë, 25 tetor 2026 – Tetë parti shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja garuan me listën e përbashkët “Koalicioni Shqiptar” në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u mbajtën këtë të diel, më 25 tetor, në Serbi, me synimin për ta rritur përfaqësimin e tyre në Kuvend.
Pas mbylljes së vendvotimeve, bartësi i kësaj liste, Shaip Kamberi, tha se partitë shqiptare që garuan në zgjedhjet në Serbi synojnë dy mandate.
Në një prononcim për transmetuesin publik të Kosovës, Kamberi tha se pasivizimi i adresave ka ndikuar në humbjen e mundësisë së kësaj liste që të fitojë mandatin e tretë.
Ai tha se nëse dalja në zgjedhje do të jetë deri në 70 për qind, Koalicioni Shqiptar ka gjasa që të fitojë ulësen e dytë në Kuvendin serb.
Pas vitesh përçarjesh dhe rivalitetesh, partitë shqiptare u bashkuan me ndërmjetësimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Ato synojnë të fitojnë tri mandate në Kuvendin e Serbisë, ku komuniteti shqiptar kishte vetëm një deputet në përbërjen e kaluar.
Në “Koalicionin Shqiptar” bëjnë pjesë Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshim, Partia Demokratike, Partia Demokratike Shqiptare, Lëvizja për Progres Demokratik, Lëvizja për Reforma, Alternativa për Luginën dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve.
Partitë synojnë zbatimin e një plani prej shtatë pikash, të dakorduar më herët me Qeverinë e Serbisë. Ai përfshin përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore, rimëkëmbjen ekonomike të komunave të Luginës së Preshevës dhe përdorimin zyrtar të gjuhës, shkrimit dhe simboleve kombëtare shqiptare.
Përfaqësuesit shqiptarë prej vitesh ankohen për diskriminim, përfshirë në punësim, arsim dhe përfaqësim institucional. Beogradi zyrtar i mohon akuzat për diskriminim.
Belgzim Kamberi, nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” në Prishtinë, tha për REL-in se një përfaqësim më i madh parlamentar nuk mjafton në vetvete.
“Vlera e vërtetë e këtij përfaqësimi do të matet, para së gjithash, me ndikimin në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, përfaqësimin në institucione, avancimin e të drejtave individuale dhe kolektive dhe rikthimin e problemeve të kësaj zone në agjendën politike”, tha ai.
Sipas tij, përparësi për deputetët shqiptarë duhet të jenë rezultatet konkrete në punësim, arsim, përdorimin e gjuhës shqipe, zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe trajtimin e çështjes së pasivizimit të adresave.
Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2022, në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë.