Prishtinë, 26 tetor 2026 – Prokuroria Sepciale e Kosovës njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj Stefan Raduloviqit, i cili akuzohety për pjesëmarrje në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë aktakuzë ndaj të pandehurit S.R., për veprat penale ‘Kryerja e veprës terroriste’ dhe ‘Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas aktakuzës, më 24 shtator të vitit 2023, në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, i pandehuri S.R., së bashku me të pandehurit e tjerë të përfshirë në aktakuzën e ngritur më 11 shtator 2024, ka marrë pjesë në sulmin ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës, si pjesë e një grupi terrorist të strukturuar dhe të armatosur rëndë.
Raduloviqi, i cili është arrestuar në prill të këtij viti, gjendet në paraburgim.
Përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë e pati marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili gjendet i lirë në Serbi.
Më 24 prill të këtij viti Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar me burgim të përjetshëm Bllagoje Spasojeviqin dhe Vlladimir Tolliqin, ndërkaq Dushan Maksimoviqin e ka dënuar me 30 vjet burgim. Ata të tre janë në mesin e 42 personave të akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë, përfshirë Radoiçiqin.
Autoritetet e Kosovës kërkojnë me ngulm nga Serbia dorëzimin e Radojçiqit e të akuzuarve të tjerë për t’u përballur me drejtësinë në Kosovë. Por, Serbia refuzon t’i dorëzojë. Madje, presidenti i deridjeshëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka vlerësuar sulmin terrorist në Banjskë si akt në mbrojtje të “ekzistencës” së serbëve në Kosovë.
(r.m.)