Suspendohen 11 zyrtarë policorë pas rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt

Prishtinë, 29 tetor 2026 – Policia e Kosovës njoftoi se 11 zyrtarë policorë janw suspenduar lidhur me trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt e cila u vra në Vitomiricë të Pejës.

Në mesin e të suspenduarve janë ushtruesi i detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë, shefi i Hetimeve Rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i Stacionit Policor në Pejë, si dhe shefi i Sektorit të Hetimeve dhe ushtruesi i detyrës së shefit të Sektorit të Operativës në këtë stacion.

Suspendimi përfshin gjithashtu komandantin e Nënstacionit Policor në Vitomiricë dhe katër hetues policorë të Stacionit Policor në Pejë.

Policia tha se suspendimet janë bërë bazuar në rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), ndërsa ndaj zyrtarëve është duke u zhvilluar hetim paraprak për veprimet ose mosveprimet e tyre në trajtimin e rastit. Këto masa janë ndërmarrë në interes të zhvillimit të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përcaktimit të përgjegjësive individuale për trajtimin e rastit.

Policia tha se do të bashkëpunojë me institucionet përkatëse gjatë procesit hetimor lidhur me rastin.

Njoftimi i plotë i policisë:

Policia e Kosovës (PK), bazuar në Ligjin e Policisë së Kosovës, Udhëzimin Administrativ për Shkeljet, Masat dhe Procedurat Disiplinore në Policinë e Kosovës si dhe rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), ka suspenduar 11 (njëmbëdhjetë) zyrtarë policorë, lidhur me trajtimin e rastit të viktimës A. Z, të ndodhur në Vitomiricë të Pejës.

Ndaj zyrtarëve policorë është duke u zhvilluar një hetim paraprak nga Inspektorati Policor i Kosovës, lidhur me veprimet apo mos veprimet e tyre në rastin në fjalë.  Bazuar në rekomandimin e IPK-së, menaxhmenti i PK-së ka suspenduar: U.D/drejtorin Rajonal në DRP-Pejë, Shefin e Hetimeve Rajonale DRP – Pejë, Komandantin e Stacionit Policor – Pejë, Z.V/komandantin e Stacionit Policor – Pejë, Shefin e Sektorit të Hetimeve në Stacionin Policor –Pejë, U.D/Shefin e Sektorit të Operativës në Stacionin Policor – Pejë, Komandantin e Nënstacionit Vitomiricë dhe 4 (katër)  hetues policorë të Stacionit Policor – Pejë.

Suspendimet janë bërë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përgjegjësive individuale, në trajtimin e rastit. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e vlerave, integritetit dhe shërbimit në mënyrë të drejtë e të paanshme, si dhe do të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha institucionet relevante.

(r.m.)

Comment

*