Raportet për rastin e Arlinda Zekajt nxjerrin në pah lëshime serioze institucionale

Prishtinë, 30 tetor 2026 – Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, publikuan raportet e institucioneve përkatëse lidhur me ratin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Dy ministrat, në një konferencë të përbashkët për medie, thanë se raportet nxjerrin në pah një sërë lëshimesh gjatë trajtimit të këtij rasti me përfundim tragjik. Sipas raporteve, vrasja mund të ishte parandaluar sikur organet e drejtësisë dhe të policisë të mos e kishin neglizhuar rastin dhe të kishin vepruar me kohë konform dispozitave ligjore dhe përgjegjësisë së tyre.

Në raporte janë evidentuar lëshime në Prokurorinë dhe në Gjykatën Themelore në Pejë, në Policinë e Kosovës, në Qendrën për Punë Sociale dhe në Komunën e Pejës.

“Dokumentacioni i shqyrtuar deri tani nxjerr në pah mangësi serioze, vonesa dhe mosveprime institucionale. Konstatimi më shqetësues është se Arlinda Zekaj nuk u vra pa paralajmërim. Institucionet përgjegjëse kishin marrë paralajmërime të përsëritura dhe serioze për rrezikun ndaj jetës së saj”, tha Gërvalla.

Më pas ajo publikoi detajet e raportit të trajtimit të rastit të Arlindaj Zejakt nga Gjykata dhe nga Prokuroria themelore në Pejë dhe njoftoi për vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për pezullim nga detyra të kryeprokurores dhe prokurores së rastit.

Sveçla tha se edhe në raportin e Inspektoratit Policor të Kosovës janë evidentuar shkelje serioze nga zyrtarë policorë dhe pjesëtarë të zinxhirit komandues në rajonin e Pejës. Ai tha se ndër shkeljet e evidentuara janë mosekzekutimi i urdhrit të parë për mbrojtje, vonesa në zbatimin e urdhrit të dytë për mbrojtje dhe mosmarrja parasysh e kërkesës për rivlerësimin e rrezikut ndaj Arlindës.

Sveçla tha se hetimi i rastit të Arlindës duhet të shërbejë edhe për identifikimin dhe adresimin e mangësive në procedurat institucionale të trajtimit të rasteve të dhunës në familje dhe të mbrojtjes së viktimave.

Dy ministrat, dorëheqjet e të cilëve po kërkohen në protestat kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, thanë se dorëheqjet e tyre nuk do të kontribuonin për trajtim më të mirë të rastit të Arlindaj Zekajt.

“Ministria e Drejtësisë është përgjegjëse për politiket. Ministria e Drejtësisë, fatkeqësisht,nuk ka pushtet të drejtëpërdrejtë për të kërkuar realizimin e këtyre politikave”, theksoi Gërvalla.

“Po të konsideroja që dorëheqja do të ishte mekanizmi që do të kontriuonte për një identifikim më të saktë, më të shpejtë dhe më të thellë të përgjegjësive për veprim dhe mosveprim unë do ta kisha bërë këtë. Unë mendoj se pikërisht e kundërta është në interes të ndriçimit të plotë të rastit”, tha Gërvalla.

Ndërsa Sveçla tha se e kupton reagimin e protestuesve, por theksoi se dorëheqja e tij nuk do të kontribuonte në fuqizimin e grave dhe në mbrojtjen e të drejtave të tyre.

“Jam me protestuesit, e kuptoj indinjatën dhe mllefin e protestuesve”, theksoi ai.

Të dy ministrat thanë se presin që hetimet në vijim do të nxjerrin në pah përgjegjësinë e të gjitha institucioneve dhe zyrtarëve përgjegjës.

Gjatë kohës që Gërvalla e Sveçla po paraqitnin raportet për rastin e Arlinda Zekajt, një grup qytetarësh, kryesisht grad he vajza, protestonin para hyrjes në ndërtesën e qeverisë. Protestuesit tentuan të hyjnë në ndërtesë, por u ndaluan nga zyrtarët policorë.

(r.m.)

Comment

*