Prishtinë, 30 tetor 2026 – Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dha dorëheqje nga kjo pozitë, më 30 tetor.
Zyrra e Kryeministrit të Kosovës njoftoi se kryeministri Albin Kurti e ka pranuar dorëheqjen e Hoxhës dhe e ka liruar atë nga detyra. Ai e ka emëruar ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm të Policisë Fehmi Hotin.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot pranoi nga z. Gazmend Hoxha kërkesën për dorëheqje dhe e liroi atë nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës. Në përputhje me legjislacionin në fuqi, kryeministri Kurti, pas propozimit nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, caktoi ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, z. Fehmi Hoti”, thuhet në njoftim.
Dorëheqja e Hoxhës erdhi pesë ditë pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
Institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë në Kosovë po përballen me kritika për trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra nga ish-kunati i saj.
Një ditë para dorëheqjes së Hoxhës, Policia e Kosovës pezulloi nga detyra 11 zyrtarë policorë në lidhje me trajtimin e këtij rasti. Në mesin e të pezulluarve janë: ushtruesi i detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë, shefi i hetimeve rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i stacionit policor, drejtues të tjerë policorë dhe katër hetues.
Masa u ndërmorën edhe në sistemin prokurorial. Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokurorja që kishte trajtuar rastin, Arlinda Nallbani Gacaferri, u pezulluan nga detyra të premten.
Vrasja e Zekajt nxiti protesta në Prishtinë dhe në qytete të tjera të Kosovës, ku qytetarët kërkuan drejtësi për viktimën dhe përgjegjësi nga institucionet që e kanë trajtuar rastin. Protestuesit po kërkojnë edhe dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Gërvalla e Sveçla i publikuan sot raportet e organeve të drejtësisë dhe të policisë lidhur me rastin e Arlinda Zekajt, të cilat nxorën në pah lëshime serioze institucionale.
(r.m.)