Shqiptarja Alma Sarelli kandidon për Senatin e Shtetit të Connecticutit

Westport (Connecticut), 30 tetor 2026 – Emigrantja shqiptare Alma Sarelli ka shpallur kandidaturën për Senatin e Shtetit të Connecticutit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo e ka siguruar mbështetjen e Partisë Republikane dhe të Partisë së Pavarur të Connecticutit për të përfaqësuar distriktin e 26-të në Senatin e Shtetit të të Connecticutit.

Zgjedhjet për Senatin e Shtetit të Connecticutit do të mbahen më 3 nëntor 2026.

Alma Sarelli aktualisht mban një post të zgjedhur si anëtare e Takimit Përfaqësues të Qytetit (RTM) në Westport, ku është pjesë e katër komiteteve: mbrojtjes publike, arsimit, parqeve e rekreacionit dhe planifikimit urban.

Përveç angazhimit të saj në institucionet lokale, ajo është aktive edhe në jetën qytetare dhe në sektorin jofitimprurës të qytetit. Për katër vjet ka shërbyer si presidente e organizatës Neighbors & Newcomers of Westport, ndërsa aktualisht është anëtare e bordeve të disa organizatave jofitimprurëse.

Një pjesë e rëndësishme e historisë së saj familjare lidhet edhe me Shqipërinë. Sipas biografisë së publikuar në faqen zyrtare të fushatës së saj, babai i Sarellit është angazhuar në pajtimin e familjeve të përfshira në gjakmarrje në Shqipëri, duke ndërmjetësuar mes tyre dhe duke i ndihmuar të gjejnë rrugën drejt paqes.

Alma Sarelli thotë se kjo përvojë ka ndikuar në mënyrën se si ajo e koncepton shërbimin publik, duke vënë në qendër dëgjimin, ndërtimin e besimit dhe gjetjen e pikave të përbashkëta mes njerëzve.

Me kandidaturën për Senatin e Connecticutit, ajo synon të sjellë në politikën shtetërore përvojën e saj si emigrante, sipërmarrëse, nënë, avokate e komunitetit dhe zyrtare e qeverisjes lokale.

Alma është me origjinë nga Shkodra. Ajo është një grua që jetën në Amerikë e ka ndërtuar pa i shkëputur rrënjët shqiptare. Ajo dhe bashkëshorti i saj me origjinë nga Ulqini i kanë katër fëmijë. Studimet për menaxhim biznesi i ka mbaruar në Universitetin e Berkeleyt, paralelisht me rritjen e fëmijëve.  

Sot, së bashku me bashkëshortin e saj, e drejton një kompani për organizimin e eventeve dhe argëtimit.

Një pjesë e rëndësishme e identitetit dhe personalitetit të Almës lidhet edhe me të atin, i cili në Shqipëri drejtonte Shoqatën e Pajtimit të Gjaqeve. Ajo thotë se nga i ati e ka mësuar rëndësinë e shërbimit për vendin ku jeton dhe përgjegjësin ndaj shoqërisë.

Alma Sarelli në të vërtetë është Alma Shkreli. Ajo e ndryshoi mbiemrin nga Shkreli në Sarelli në fillimet e jetës së bashkëshortit të saj në Amerikë, për shkak të vështirësive që amerikanët kishin me shqiptimin e mbiemrit. Tani Alma thotë se ka ardhur koha që shqiptarët ta njohin sërish familjen e saj me mbiemrin e vërtetë.

(Telegrafi dhe ABC News)

Comment

*