
Nga Eduard M. Dilo
Ikëm nga Atdheu jo sepse nuk e deshëm, por sepse na detyruan të largoheshim.
Nuk ikëm nga vendi ynë; ikëm nga padrejtësia, nga përndjekja, nga një regjim që na mohoi lirinë, dinjitetin dhe të ardhmen.
Klika që sundoi për gjysëm shekulli na e shndërruan jetën në ferr. Nuk na lejohej të mendonim lirshëm, të flisnim lirshëm, të jetonim si njerëz të lirë.
Edhe fryma ishte e ndaluar.
Në vitet e errëta të diktaturës, burgjet dhe kampet e internimit u mbushën me bijtë dhe bijat më të ndershme të këtij kombi.
Shumë prej tyre nuk kishin bërë asnjë krim. “Faji” i vetëm ishte dashuria për Atdheun, besimi te liria dhe refuzimi për t’u përkulur para së keqes.
Na mohuan të drejtën për arsim, për punë, për pronë dhe për një jetë normale.
Na kërkonin vetëm bindje të verbër, duartrokitje dhe heshtje. Na detyronin të shpifnim kundër njerëzve tanë, sepse kështu urdhëronte partia kriminale që mbolli frikë dhe gjak në çdo cep të vendit.
Shumë nga njerëzit tanë vdiqën në burgje dhe internime. Shumë familje nuk patën as të drejtën të qanin mbi një varr, sepse edhe vdekja u trajtua me mizori.
Pastaj erdhi ndryshimi i sistemit. U fol për demokraci, për liri dhe drejtësi. Por për shumë prej nesh, ajo mbeti vetëm një premtim i pambajtur. Ata që dje shërbenin me besnikëri diktaturën, u zgjuan të nesërmen me petkun e demokratit.
U ndryshuan emrat, ngjyrat dhe sloganet, por jo gjithmonë mendësia.
Ata që sakrifikuan më shumë nuk morën drejtësinë që meritonin. Pronat nuk iu kthyen, plagët nuk u shëruan dhe e vërteta shpesh mbeti e pambrojtur. Për shumë familje, demokracia nuk solli drejtësinë e pritur.
Prandaj morëm rrugët e botës. Punojmë, jetojmë dhe ndërtojmë jetën larg vendlindjes, jo nga dëshira, por nga domosdoshmëria.
Në pamundësi për të marrë me vete edhe varret e të parëve tanë, shkojmë t’i vizitojmë aty ku prehen në përjetësi.
Dhe kur kthehemi, kthehemi për të përqafuar kujtimet, për të ndezur një qiri mbi varret e të parëve tanë dhe për të kujtuar
Ata që u grabiten lirinë dhe vatren familjare ua zëvendesuan me burgje dhe interrnime.
Ne e duam Shqipërinë. E kemi dashur përherë dhe do ta duam gjithmonë. Dashuria jonë për Atdheun nuk matet me pushtetet që kanë ardhur e kanë ikur, por me sakrificat që kanë bërë breza të tërë për të.
Na vranë,masakruan, na burgosën, na internuan, na morën pronat, na mohuan të drejtat dhe na detyruan të marrim rrugët e mërgimit. Por një gjë nuk arritën ta shkatërronin kurrë: besimin se e vërteta nuk vdes dhe dashuria për Atdheun nuk shuhet.
Historia nuk duhet harruar. Jo për hakmarrje, por për drejtësi. Jo për të mbajtur gjallë urrejtjen, por për të mos lejuar që padrejtësitë e së shkuarës të përsëriten kurrë më.