Tre të arrestuar në Kosovë në aksionin ndërkombëtar kundër mashtrimeve me investime

Prishtinë, 3 nëntor 2026 – Tre persona u arrestuan në Kosovë si pjesë e një operacioni ndërkombëtar kundër një rrjeti të dyshuar kriminal, që u premtonte njerëzve fitime të shpejta përmes platformave të rreme të investimeve në internet.

Skema dyshohet se ka pasur viktima në të paktën 50 vende, ndërsa humbjet financiare të identifikuara nga hetuesit tejkalojnë katër milionë euro, sipas agjencisë evropiane të policisë, Europol.

Në Kosovë, Policia bastisi më 3 nëntor pesë lokacione në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Ferizaj, me urdhër të Prokurorisë Speciale.

“Si rezultat i këtij operacioni janë arrestuar tre persona M.P., I.H., dhe F.Z., nën dyshimin për kryerjen e veprave penale të pjesëmarrjes ose organizimit të grupit të organizuar kriminal, mashtrimit, hyrjes së paautorizuar kompjuterike dhe mashtrimit kompjuterik”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Operacioni përfshiu edhe Shqipërinë, Qipron, Finlandën, Gjermaninë, Izraelin dhe Maqedoninë e Veriut.

Në total, autoritetet kontrolluan 17 lokacione dhe sekuestruan mbi 100 serverë, si dhe prova e pasuri të tjera.

Europol-i raportoi, gjithashtu, për shtatë persona të arrestuar me qëllim ekstradimin në Gjermani, por nga njoftimet zyrtare nuk është e qartë nëse në këtë numër përfshihen edhe tre personat e arrestuar në Kosovë.

Si funksiononte mashtrimi?

Gjithçka niste me një reklamë në internet që premtonte fitime të mëdha dhe të shpejta nga investimet në kriptovaluta, aksione apo valuta të huaja.

Personat që shfaqnin interes, drejtoheshin në platforma që dukeshin si faqe të ligjshme investimesh.

Të dhënat e tyre personale më pas u shiteshin grupeve kriminale që operonin qendra të thirrjeve.

Prej aty, persona që paraqiteshin si ndërmjetës financiarë, i kontaktonin dhe i bindnin të investonin.

“Viktimat fillimisht nxiteshin të transferonin një shumë të vogël. Më pas, llogaritë e tyre në internet shfaqnin fitime fiktive, duke krijuar përshtypjen se platforma ishte e besueshme dhe investimi i suksesshëm”, shpjegon Europol-i.

Të bindur se po fitonin, viktimat nxiteshin të transferonin shuma gjithnjë e më të mëdha, shpesh nën presion të vazhdueshëm psikologjik.

Problemi shfaqej kur kërkonin t’i tërhiqnin paratë.

Operatorët gjenin arsyetime për t’i shtyrë pagesat, derisa në fund ndërprisnin çdo kontakt.

Çfarë lidhjeje kishte Kosova me rrjetin?

Hetuesit dyshojnë se pas platformave mashtruese qëndronte një kompani që vepronte nga Qiproja dhe Izraeli dhe që furnizonte grupe kriminale me faqe të rreme për tregtim financiar.

Kompania dyshohet se u ofronte grupeve të tjera infrastrukturën teknologjike për kryerjen e mashtrimeve, sipas një modeli të njohur si ‘crime-as-a-service’, apo ofrimi i shërbimeve për veprimtari kriminale.

Hetuesit identifikuan gjithashtu klientë të dyshuar të kompanisë, të lidhur me qendra të thirrjeve që dyshohet se përdoreshin për mashtrime në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut.

Përmasat e veprimtarisë së dyshuar në Kosovë mbeten të paqarta.

Autoritetet nuk kanë treguar se sa persona mund të jenë mashtruar nga qendrat e thirrjeve që vepronin në vend, as sa para mund të jenë përfituar përmes tyre.

Video e shpërndarë nga Policia e Kosovës:

Hetimi nisi nga ankesa e një çifti gjerman

Rrjeti nisi të zbulohej në vitin 2022, kur një çift në Gjermani raportoi se nuk po arrinte t’i tërhiqte paratë e investuara përmes një platforme tregtimi në internet.

Ankesa çoi në një hetim që gradualisht zbuloi lidhje mes grupeve të dyshuara kriminale në disa shtete.

Operacioni i parë ndërkombëtar, i zhvilluar po atë vit, rezultoi me arrestimin e dy personave dhe sekuestrimin e provave.

Analiza e materialeve ndihmoi hetuesit të identifikonin shtatë të dyshuar të tjerë, përfshirë persona që dyshohet se drejtonin qendra të thirrjeve.

Një operacion i dytë, në vitin 2025, solli arrestime të tjera dhe sekuestrimin e parave dhe provave, të cilat i çuan hetuesit te kompania që dyshohet se siguronte infrastrukturën teknologjike për mashtrimet.

Hetimi katërvjeçar u drejtua nga Prokuroria Publike e Itzehoes në Gjermani.

Operacioni i 3 nëntorit u mbështet nga Europol-i dhe Agjencia e BE-së për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale, Eurojust, që ndihmuan në shkëmbimin e informacioneve dhe koordinimin e veprimeve mes vendeve të përfshira.

Ekspertë të Europol-it u dërguan edhe në Kosovë dhe Shqipëri për të ndihmuar në analizimin e provave digjitale.

(Evropa e Lirë)

Comment

*