Përplasja me Ramën, Veliaj kërkon hetim në Gjykatën e Posaçme

Kryebashkiaku nën akuzë, Erion Veliaj e çoi konfliktin me kryeministrin Edi Rama në Gjykatën e Posaçme përmes një deklarate dhe kërkoi hetimin e plotë të ngjarjeve, por trupi gjykues vlerësoi se nuk mund të verifikojë pretendimet e tij.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e çoi përplasjen me kryeministrin Edi Rama në Gjykatën e Posaçme të martën, përmes një deklarate me shkrim që u lexua në seancë.

Veliaj nuk u paraqit në gjyq, por ai deklaroi se do të përfaqësohej nga avokati Plarent Ndreca si dhe i kërkoi gjykatës që të lexonte një deklaratë të tij.

Kryesuesja e trupi gjykues, Elsa Ulliri lexoi deklaratën ku Veliaj shpjegoi transferimin e tij në burgun e Fierit, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama si urdhërues të këtij transferimi.

“Siç jeni vënë në dijeni nga media, Avokati i Popullit dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, të mërkurën e javës së kaluar jam rrëmbyer nga një togë shoqërimi pa m’u treguar urdhri sekret pse po lëvizja, ku po shkoja dhe si justifikohet largimi me 100 kilometra të tjera shtesë nga gjykata ku po gjykohem, nga familja ime me dy të mitur e nënën pensioniste dhe nga Bashkia e Tiranës që drejtoj,” shkruante Veliaj në letër.

“Unë përgjigjen e mora të premten afër mesnatës, kur ministri i Drejtësisë, z.Gogu më bëri të ditur qartë se jam transferuar me urdhër personal të kryeministrit Rama, që të bëj burg tamam dhe t’ia di për nder se prokurorët po bëheshin gati të më shtojnë akuza të tjera, ku më e rënda do qe ajo e prishjes së rendit kushtetues për përkrahjen, organizimin dhe financimin e protestave të Flamingove dhe studentëve,” shton më tej Veliaj në letër, duke e konsideruar këtë pretendim si të pavërtetë.

Veliaj kërkoj gjithashtu hetim për këto episode, të cilat i konsideroi të paligjshme.

“Kjo kërkon një hetim të plotë, të thellë e të pavarur. Po e lë në gjykimin tuaj marrjen e masave me besim të plotë në integritetin tuaj,” lexoi Ulliri deklaratën e Veliajt.

Në përfundim të seancës, kryesuesja Ulliri vërejti se gjykata nuk i verifikon dot pretendimet e Veliajt, me argumentin se nuk e ka kompetencën dhe sugjeroi adresimin e tyre pranë institucioneve kompetente.

Pretendimet nga burgu të Veliajt për përfshirjen direkte të kryeministrit Edi Rama në transferimin e tij me qëllim dorëheqjen nga Bashkia e Tiranës kanë thelluar konfliktin mes dy bashkëpunëtorëve të dikurshëm.

Ndryshe nga sa pretendon Veliaj, ministri i Drejtësisë, Toni Gogu pranoi se e kishte takuar Veliajn në burg, por mohoi në mënyrë kategorike që t’i ketë përcjellë atij mesazhe nga kryeministri. Gogu i konsideroi akuzat e Veliajt si të pavërteta dhe sajime.

Avokati Plarent Ndreca deklaroi pas përfundimit të seancës se janë duke vlerësuar nëse për rrethanat e denoncuara do të kryejnë kallëzim penal.

Veliaj ndodhet në qeli prej 10 shkurtit 2025, kur u arrestua nga Prokuroria e Posaçme për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave përmes një skeme që përfshin edhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Sipas SPAK, Veliaj dhe Xoxa kanë përfituar rreth 1 milion euro nga kjo skemë e dyshuar korruptive, para që janë përdorur kryesisht për stilin e jetesës dhe blerje luksoze në internet. Veliaj i ka mohuar akuzat dhe zhvilloi një betejë gjyqësore ndaj prokurorit të çështjes së tij, Ols Dado.

Seanca u shty për në datën 17 nëntor, në orën 10:00.

(Reporter.al)

Comment

*