BIRN: Problemi i mbeturinave e rëndon Prishtinën, kryetari i saj shpreh ambiciet politike

Kryetari i komunës së Prishtinës dhe qeveria e Kosovës po fajësojnë njëri-tjetrin për mbeturinat që po i japin kryeqytetit një pamje të shëmtuar; kjo krizë rrezikon të dëmtojë ambiciet politike të kryetarit të komunës.

 

Në fillim të këtij muaji, në një video të realizuar nga një influencues në Nju-Jork, kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, shpalosi ambicien e tij më të fundit – të bëhet kryeministër i Kosovës.

Reagimi i shumë banorëve të kryeqytetit të Kosovës ishte, për ta thënë më së paku, ironik.

Ata vërshuan rrjetet sociale me fotografi dhe video që pasqyronin krizën e mbeturinave që ka përfshirë Prishtinën gjatë dy viteve të fundit, duke vënë në pikëpyetje gatishmërinë e Ramës për të udhëhequr vendin, kur nuk arrin të zgjidhë as problemet e qytetit më të madh të tij.

Mbeturinat e pa mbledhura rëndojnë rregullisht pamjen e rrugëve të Prishtinës, si pasojë e mungesës së burimeve dhe një mosmarrëveshjeje mes autoriteteve lokale dhe qeverisë qendrore.

Javën e kaluar, Rama, i cili nuk është anëtar i ndonjë partie politike, por kandidoi për kryetar komune në emër të partisë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, deklaroi se përgjegjësia për krizën bie mbi qeverinë qendrore. Ai akuzoi ministrin e Financave, Hekuran Murati, se nuk kishte miratuar fondet e nevojshme për pagesën e kamionëve të rinj të mbeturinave dhe kontejnerëve.

Rama tha se qeveria po pengonte përpjekjet e komunës për të krijuar një kompani të re të pastrimit të qytetit, ndërkohë që po ndalonte edhe shkarkimin e mbeturinave nga kamionët në deponinë e mbeturinave gjatë natës.

“Pastaj qyteti mbushet me mbeturina”, tha ai për TV Dukagjini. “Më pas i fotografojnë dhe më thonë: ‘Shiko se si e ke mbushur qytetin me plehra’”.

Agron Demi, bashkëthemelues i institutit kërkimor mjedisor me bazë në Prishtinë, Atlas Institute, e mirëpriti njoftimin e bërë nga Rama në fund të shtatorit se qyteti do të themelonte një kompani të re për pastrimin, por paralajmëroi se kjo nuk do të mjaftonte.

“E gjithë infrastruktura duhet të rishikohet dhe të rinovohet, duke përfshirë kontejnerët e mbeturinave, kamionët e grumbullimit, madje edhe deponinë qendrore ku mbeturinat përfundojnë për t’u depozituar”, tha Demi për BIRN.

Burime të shumta të ndotjes nga mbeturinat

perparim rama mayor of pristina. photo birn 1536x864

Përparim Rama, kryetar i Komunës së Prishtinës. Foto: BIRN.

Në të gjithë kryeqytetin, mbeturinat grumbullohen vazhdimisht në rrugë, trotuare, parkingje dhe hapësira të përbashkëta publike, ndërsa ujërat e zeza derdhen në rrugë dhe shtigje për këmbësorë, duke vështirësuar lëvizjen e përditshme dhe duke i ekspozuar banorët ndaj kushteve të pakëndshme dhe potencialisht të dëmshme për shëndetin.

“Banorët nuk duhet të detyrohen të jetojnë të rrethuar nga mbeturinat vetëm sepse disa njerëz nuk i respektojnë hapësirat publike ose sepse mbeturinat nuk largohen në kohë”, tha Milaim Krasniqi, banor i Prishtinës.

Pothuajse të gjitha mbeturinat që grumbullohen ligjërisht në Kosovë përfundojnë në njërën prej tetë deponive publike, pa u klasifikuar apo ricikluar.

Sipas raporteve zyrtare, pothuajse asnjëra prej këtyre deponive nuk i përmbush standardet mjedisore dhe ato duhet të mbyllen. Një raport i majit 2026, i publikuar nga organizata joqeveritare mjedisore EcoZ, identifikoi 379 deponi ilegale, prej të cilave 16 ndodhen në Prishtinë.

“Prishtina përballet me disa burime ndotjeje që lidhen drejtpërdrejt me rritjen e shpejtë dhe planifikimin e pamjaftueshëm urban”, tha Egzona Shala Kadiu, drejtoreshë ekzekutive e EcoZ.

“Një nga problemet më të dukshme është menaxhimi joefikas i mbeturinave: kontejnerët e tejmbushur, grumbullimi i parregullt, deponitë ilegale dhe mungesa e ndarjes së mbeturinave që në burim. Pjesa dërrmuese e mbeturinave ende përfundon në deponi, ndërsa riciklimi dhe ripërdorimi mbeten në nivele të kufizuara.”

Komuna e Prishtinës akuzon qeverinë qendrore se po ia kufizon qasjen në deponinë e Mirashit, ku hidhen mbeturinat e kryeqytetit.

26.10.2026 e1793113084265 1280x721

Grumbuj mbeturinash të pambledhura në një lagje të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë, më 26 tetor 2026. Foto: BIRN.

Megjithatë, më 14 tetor, kompania publike përgjegjëse për deponitë, KMDK, deklaroi se deponia e Mirashit kishte qenë e hapur 24 orë në ditë deri më 30 shtator të këtij viti. Që nga ajo datë, deponia mbyllet gjatë natës, ndërsa KMDK-ja e arsyetoi këtë vendim me kostot e mbajtjes së saj hapur dhe shqetësimet për sigurinë e punonjësve.

“Rrjedhimisht, ne konsiderojmë se situata aktuale në Prishtinë nuk mund t’i atribuohet mbylljes së deponisë. Përkundrazi, ajo kërkon një vlerësim më të gjerë të mënyrës se si organizohet dhe menaxhohet shërbimi i grumbullimit dhe transportimit të mbeturinave”, thuhej në deklaratë.

Petrit Reçica, drejtues i kompanisë përgjegjëse për grumbullimin e mbeturinave në Prishtinë, Pastrimi, këmbënguli se kompania i grumbullon mbeturinat rregullisht.

“Problemi është se mëngjesin e ardhshëm, në të njëjtin vend ku kemi larguar gjithçka, shfaqet pothuajse e njëjta sasi mbeturinash”, tha ai, duke i inkurajuar banorët që sasitë e mëdha të mbeturinave t’i dërgojnë në pikat e caktuara për deponimin e tyre. Reçica tha se ndryshimi i orarit të punës së deponisë kishte ndikuar vërtet në këtë situatë.

Shala Kadiu bëri thirrje për krijimin e një “drejtorie të posaçme për mjedisin” brenda komunës, “të përbërë nga profesionistë dhe e pajisur me një buxhet të veçantë, si dhe me përgjegjësi të qarta lidhur me cilësinë e ajrit, menaxhimin e mbeturinave, burimet ujore, biodiversitetin dhe hapësirat e gjelbra”.

“Për më tepër”, tha ajo, “kapacitetet e inspektoratit duhet të forcohen dhe i gjithë procesi i inspektimit – nga raportimi i shkeljeve dhe dokumentimi i tyre, deri te shqiptimi dhe ndjekja e gjobave – duhet të digjitalizohet”.

“Zbatimi i ligjeve dhe shqiptimi i gjobave për shkeljet mjedisore duhet të jenë të panegociueshme dhe të zbatohen njësoj ndaj qytetarëve, bizneseve dhe operatorëve publikë, pa asnjë ndërhyrje nga jashtë apo trajtim selektiv”, tha Shala Kadiu për BIRN.

Mbeturinat politike

ujerat e zeza 20.10.2026 e1793113325492 1280x721

Rrjedhje e ujërave të zeza në një rrugë të Prishtinës, më 20 tetor 2026. Foto: BIRN.

Më 14 tetor, zëvendëskryetarja e Ramës, Besiane Musmurati, akuzoi qeverinë se po bllokonte një projekt me vlerë rreth 74 milionë euro, në bashkëpunim me Bankën Gjermane për Zhvillim, për blerjen e 100 kamionëve shtesë për grumbullimin e mbeturinave dhe 10,000 kontejnerëve, si dhe për hapjen e një qendre riciklimi.

Megjithatë, qeveria thotë se përgjegjësia bie tërësisht mbi Ramën.

Më 21 tetor, ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, njoftoi se inspektorët e ministrisë së saj kishin konstatuar një “katastrofë mjedisore” në kryeqytet.

“Inspektorati i Mjedisit i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka inspektuar gjendjen në Prishtinë dhe ka konstatuar kushte të rënda, të cilat po rrezikojnë drejtpërdrejt shëndetin publik”, tha Pacolli. “Janë shqiptuar gjoba ndaj institucioneve përgjegjëse për këtë katastrofë mjedisore.”

“Nëse kryetari i komunës, Përparim Rama, dhe i gjithë zinxhiri i tij drejtues dështojnë në një detyrë kaq themelore, qytetarët kanë të drejtë të pyesin se cili është qëllimi i kësaj administrate.”

Ndërkohë, Rama ka njoftuar për përfshirjen e Prishtinës në lëvizjen globale urbane Fab City, e cila synon t’i transformojë qytetet “nga një model linear ekonomik në një model lokal prodhues, qarkor dhe rigjenerues”.

mbeturinat 13.10.2026 e1793113491206 1280x721

Mbeturina të pambledhura në një zonë banimi në Prishtinë, më 13 tetor 2026. Foto: BIRN.

Nikki Murseli, drejtoreshë ekzekutive e DYVO Lab me seli në Prishtinë, platforma e parë e dizajnit të qëndrueshëm në Kosovë dhe organizatore e Javës së Dizajnit të Qëndrueshëm në Prishtinë, tha për BIRN: “Në aspektin konceptual, Lëvizja Fab City është një platformë ideale.”

Ajo tha se, ndonëse jo gjithmonë është zbatuar plotësisht, “studimet e fundit tregojnë se ajo tashmë është realizuar në rrethana të jashtëzakonshme, siç është rasti i Ukrainës”.

Shala Kadiu e mirëpriti këtë nismë, por paralajmëroi se ajo duhet të jetë më shumë sesa thjesht “një formë promovimi ndërkombëtar”.

“Nëse procesi zhvillohet me transparencë, investime të qëndrueshme dhe pjesëmarrje të qytetarëve, Fab City mund të jetë një mundësi e mirë për Prishtinën”, tha ajo. “Përndryshe, ekziston rreziku që ajo të mbetet vetëm një zotim formal, pa ndikim të prekshëm në jetën e përditshme të qytetarëve.”

“Ky zotim duhet të përkthehet në ndryshime konkrete në mënyrën se si qyteti prodhon, konsumon dhe menaxhon burimet.”

“Për Prishtinën, kjo do të nënkuptonte mbështetjen e bizneseve të gjelbra dhe prodhuesve vendorë, krijimin e qendrave për riparim dhe ripërdorim, riciklimin e materialeve, ngritjen e laboratorëve të inovacionit, zbatimin e prokurimit të gjelbër publik, si dhe përfshirjen e universiteteve, organizatave dhe komunitetit.”

(Reporter.al)

Comment

*