“Spiro Shetuni, etnomuzikologu i shquar arumun i studimeve albanologjike”

Punim nga Vasil S. Tole

Vasil S Tole (majtas) dhe Spiro Shetuni

Abstrakt

Punimi “Spiro Shetuni, etnomuzikologu i shquar arumun i studimeve albanologjike” fokusohet në jetën dhe veprimtarinë studimore dhe akademike të dr. Spiro J. Shetunit, e ndarë në dy faza kryesore: ajo e studimeve të kryera në Shqipëri, si dhe faza e studimeve në Amerikë, po në fushën albanologjike, me interes të veçantë te stilet muzikore popullore në muzikën shqiptare dhe mbi muzikën popullore tradicionale arumune. Vepra e tij si një e tërë është shumëdimensionale dhe trajton një sërë çështjesh, ndër të cilat më të rëndësishmet janë ato që lidhen me muzikën tradicionale shqiptare në përgjithësi, si: thelbi përmbajtjesor, thelbi formal, thelbi kombëtar dhe thelbi estetik universal; çështje të dialekteve kryesore të muzikës tradicionale shqiptare; dialekti muzikor gegë, toskë, lab dhe qytetar, duke përfshirë veçoritë dalluese, mjetet shprehëse, stilet dhe gjinitë muzikore; çështje të ndërveprimit ndërmjet muzikës tradicionale shqiptare dhe muzikës së popujve të tjerë, si muzika tradicionale greke, ajo arumune dhe muzika profesionale turke; si dhe çështje që lidhen me të ardhmen e muzikës tradicionale shqiptare etj. Në thelb artikulli është një homazh për jetën dhe veprimtarinë e këtij studiuesi të shquar të trashëgimisë sonë kulturore.

 

 

 

Spiro J. Shetuni (1951-2021) është etnomuzikolog i shquar shqiptar me origjinë arumune i gjysmës së dytë të shek. XX, specialist i studimeve në fushën e muzikës popullore tradicionale. Ai lindi në vitin 1951 në fshatin arumun Andon Poçi në Gjirokastër. Shkollën e mesme e kreu në liceun “Jordan Misja” në vitet 1967-1970 në degën e teoritikut. Në vitet 1971-1975 kreu studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë në degën e muzikologjisë. Qysh në vitet e shkollës tregoi një prirje drejt studimit të folklorit muzikor, prirje të cilën e finalizoi me punimin e diplomës me temën “Folklori muzikor i arumunëve të fshatit Andon Poçi”.

 

Punimi i tij i diplomës ishte i pari që fokusoi vlerat e muzikës popullore të arumunëve[1] në Shqipëri. Spiroja shkroi për traditën e tyre shumëzërëshe, për të cilën prof. Çabej kishte konstatuar se grekët veriorë të Epirit këndojnë pas mënyrës labe dhe arumunët frashëriotë këndojnë me meloditë e këngës toskërishte. Shituni e shtjellon këtë tezë të Çabejit duke thënë se kjo ndodhi qysh në kohët kur folklori muzikor arumun lindi shekuj më parë në truallin shqiptar, aty ku kishte lulëzuar një folklor i mirëfilltë. Falë veprës së Spiros mori qytetarinë termi vllaçe, do të thotë që mënyra e interpretimit të këngës apo valles popullore i përket traditës muzikore të popullsisë arumune të Shqipërisë.  

 

Pas përfundimit të shkollës ai punoi për disa vjet në rrethin e Tepelenës, ku filloi edhe interesimet e para konkrete në terren për mbledhjen dhe studimin e shumëzërëshit popullor lab, fushë të cilën më pas e ktheu në vëmendjen kryesore të punës së tij si etnomuzikolog. Në vitet 1980-1992 punoi si etnomuzikolog pranë Institutit të Kulturës Popullore. Në këto vite Shituni formoi edhe portretin e tij të plotë si etnomuzikolog, punë e cila u finalizua në fund të viteve ’80 të shek. XX, me mbrojtjen e doktoraturës, me punimin me temë “Polifonia labe”[2]. Kjo është një vepër unike, pasi në kohën kur u botua dhe deri më sot, trashëgimia muzikore e polifonisë labe nuk ishte bërë objekt i ndonjë monografie. Për këtë studim, prof. Çesk Zadeja shkroi artikullin “Vepër e denjë e etnomuzikologjisë sonë”, duke theksuar, ndër të tjera, se me anë të këtij studimi përmbushen tri kërkesa themelore: përgjithësimi teorik i një pjese të muzikës popullore shqiptare, duke e diferencuar qartë atë, sidomos nga pjesa tjetër e muzikës sonë polifonike: krijimi i mundësisë së ndërmarrjes, në të ardhmen, të një studimi krahasues me muzikën polifonike të popujve të tjerë, veçanërisht fqinjë; u jepet një ndihmë edhe kompozitorëve tanë në kërkimet e vazhdueshme të tyre për të thelluar karakterin kombëtar popullor të muzikës profesioniste[3].

 

Gjatë këtyre viteve drejtoi edhe sektorin e etnomuzikologjisë, si dhe mori pjesë si referues në konferenca, kongrese dhe takime të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare mbi muzikën popullore. Ka shkruar me dhjetëra artikuj[4] në shtypin e specializuar, si dhe në atë periodik. Ka përgatitur për botim[5] (me bashkautor) përmbledhjen me transkriptime muzikore “Këngë e melodi nga festivalet folklorike kombëtare” (1968-1973-1978), Tiranë, 1986, si dhe “Këngë polifonike labe”, Tiranë, 1986 etj.

Në vitin 1992, si studiues i programit Fulbright, Shituni u largua nga Shqipëria për të jetuar në Shtetet e Bashkuara, ku vazhdoi të kryejë kërkime mbi muzikën tradicionale urbane të Shqipërisë në Universitetin e Kalifornisë (Los Anxhelos) dhe njëherazi vijoi aktivitetin studimor dhe akademik[6]. Spiroja u angazhua edhe në veprimtari mësimdhënëse. Për shumë vjet ai dha dy lëndë muzikore në Universitetin Shtetëror të Ohajos (Columbus, Ohio, SHBA): Arti i muzikës: Hyrje dhe Botët e muzikës: Hyrje në muzikën e popujve të botës (1993–2000). Në vitet në vijim ai punoi në tri universitete të tjera amerikane: Prairie View A&M University of Texas (Prairie View, Texas, SHBA) (2000–2001); University of Miami (Coral Gables, Florida, SHBA) (2001–2006); Winthrop University (Rock Hill, South Carolina, SHBA) (pas 2007-s). Referuar edhe vetë opinionit të Shetunit, punimet e tij të shkruara në Amerikë mund të grupohen në katër kategori kryesore:

-monografi që trajtojnë muzikën tradicionale të popullit shqiptar;
-monografi që trajtojnë muzikën profesionale shqiptare;
-monografi kushtuar historisë së popullit arumun;
-monografi që trajtojnë muzikën tradicionale arumune.

Për interesin e gjerë studimor të Shitunit, Visar Munishi thotë se: … me përkushtim të veçantë Shetuni trajton vlerën estetike që ka muzika tradicionale e hapësirave të ndryshme gjeografike të Shqipërisë duke u përqendruar në dy dialektet qenësore të asaj gege dhe toske. Me një analizë të vëmendshme Shetuni hyn edhe në probleme aspak të lehta dhe të sigurta. Fjala është për ndikimet, ndërndikimet, afritë mes muzikës shqiptare dhe asaj turke, greke dhe të tjerëve[7]. Me rëndësi të veçantë është seria prej gjashtë librash “Albanian Traditional Music”, e cilësuar edhe si “vepër fondamentale”[8] dhe “vepër monumentale e etnomuzikologjisë shqiptare”[9] me këta tituj:

  • Albanian Traditional Music: An Introduction, with Sheet Music and Lyrics for 48 Songs. Jefferson, North Carolina dhe London: McFarland & Company, Inc, 2011.
  • Albanian Traditional Music: An Introduction. Denver: Outskirts Press, 2012.
  • Albanian Traditional Music: Gheg Music. Denver: Outskirts Press, Inc, 2012.
  • Albanian Traditional Music: Tosk Music. Denver: Outskirts Press, Inc, 2012.
  • Albanian Traditional Music: Urban Music. Denver: Outskirts Press, Inc, 2013.
  • Albanian Traditional Music: The Historical Continuity. Denver: Outskirts Press, Inc, 2014.
  • Albanian Professional Music: Phenomena of the Twentieth Century. Denver: Outskirts Press, Inc, 2014.

Disa fjalë për këtë kolanë.

E krijuar si rezultat i më shumë se 20 vjetëve kërkimorë, seria gjashtëvëllimëshe “Albanian Traditional Music” synon të paraqesë një tablo të gjerë dhe të thelluar të aspekteve më të rëndësishme si për nga përmbajtja, ashtu edhe për nga forma të universit të muzikës tradicionale shqiptare. Përmbajtja e saj është shumëdimensionale dhe trajton një sërë çështjesh, ndër të cilat më të rëndësishmet mund të formulohen kështu: çështje të muzikës tradicionale shqiptare në përgjithësi, si: thelbi përmbajtjesor, thelbi formal, thelbi kombëtar dhe thelbi estetik universal; çështje të dialekteve kryesore të muzikës tradicionale shqiptare — dialekti muzikor gegë, toskë, lab dhe qytetar, duke përfshirë veçoritë dalluese, mjetet shprehëse, stilet dhe gjinitë muzikore; çështje të ndërveprimit ndërmjet muzikës tradicionale shqiptare dhe muzikës së popujve të tjerë, si muzika tradicionale greke, ajo arumune dhe muzika profesionale turke; si dhe çështje që lidhen me të ardhmen e muzikës tradicionale shqiptare. Për rëndësinë e kësaj vepre etnomuzikologu Kosta Loli thotë se seria akademike gjashtë-librore “Muzika tradicionale shqiptare” përbën një manual akademik të plotë, në formë e përmbajtje, për studiuesit e muzikës tradicionale shqiptare në përgjithësi; një udhërrëfyes për studiuesit e rinj dhe studentët që duan të zbulojnë të panjohura të reja të thelbit të kulturës muzikore tradicionale; një arsenal njohës për artdashësit e lexuesit, të cilët janë bartës, adhurues e përhapës pasionantë e vullnetarë të saj[10]. 

 

Në vitin 2015 botoi një tjetër seri gjashtëpjesëshe “My People: The Arumanians”, e cila trajton historinë, etnologjinë, kulturën dhe muzikën e arumunëve. Shkurtimisht, libri i parë paraqet çështjen arumune si një çështje të rëndësishme të historiografisë ballkanike dhe përcakton bazën themelore historiko-shoqërore të popullit arumun për të gjithë serinë gjashtëpjesëshe; libri i dytë studion aspekte të identitetit etnik të arumunëve, si: kombësia, gjuha, besimi fetar, numri i popullsisë, shtrirja gjeografike, mënyra tradicionale e jetesës, organizimi shoqëror e gjeografik, zejet dhe lidhjet farefisnore; libri i tretë trajton aspekte të historisë së arumunëve, duke u mbështetur në libra, dokumente dhe materiale arkivore me karakter shkencor. Po kështu, ai analizon rreziqet dhe dramën e arumunëve gjatë gjysmës së dytë të shek. XX; libri i katërt studion kulturën poetike dhe muzikore të arumunëve dhe paraqet një klasifikim të saj sipas zonave kryesore ku ata jetojnë; libri i pestë përbën një dëshmi personale autobiografike mbi jetën e arumunëve dhe synon t’i përgjigjet pyetjes së modelit shekspirian: “Të jesh apo të mos jesh arumun?!”; libri i gjashtë trajton çështjen e zgjimit të identitetit kombëtar arumun dhe mësimet që përcjell historia e tyre, duke i paraqitur ato si përfundime themelore historiko-shoqërore të gjithë serisë gjashtëpjesëshe.

Kjo seri përfaqëson një ndërmarrje studimore me karakter të gjerë ndërdisiplinor, kushtuar historisë, etnologjisë, kulturës dhe muzikës së arumunëve. Veçantia e saj qëndron në përpjekjen për ta trajtuar historinë dhe trashëgiminë e arumunëve sa  përmes të dhënave historike e etnografike, e po ashtu, edhe përmes përjetimeve individuale dhe analizimit të trashëgimisë shpirtërore të këtij komuniteti. Kjo vepër synon të ndërtojë një këndvështrim sa më të gjerë dhe të integruar mbi identitetin dhe trashëgiminë e këtij komuniteti. Sipas etnomuzikologut Kosta Loli: … Shetuni me mendimin e tij teoriko-estetik të argumentuar, i mbështetur edhe në terminologjinë etnomuzikologjike botërore synon të mbajë një qëndrim realist e bindës për mjaft nga çështjet që diskutohen sot[11].

Po në vitin 2015 botoi My Village: Andon Poçi dhe Lopësi: The Musical Culture. Në vitin 2016 botoi Arumanian Traditional Music: An Introduction, Albanian Traditional Music: The Mode of Existence dhe My Life: To Be, Or Not To Be, An Arumanian të publikuara nga Outskirts Press, Denver. Paralelisht mbetet aktiv në shtypin shqiptar me një sërë artikujsh për muzikën, kritikën[12] dhe kompozitorët shqiptarë, ndër ta për figurën e Kozma Larës[13], Haxhi Dalipit[14].

Po sipas Lolit, Shetuni përbën modelin e intelektualit të sotëm e të angazhuar shqiptar, i cili, edhe pse larg vendlindjes, e vazhdoi pa ndërprerë e deri në fund interesin studimor për kulturën e vendit të tij. Është një dëshpërim i madh fakti se Spiroja, miku dhe kolegu ynë, u nda nga jeta në kulmin e energjive të tij intelektuale. Ai e formatoi me shumë punë e përkushtim personalitetin e tij si etnomuzikolog dhe fakti që vepra e tij është objekt studimi dhe citimi, provon më së miri vlerën e saj në kohë. Po e mbyll me konsideratën e dr. Mark Y. Herring, i cili shprehet:… Shetuni është ndoshta autoriteti më i shquar në Perëndim për çështjet e muzikës shqiptare. Puna e tij novatore në këtë fushë vlerësohet në të dyja anët e Atlantikut[15].

 

[1]Sipas Th. Kapidan kemi këtë klasifikim të vllehve:“dakoromunët”,“maqedonoromunët”, meglenoromunët” dhe “istroromunët”. Arumunët ndahen në voskopojarë dhe në frashërllinj. Frashërllinjtë verojnë nëpër malet e Tomorit dhe Gramozit. Ja se si jepet në këngën popullore: Ku verove verënë, ndë mal të Gramozitë, ku rrinë çobanetë, çobankat me djepetë, djematë me shqerratë, çupat me bucelatë. Ata dimërojnë në fushat e Myzeqesë e të Delvinës, nëpër kodrinat e Mallakastrës e të Konispolit ose, nga ndonjë herë, kapërcejnë kufirin për të vajtur nëpër luginat e Thesalisë e t’Epirit. Sipas Kristo Frashërit: vllehtë e Frashërit, kryeqendrës së krahinës së Dangëllisë në Përmet, rreth fillimit të shek. XIX kanë qenë grupuar në dy lagje prej të cilave njëra banohej nga blegtorë sedentarë, tjetra nga zejtarë voskopojarë, të emigruar pas rrënimit të qytetit të tyre. Si kryeqendër, Frashëri takohej me fshatrat e tjera të Dangëllisë e konkretisht me Gostomickën, Koblarën, Goroshianin, Piskalin, Vidishtin (fshatra në kufij me Kolonjën), me Stërmecin, Qeshibeshin, Kakozin, Miçanin, Dervishijen (fshatra në kufij me Skraparin), si dhe me Ogrenin, Kostrecin, Gostivishtin, Kreshovën, Lupskën, Surropullin, Hotovën, Kosovën, Pagrinë etj., fshatra të qendrës së Toskërisë ku i kënduari dhe tradita e madhe isopolifonike lulëzonte…

[2] Shih Polifonia labe”, Tiranë, 1989.

[3] Te gazeta “Drita”, 5 gusht 1990, f. 7. Artikull i cituar.

[4]Ndër artikujt shkencorë përmendim “Elementë novatorizmi në polifoninë labe”, te “Probleme të zhvillimit të folklorit bashkëkohor”, Tiranë, 1980; “Tipare dalluese të polifonisë labe”, Nëntori, 9/1980; “Mbi pentatonin në polifoninë labe”, “Kultura Popullore”, 1/1981; “Vëzhgime etnomuzikore rreth vajtimit lab”, “Kultura Popullore”, 2/1982; “Tipare origjinale të polifonisë labe”, “Kultura Popullore”, 2/1983; “Muzikë në lulëzim të plotë”, “Kultura Popullore”, 1/1984; “Stile muzikore të polifonisë labe”, “Kultura Popullore”, 2/1985; “Vendi i muzikës popullore në jetën e shoqërisë shqiptare”, “Kultura Popullore”, 1/1991 etj.

[5] Shih Shetuni, Spiro J., Ferial Daja, Natasha Pano, redaktorë. 1986. Songs and Instrumentals from National Folkloric Festivals: 1968–1973–1978. Tiranë: Instituti i Kulturës Popullore. Antologjia përmban 161 këngë, pjesë instrumentale dhe valle, të shoqëruara së bashku me tekstet poetike dhe transkriptimet muzikore, tipike për të gjitha trevat kryesore etnografike të Shqipërisë; Shetuni, Spiro J., Agron Xhagolli, redaktorë. 1986. Lab Multi-Voice Songs. Tiranë: Instituti i Kulturës Popullore. Libri përmban 208 këngë dhe valle, të shoqëruara me tekstet poetike dhe transkriptimet muzikore, të grupuara në 15 stile të ndryshme muzikore.

[6] Shih Searching: Winthrop University Faculty Book Gallery.

[7] Shih Munishi, Visar. 2013. “The Contribution of Spiro J. Shetuni in Albanian Ethnomusicology.” Illyria: The Albanian-American Newspaper (New York, USA), November 28-December 5:115. Artikull i cituar.

[8] Shih Loli, Kosta. 2014. “A Fundamental Work of Albanian Ethnomusicology: The Six-book Academic Series, Albanian Traditional Music, by Dr. Spiro J. Shetuni.” Illyria: The Albanian-American Newspaper (New York, USA), June 5:1.

[9] Shih Bogdani, Ramazan H. 2014. “A Monumental Work of Albanian Ethnomusicology: The Six-book Academic Series, Albanian Traditional Music, by Dr. Spiro J. Shetuni.” Illyria: The Albanian-American Newspaper (New York, USA), November 25:1.

[10] Shih Vepër themelore e etnomuzikologjisë shqiptare, “Muzika tradicionale shqiptare” e Dr. Spiro J. Shetuni | Trashëgimia Shqiptare, artikull i cituar.

[11] Shih Loli, Kosta. 2014. “A Fundamental Work of Albanian Ethnomusicology: The Six-book Academic Series, Albanian Traditional Music, by Dr. Spiro J. Shetuni.” Illyria: The Albanian-American Newspaper (New York, USA), June 5:1. Artikull i cituar.

[12] Shih Prof. Spiro Shetuni/ Kritika muzikore shqiptare: Rrugë themelore të përmirësimit | Gazeta Telegraf.

[13] Shih KOZMA LARA: KOMPOZITOR I SHQUAR SHQIPTAR – Dielli | The Sun.

[14] Shih Prof. Spiro J. Shetuni/ Kapedani i muzikës tradicionale shqiptare | Gazeta Telegraf.

[15] Shih Agenda armaneasca 2015.09.15 – Radio România Internațional.

Comment

*