Moskë, 13 nëntor 2026 – Presidenti rus Putin përsëriti edhe një herë pretendimet ruse ndaj territoreve ukrainase, raporton DW.
Në takimin me të dërguarit e President it amerikan Dobald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, në Moskë, Putin tha se për Rusinë “ekziston vetëm një vijë e mundshme kufitare me Ukrainën dhe ajo është kufiri i jashtëm zyrtar i Rusisë”. Sipas tij, ky kufi përfshin edhe territore të Ukrainës që Rusia i ka aneksuar në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Përveç gadishullit të Krimesë, të aneksuar që në vitin 2014, në vitin 2022 Moska i shpalli si territore të Rusisë edhe rajonet ukrainase Luhansk, Donetsk, Zaporizhzhia dhe Kherson, pjesë të të cilave vazhdojnë të jenë nën kontrollin e Ukrainës.
Rusia kërkon veçanërisht tërheqjen e trupave ukrainase nga Donetsku dhe Luhansku, i ashtuquajturi Donbas, të cilin ushtria e Putinit nuk ka arritur ta pushtojë plotësisht as pas gati pesë vjet lufte.
Ukraina i kundërshton kategorikisht lëshimet territoriale. Ajo thekson se trupat ruse as nuk kanë përparuar aq sa i është raportuar Putinit nga Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ruse.
Kushner e ngriti në takim edhe çështjen e përfshirjes së evropianëve në negociatat për përfundimin e luftës. Putin tha se Rusia “nuk ka qenë kurrë kundër bisedimeve me evropianët”, por theksoi se Shtetet e Bashkuara “duhet të punojnë me evropianët në mënyrë që këta “të përcaktohen nëse duan luftë apo paqe”.
Qëndrimi i Putinit për përfshirjen e mundshme të evropianëve në bisedimet për paqe në Ukrainë bie ndesh me deklaratën e zëdhënësit të presidencës ruse, Dmitri Peskov. Të mërkurën ai bëri të qartë se delegacioni rus që mori pjesë në bisedimet e zhvilluara në Abu Dhabi refuzoi takimin me përfaqësuesit evropianë që ndodheshin atje.
(r.m.)