Beograd, 13 nëntor 2026 – Ish-inspektori i pavarur i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (Bezbednosna Informativna Agencia, BIA), Milan Zvezdanoviq, ka deklaruar se ka informacione jozyrtare se biznesmeni kontravers serb, Milan Radoiçiq, i afërt me ish-presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është larguar nga territori i Serbisë.
Zvezdanoviq, i cili ishte mysafir në programin e televizionit N1, ka thënë se sipas informacioneve të tij brenda BIA-s, Radoiçiq, i cili ishte i përfshirë në akte të ndryshme kriminale, ka shkuar në Rusi.
I pyetur nëse Radoiçiq është larguar me leje apo ilegalisht nga territori i Serbisë, ai ka thënë se Partia Progresive Serbe e Vuçiiqit është ende në pushtet, prandaj Radiçiq nuk kishte përse të kërkonte leje.
“Ai nuk kishte nevojë për leje”, ka thënë ai.
Sipas tij, largimi i Radoiçiqit nga vendi e ka shqetësuar “madje edhe atë pjesën të majës së BIA-s që kishte lidhje me bizneset dhe skemat kriminale” të Radoiçiqit.
Pas humbjes së Partisë Përparimtare Serbe të Vuçiqit, në Serbi ka filluar hapja e dosjeve të njerëzve të pushtetshëm në Serbi, të dyshuar për vepra të ndryshme penale, të cilët ishin në mbrojtje të Vuçiqit.
N1 kujton se Milan Radoiçiqit i ishte konfiskuar pasaporta dhe i ishte ndaluar largimi nga vendi me vendim të Gjykatës së Lartë në Beograd.
Ky vendim ishte marrë në vitin 2023, kur Radoiçiqi e kishte pranuar se ai ishte udhëheqës i grupit paramilitar serb që kishte kryer një sulm terrorist në Banjskë, në pjesën veriore të Kosovës.
Zvezdanoviq ka thënë se Milan Radoiçiq ka pasur lidhje të forta me BIA-n, prandaj largimi i tij i bën më kompekse hetimet se a ka ditur BIA për sulmin dhe se ka qenë edhe ajo e përpfshirë në organizimin e sulmit.
“Largimi i tij [Radoiçiqit] përbën problem kyç. Kjo do të thotë se ai nuk do të jetë i arritshëm për institucionet që duhet të sigurojnë dëshmitë dhe faktet”, ka thënë ish-inspektori i BIA-s.
Autoritetet e Kosovës kërkojnë me ngulm që Serbia ta dorëzojë Radoiçiqin te organet e drejtësisë në Kosovë që të gjykohet për sulmin në Basnjkë. Kjo kërkesë është mbështetur edhe nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por autoritetet serbe e kanë kundërshtuar dorëzimin dhe Radoiçiq ka vazhduar të jetojë e veprojë i lirë në Serbi.
Edhe gjatë kohës që është në kërkim të organeve të drejtësisë në Kosovë, Radoiçiq është parë në tubime e manifestime të ndryshme të Partisë Përparimare të Serbisë dhe të ish-presidentit Vuçiq, i cili e kishte cilësuar si “patriot” dhe si “mbrojtës të serbëve” në Kosovë.
Radoiçiq ishte përfshirë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Mbretërisë së Bashkuar, për shkak të përfshirjes në korrupsion, kontrabandë e veprimtari të tjera kriminale.
(r.m.)